Kulturë

“Spätwerk” në kontradiktë e dematerializon artin

HOPE ne nje nga muret ne ekspoziten e Dren Maliqit

“HOPE” mezi shihet në njërin nga katër muret e njërës pjesë të hapësirës ekspozuese në katin e sipërm të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Vepra e vitit 2004 është fort e zbehur. Nga një perspektivë mund të shihet si humbje e madhe e shpresës e nga tjetra si një shpresë që po lind

Ekspozita “Dren Maliqi – Spätwerk” është njëfarë muzeu personal. Prej gjermanishtes “Spätwerk” mund të përshtatet si “Punë e vonë”. Aty shoshiten preokupimet e artistit prej pasluftës e deri tash. Janë preokupime që dalin në pah nëpërmjet veprave e edhe nëpërmjet pauzimeve të tij në krijimtari. Flasin gati si barabartë. Kontradikta, është emëruesi i përbashkët por merr tjetër kuptim. “Krejt veprat janë kontradiktore dhe ndoshta kjo është pyetja: Çka na sjell kontradikta? Është thirrje për racionalizim. Për shtrim të pyetjeve dhe përgjigjeve racionale”, thotë Maliqi

“Shpresa është gjithmonë aty kur na duhet. Kur nuk na duhet, nuk është pasi nuk kemi nevojë për të. Shpresa është gjithmonë nëse duam ta shohim. Kam provuar që këtë koncept ta vizualizoj që thjesht audienca të ecë nëpër hapësirë dhe të mund ta gjejë shpresën, nëse do”, thotë Dren Maliqi. 

“HOPE” mezi shihet në njërin nga katër muret e njërës pjesë të hapësirës ekspozuese në katin e sipërm të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Vepra e vitit 2004 është fort e zbehur. Nga një perspektivë mund të shihet si humbje e madhe e shpresës e nga tjetra si një shpresë që po lind. 

Dren Maliqi (43) në aspektin praktik – ku zakonisht merret për bazë mosha – nuk ka hapur ekspozitë retrospektive. Por veprat e ekspozuara janë retrospektivë. E kur vetë artisti thotë se prej kësaj dite nuk do të merret më me art në këtë formë, veprat mund të kualifikohen tamam si retrospektive. 
Dren Maliqi hyn te gjenerata e artistëve që ndër të parët – të paktën si grup – provuan e provokuan me bashkëkohoren në Kosovë. Ekspozita “Dren Maliqi – Spätwerk” është njëfarë muzeu personal. Prej gjermanishtes “Spätwerk” mund të përshtatet si “Punë e vonë”. Aty shoshiten preokupimet e artistit prej pasluftës e deri tash. Janë preokupime që dalin në pah nëpërmjet veprave e edhe nëpërmjet pauzimeve të tij në krijimtari. Flasin gati si barabartë. 

 Kur përmendet emri i Dren Maliqit vepra “Face to Face” e vitit 2003 është ndër të parat që bie ndërmend

Kur përmendet emri i Dren Maliqit vepra “Face to Face” është ndër të parat që bien ndërmend. Përballë ikonën e popit Elvis Presley me heroin kombëtar Adem Jashari. Në ekspozitën e kuruar nga Catherine Nichols, “Face to face” është aty. Më 2008 në galerinë “Kontekst” në Beograd kishte lënë nam me këtë vepër. Madje huliganët kishin hyrë në galeri dhe e shqyen. 

“Nuk e kam menduar si përballje edhe pse vepra është ‘Ballë për ballë’. Por jo në kuptimin e konfliktit por të tensionit që krijohet. Pyetja është çfarë tensioni krijohet? Në vitin 2003 kur e kam punuar ka qenë njëfarë tensioni midis lokalitetit tonë dhe makinerisë politike ndërkombëtare politike”, thotë Maliqi, i ulur në një kolltuk që e ka sjell vetë në GKK në kuadër të ekspozitës. Shpjegon se figura e heroit shqiptar është aq e popullarizuar sa shikohet në kontekst të pop-ikonës, e që normalisht nuk është i tillë. 
“Por nga banalizimi i imazhit është krijuar si pop-ikonë. Më fjeti për ilustrim të njëfarë tensioni. Qëllimet tona ishin ndryshe, të ndërkombëtarëve ndryshe. Më ka interesuar që ta ekzaminoj atë tension”, thotë ai. 

Dren Maliqi: “Në shikim të parë janë gjëra të kota, harxhim i kotë i mjeteve materiale e kohës.  Por në anën tjetër nuk mundemi pa të (artin v.j.). Nuk mundemi pa dialog shoqëror të cilin, sipas mendimit tim, arti duhet ta sjellë...”

