Kulturë

Stormzy i stuhishëm në “Sunny Hill” rimon kujtimet që zgjasin

Sunny Hill

“Do të jetë një natë legjendare”, ka paralajmëruar artisti britanik, Stormzy, dhe sapo ka nisur performancën në natën e tretë të “Sunny Hill Festivalit” e ka konfirmuar këtë (Foto: Arben Llapashtica)

“Jam Stormzy, vijmë nga jugu i Londrës dhe kemi vetëm një qëllim sonte: që të gjithë këtu të largohemi me kujtimin që për 20-30 vjet ta mbani mend se jemi kënaqur. Vetëm më jepni pak energji dhe do të jap gjithçka që mundem në skenë. Do ta bëj këtë natë të paharrueshme për ty Kosovë”, ka thënë rap-artisti i njohur britanik në natën e tretë të “Sunny Hillit” dhe ka pasur të drejtë. Po kjo natë ka pasur edhe një tjetër kapitull: atë me artistët vendorë – prej PINTA-ve deri te Ghetto Geasy e Ledri Vula – të cilët krejt publikun e kanë zë përcjellës

Nuk është e çuditshme që publiku i “Sunny Hill Festivalit” ka qenë nja dyfish më i madh në numër në natën e tretë. Arsyeja ka dalë në pah kur në skenë është ngjitur kantautori britanik, Stormzy. Është dëshmuar që në këngët e para se publiku në Prishtinë e çmon krijimtarinë e tij. Ai në qendër dhe “armata” e tij në përcjellje kanë sjellë kryeveprat jo vetëm të krijimtarisë së tij, por edhe ato prej më me zë të hip-hopit ndërkombëtar. Artistët vendorë të po këtij zhanri kanë interpretuar hitet të cilat artistët pa menduar dy herë ia lënë publikut përgjegjësinë e mbajtjes së ritmit.

Pak para mesnatës, është paralajmëruar ngjitja në skenë e artistit të vlerësuar në zhanrin e tij. Festivali “Sunny Hill”, të paktën për këtë edicion, e ka pasur si shenjë që krejt para asaj që mund të quhet si intro e hyrjes së artistit, skena të “shuhet” për disa sekonda. Diçka e ngjashme si një thënia “qetësi para stuhisë”.

Paralajmërimi për një natë legjendare

Stormzy është emri i artistit kompozitorit britanik 31-vjeçar, Michael Ebenezer Kwadjo Omari Owuo Jr.

Fillimisht spektakli me dritë e muzikë e ka bërë të paqartë momentin derisa ai hyn në skenë. Shfaqet midis skenës me flamurin e Kosovës në supe. Me të e ka interpretuar këngën e parë e atë e ka pasur me vete edhe kur ka kënduar këngën e fundit. Një shenjë e lezetshme për ta nderuar publikun e Kosovës.

Ai ka qenë një lloj “frontmani” i DJ-it, bendit, e disa këngëtarëve që kanë shërbyer si vokale mbështetëse (Foto: Arben Llapashtica)

Përtej kësaj, pauzat midis këngëve i ka shfrytëzuar për ta falënderuar publikun për dashurinë ndaj tij dhe ftesës së organizatorëve për të interpretuar për të parën herë në Prishtinë.

“Jo vetëm pse jam tani me ju, por ju betohem në Zot, i jam shumë falënderues që pata mundësinë të interpretoj para jush”, ka thënë ai pasi ka ndier energjinë e publikut pas këngës së parë që e ka kënduar.

“Faleminderit Zotit që përfundova në këtë skenë në Kosovë”, ka thënë ai shkurt në një tjetër moment gjatë koncertit të tij njëorësh në skenën e “Sunny Hillit”, të shtunën mbrëma.

Këngët e tij si “Seek &Hide” e “Blinded by your grace” kanë qenë me ritme “afrobeats”, më ndryshe prej të tjerave si “Vossi bop”, “Mel made me do it” e “Rainfall” ku shpejtohet tempi.

Publiku ka kënduar njëzëri me të në këngën e tij “Shut Up” të lansuar para gati një dekade. Kjo këngë u bë shumë e njohur dhe ai arriti kulmin e karrierës në atë kohë, duke u klasifikuar e treta si në kategorinë e solo-këngëve në top-listat britanike.

