Përderisa kanë lënë prapa promovimet zyrtare të albumit “Specie turshi” dhe të përmbledhjes me poezi “Thi is a mirror”, Arbër Salihu i njohur si La Fazani dhe Likana Cana janë takuar krejt spontanisht me publikun, duke zbardhur prapaskenat e artit të tyre
Edhe në koncerte e ngjarje ku interpreton Arbër Salihu, i njohur si La Fazani, është përherë i afërt me publikun. Të njëjtën gjë e bën edhe me tekstet e tij të këngëve, të cilat kur u jep vokal krijon një lloj komunikimi me dëgjuesin. Krejt joformal ka qenë prezantimi i radhës i albumit “Specie turshi” dhe jo vetëm, për dashamirët e këngës së tij. Pos kësaj, për të parën herë në Prishtinë, autorja Likana Cana e ka nxjerrë në publik librin e saj “This is a mirror”.
Ambienti modest e simpatik i kafenesë “Dit’ e nat’“ në kryeqytet ka qenë përzgjedhja e dyshes së artistëve Cana dhe Salihu për të prezantuar krijimet e tyre artistike. Nuk do ndonjë organizim a kohë të caktuar. Ata janë aty, pranë gjësendeve të tyre duke argëtuar mysafirët me këngë të njohura të artistëve të huaj botërorë. Myshterinjtë ndalen një grimë për të soditur a bërë për vete gjësendet mbi banakun e kafenesë e një pjesë e tyre të varura aty.
“Ideja për këtë ngjarje sonte është të jetë një ambient më intim, më personal, ku vijnë njerëzit shohin dhe shfletojnë. Gjithashtu munden të na pyesin se si ka qenë procesi, ku kemi pasur vështirësi. Është më shumë prapaskena sesa prezantimi i produktit final”, ka thënë artistja Likana Cana.
Bluzat mbajnë shkrime poetike. Njërën prej tyre, që Likana Cana e ka mbajtur të veshur, ka titullin e këngës së La Fazanit, “Hajde me shuplakë”. Pjesë e koleksionit ka qenë edhe bluza e artistit Arbër Salihu me përshkrimin “A T-shirt to make you dissapear” (Një bluzë që të bën të zhdukesh).
“Kjo është shenja të cilën e ke kërkuar” e “Kjo ekziston vetëm kur e lexon” në anglisht, “A je lodhë?” një tjetër me formën e hartës së Kosovës me ngjyrë të kaltër që identifikon edhe ndërtesat e Prishtinës kanë qenë një pjesë e atyre që kanë ekspozuar Likana Cana dhe Arbër Salihu.
Disa prej thënieve të stampuara në bluza kanë burim librin “This is a mirror” të Canës, i cili përfshin një koleksion poezish. Tema kryesore, siç ka thënë autorja, është një lloj mënyre për t’u lidhur më mirë me veten dhe për të ofruar shërbime shprese nëpërmjet artit.
“Është libër artistik që ka poezi drejtuese, që të shtyjnë të jesh më prezent në këtë moment. Janë ide për vepra arti që i kam pasur dhe i kam, por që e di se nuk mundem t’i realizoj, sepse thjesht janë shumë. Kështu që i kam futur në një libër, i keni aty...”, ka thënë autorja Cana.
Ajo e ka gjetur veten në lëvizjen e artit konceptual “Fluxus”. Aty artikulon thjeshtësinë e përditshmërisë, e cila vëmendjen e shndërron në një medium artistik. E si ide duket që ka nisur qysh në vegjëli. Shkrimin ajo duket ta ketë përdorur si një stacion në të cilin është ndalur për të reflektuar mbi itinerarin e jetës.
“Bluja e bën të padukshmen të dukshme duke dhënë atë që rrethon një dimension jomaterial. Kjo bëhet nëpërmjet poezive mësimore, të frymëzuara nga lëvizja Fluxus, që përqendrohen më shumë në procesin krijues sesa në vetë veprat e artit. Ndërsa lexuesit kryejnë udhëzimet e artistit, ata transformohen nga një audiencë në bashkëkrijues, prandaj nisja e librit transformohet si një ekspozitë ku audienca mund të ndërveprojë me pikët dhe të kuptojë ndjenjën e përgjithshme të librit”, thuhet në përshkrimin shpjegues të “Autostrada Biennale” për librin “This is a mirror” të Likana Canës. Aty edhe ishte promovuar paraprakisht më 1 mars.
Likana Cana është artiste multidisiplinore, që punon si me artet ashtu edhe me shkencat. Ka diplomuar në psikologji e që tash është e angazhuar si ligjëruese.
Te gjësendet e renditura ka qenë edhe albumi i mëparshëm i Arbër Salihut sa ishte pjesë e bendit “Oborri”.
Albumi i tij i fundit “Specie turshi” ka tërhequr vëmendje, ani pse ky është prezantimi i radhës pas promovimit me koncert më 8 mars në “Kino Armatë”.
“Është mënyrë që të lidhemi me publikun që na dëgjon dhe na ndjek, por në princip është mundësi që njerëzit të na shohin produktet. Gjithashtu është edhe libri ‘This is a mirror’, që është mundësi që njerëzit të njoftohen edhe me të”, ka thënë Arbër Salihu derisa ka thënë se aty njerëzit kanë qenë të lirshëm të shprehen e të pyesin për gjithçka në lidhje me punën e tyre.
“Sonte nuk ka diçka të çmendur siç jemi mësuar të bëjmë zakonisht. Njerëzve po ua prezantojmë produktet tona, kemi goxha shumë produkte që kemi prodhuar dhe po lëshojmë muzikë që na pëlqen. Po i presim njerëzit për t’u dëfryer me ne dhe të flasim për produktet që i kemi bërë”, ka thënë ai.
“Specie turshi” me gjashtëmbëdhjetë këngë është më shumë si një projekt konceptual artistik. Edhe në promovimin zyrtar kishte gjësende si bluza e aksesorë me imazhet e albumit. E veçantë kishte qenë edhe forma që kantautori Arbër Salihu kishte vendosur ta ofronte albumin: si një libërth i vogël i cili në kopertinë paraqet figurinë që portretizon La Fazanin në mes të kavanozave me turshi.
Nesim Maxhuni në tupanë, Art Lokaj në kitarë, Fatlind Ferati në bas-kitarë, Viola Rrecaj në sint, Philipp Konrad Labhart në trumbetë, Arsim Leka në saksofon dhe La Fazani në vokal e kitarë kishin përbërë septetin që kishte sjellë këngët e albumit nëpërmjet vokalit të kompozitorit, tekstshkruesit, multiinstrumentalistit e producentit nga Prishtina.
Salihu ka shkelur në skenën muzikore në vitin 2013. Në vitin 2017 ishte lansuar albumi debutues që përfshinte katër video muzikore. Pos stilit unik të këngëve të tij, ai ka kompozuar edhe muzikë për fëmijë për platformën edukative “Planeti i fëmijëve”. Do të debutonte si “La Fazani” në vitin 2022 me veprat e tij që përfshijnë elemente hip-hopi, ‘rock n’roll’ e folk shqiptar, ku shpesh përshkruan realitetet e shoqërisë. E tillë kishte qenë edhe kënga “Oj Kosovë”, me të cilën e kishte fituar vendin e parë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës në fund të tetorit të vitit të kaluar.