E pasur ka qenë lista e përbërë prej artistëve vendorë. Kjo pjesë lirisht mund të thuhet se ka kumbuar me Mc Kreshën, Lyrical Son dhe Llunin  (Foto: Arben Llapashtica)

“Do të jetë një natë legjendare”, ka paralajmëruar ai nga skena. Të paktën e paharruar do të jetë energjia, dashuria e kënga e tij e bukur krejtësisht e krijuar aty për aty.

“Vetëm më jepni pak energji dhe do të jap gjithçka”

“Është hera e parë që jam këtu. Jam Stormzy, vijmë nga jugu i Londrës dhe kemi vetëm një qëllim sonte: që të gjithë këtu të largohemi me kujtimin që për 20-30 vjet ta mbani mend se jemi kënaqur. Vetëm më jepni pak energji dhe do të jap gjithçka që mundem në skenë. Do ta bëj këtë natë të paharrueshme për ty Kosovë”, ka thënë Stormzy në skenë.

Ai ka qenë një lloj “frontmani” i DJ-it, bendit, e disa këngëtarëve që kanë shërbyer si vokale mbështetëse. Afër gjysmë ore pas performancës së tij, ka përshëndetur e ka dhënë autografë për publikun. Nga ekrani gjigand është parë duke biseduar e duke shkrepur fotografi me ta.

Thesar Salihu, prezantues televizioni, ka thënë se Stormzy ka qenë i jashtëzakonshëm në skenë.

“Ka qenë tepër mirë, nuk mund ta përshkruajë njeriu pa e përjetuar vetë performancën e tij”, ka thënë ai.

Stormzy ka fituar vëmendje në skenën e muzikës në Britani nëpërmjet serisë së tij “Wicked Skengman”.

Pas debutimin me këngën “Know Me From”, Stormzy ka fituar tre “MOBO Awards” dhe një “BET Awards” në kategorinë “Best International ACT”. Në vitin 2017 ka fituar çmimin “MTV Europe Music Award” në kategorinë “Best Worldwide Act”, ndërsa ishte i nominuar edhe për një ”Brit Award”.

Ai shënoi histori në skenën e muzikës në Britani në vitin 2018, duke u bërë rap-artisti i parë që fiton këtë çmim për “Albumin Britanik të Vitit”. Kjo ngjau me albumin e tij debutues, “Gang Signs & Prayer”. Ishte fitues i dyfishtë i atij edicioni, duke fituar edhe si “British Male Solo Artist Award”. Këto janë veç disa prej sukseseve të një prej artistëve të mëdhenj evropianë që ka korrur suksese në skenë ndërkombëtare të muzikës.

Artisti Getoar Selimi, i njohur për publikun si Ghetto Geasy ka interpretuar hitet e tij, kryesisht bashkëpunime me të tjerë artistë  (Foto: Arben Llapashtica)

Skena e hip-hopit vendor, publiku si zë përcjellës

Antika Maksutaj, me profesion arkitekte, ka thënë se artisti britanik ka qenë i mahnitshëm, por se më shumë i ka shijuar këngët e artistëve vendorë.

“Artistët tanë kanë tjetër vend te ne si shoqëri, të huajt kanë vend tjetër. Më shumë e kam shijuar pjesën e artistëve tanë dhe ka qenë një adrenalinë, një emocion më ndryshe ndoshta që jemi rritur me muzikën e tyre, na kanë përcjellë prej lindjes. Por edhe Stormzy ka qenë shumë i mirë, sepse si vend që jemi të vijnë artistë të tillë në Kosovë mendoj se është arritje bajagi e madhe”, ka thënë ajo.

E pasur ka qenë lista e përbërë prej artistëve vendorë. Kjo pjesë lirisht mund të thuhet se ka kumbuar me Mc Kreshën, Lyrical Son dhe Llunin. Treshja ka interpretuar këngët “Shake it (Kanga e Drake-it)”, “I'm in my zone”, “Pa mu”. Artistët e labelit PINT e kanë ndezur atmosferën.

E kanë kënduar ribërjen “hip-hop” të “Idile verore” të njërit prej rock-grupeve pioniere në Kosovë “MAK”. Ia ka lënë në dorë publikut për ta vazhduar. Kjo e dëshmon se i njeh mirë secilën këngë të tyre. Si kjo e ngjashme është edhe “Era” që gërsheton këngën e “Gjurmëve” me të njëjtin titull.

Avaria me probleme teknike është përsëritur edhe në natën e tretë. Ata kanë ngecur disa herë në përcjelljen me vokal. Kanë bërë të ditur se nuk janë në komunikim me instrumentalin.

“Nuk e dëgjojmë veten”, i ka thënë Kresha teknikës. Këngën e fundit e kanë rezervuar për “Semaforin” si himn i festivalit. Kishte bërë bujë në edicionin e kaluar të festivalit, më 2022 kur krejt turma kishte kënduar njëzëri gjysmën e këngës në Parkun e Gërmisë. Kësaj here e gjithë reptura i është lënë krejtësisht publikut. Duket se treshja në skenë, veçmas Mc Kresha, teksti i të cilit këndohet, nuk mund të jetë më krenar sesa aq.

Në skenë është ngjitur edhe Ledri Vula. Ka kënduar “SRMN”. Krejt publiku i është bashkuar në interpretim të refrenit “SRMN...”. E ka ndezur atmosferën me “KINGS”  (Foto: Arben Llapashtica)

Antika Maksutaj ka thënë se muzika shqip ka shijuar më shumë.

“Normalisht që ka dallim, sepse eksperienca, fama, vendet ku ka performuar, e bëjnë të veten, por nuk i ndërroj me artistët vendorë. Ndryshe shijon kur e di ai artist që ia di këngën, e di për çfarë e ka, e përjeton tekstin, por prapë është arritje shumë e madhe që krijohet një festival i tillë te ne”, ka thënë ajo.

Ashtu siç ngjau dy vjet më parë, publiku i shumtë në numër këndoi bashkë me dy reperët në skenë.

Artisti Getoar Selimi, i njohur për publikun si Ghetto Geasy ka interpretuar hitet e tij, kryesisht bashkëpunime me të tjerë artistë. “Si ajo”, “Malena”, “S’jena mo”, qenë në mesin e tyre.

Pas tij në skenë është ngjitur Ledri Vula. Ka kënduar “SRMN”. Krejt publiku i është bashkuar në interpretim të refrenit “Sun rrin me neve...”. E ka ndezur atmosferën me “Thirrëm qysh dush”. Ka kënduar edhe këngën e tij të fundit “Paranormal”.

Veçse është vërejtur se turma do të jetë masive në natën e tretë të festivalit. Me kilometra të tërë ka qenë e gjatë kolona e makinave. Më shumë se një orë e gjysmë ka zgjatur udhëtimi i një autobusi të Trafikut Urban nga Stacioni i Trenit kur është nisur e deri në hyrje të festivalit. Autobusët kanë qenë të stërngarkuar.

Edhe në natën e tretë është parë ylli botëror, Dua Lipa.

Skena tjetër kryesore e dedikuar për muzikë elektronike emër kryesor e ka pasur grupin “Groove Armada” nga dyshja angleze Andy Cato dhe Tom Findlay, që arriti sukses me singlet “At the River” “I See You Baby” dhe “Superstylin”. Repertori i tyre përfshin nëntë albume katër prej të cilëve janë renditur në top 50-shen e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Krijimet e tyre “4 Tune Cookie” e “At the River” datojnë nga viti 1997, një vit pasi kanë debutuar në skenë si DJ. Albumi i tyre i parë, “Northern Star, doli në vitin 1998 në dhe një vit tjetër menjëherë e publikuan edhe tjetrin – Vertigo”. Morën tjetër kthesë me albumin e tyre “Soundboy Rock” ku ndërruan stil muzike. Këngët e këtij albumi “Get Down” dhe “Groove Extracts” ndoqën trendin bashkëkohor të muzikës ‘house’ e këngë me elemente të rockut.

Po ky zhanër i përzier është luajtur për publikun e festivalit “Sunny Hill”. Performancën e dyshes e ka paraprirë DJ Tommy Gold, ndërsa pas tij ka luajtur DJ Lekë derisa ka zbardhur dita.

Arjan Begu që merret me fushën e komunikimit në Gjermani, ka thënë se në festival ka ardhur më shumë për muzikën elektronike të festivalit.

“Ka qenë atmosfera shumë e mirë, më ka pëlqyer shumë, ka qenë hera e parë që kam ardhur këtu. Në fakt mua më shumë më ka pëlqyer këtu ‘techno stage’”, ka thënë ai.

Kapitullin e edicionit të katërt të “Sunny Hillit”, të parit në Bërnicë të Poshtme e mbyll të dielën, pikërisht skena e muzikës elektronike. DJ Snake është aty dhe pjesa tjetër është histori.