Tension jo i vogël është edhe sot midis politikës vendore dhe asaj ndërkombëtare. E për Maliqin, vepra është aktuale, por nuk e ka menduar si tillë. 

“Kur e kam bërë nuk kam qenë i vetëdijshëm se çfarë rruge çel e çfarë pyetjesh ngrit. Më ka bërë të vetëdijshëm për interpretime të ndryshme të artit që varen nga kontekste kulturore, politike e ideologjike. Më ka bërë të besoj për likuiditetin e artit që nuk është i definuar. Në situatën aktuale politike mund të ketë edhe interpretime të sotme”, thotë ai derisa duket sikur e mendon secilën fjalë para se ta thotë. Është dyshues edhe në shpjegimet që jep vetë. Matet fort para se t’i nxjerrë fjalët. 
Duket se mezi i ka nxjerrë fjalët edhe kur ka krijuar një seri veprash të tjera. Janë korniza me goxha dimensione. Nga larg duken boshe. Por diku midis kornizave gjendet nga një mbishkrim i vogël. 
Zanafilla është para gati një dekade. Do ta shkruante në mënyrë minimale fjalën “Independence” dhe do ta hidhte në rrjete sociale në format që mezi lexohej. Po festohej 17 shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës. 

“Është tentimi për dematerializimin komplet të artit vizual, ku thjesht esenca e secilës paraqitje ose problemi, minimizohen. Por ndodh që minimizimi prapë ekziston. Kështu që është shenjë disbalance”, thotë ai. Shpjegon se asokohe në atë ditë feste iluzionet ia kishin nisur të shfaqen dhe se merrej vesh që shteti ende ka probleme. 

“Por ne e bëjmë të madhe pavarësinë megjithëse jemi të vegjël e të humbur. Por jemi të pavarur. Është një ambiguitet midis të dyjave. Është mënyrë minimale e përshkrimit të realitetit tim sipas observimit tim”, thotë ai për veprën që e realizoi kur nuk ishte “zyrtarisht artist”. Pos “Independece” seria numëron disa shënime si “Unwanted pleasures” e “Even heroes get forgotten”. 

Në një prej hapësirave ekspozuese e ka bërë murin sikur të mbështjellë me ndonjë tapet ku “M’vyn ndrrim radikal” përsëritet ndoshta mijëra herë. Gjatë gjithë ditës së mërkurë e ka shkruar atë

Me sa kujton Maliqi, më 2010 e ka pasur ekspozitën e fundit dhe më pas ka pushuar. Kishte hyrë në mendime se duhet të dematerializohet arti dhe se vizualja e materialja s’kanë kuptim më. Në kokën e tij asokohe veç ekzistenca e mendimit mjaftonte. Për këtë pauzë ka edhe arsye të tjera. 
Kujton se në atë kohë Ballkani u bë i qasshëm për botën evropiane dhe kishte shkëmbime të shumta. 

“Çka më pengonte mua ishte se veprat që i kërkonin ishin klishe ballkanike, patosi ballkanik. Kështu që vendosa që të mos krijoj vepra. Nja dy a tri vjet kam shëtitur nëpër mendje”, kujton ai. Angazhohej në organizimin e ngjarjeve kulturore.  

Më 2015 kishte hapur “Klubin M” si iniciative të pavarur. E kur e përmend “të pavarur”, thotë se ishte njëmend asisoj, pa mjete nga qeveria e fondacionet “që imponojnë politikat e veta”. Por kur muzika ia kishte marrë hovin entitetit të “Klubit M”, Maliqi ishte gati për të hequr dorë. Sebep do të bëhej pandemia dhe ajo histori është mbyllur. Për dy vjet do të angazhohej te bienalja nomade “Manifesta 14”.  

“Tash vendosa ta bëj ekspozitën e punimeve të vjetra e të reja që edhe për vete ta bëj njëfarë rrjedhe e këtë pastaj ta lë në arkiv, ose në katalog dhe t’ia nisi diçkaje të re që nuk e di çka është”, thotë ai. Ia ka mësyrë njëfarë ndërrimi goxha radikal. 

Nga larg duken boshe. Por diku midis kornizave gjendet nga një mbishkrim i vogël.  Zanafilla është para gati një dekade. Do ta shkruante në mënyrë minimale fjalën “Independence” dhe do ta hidhte në rrjete sociale në format që mezi lexohej. Po festohej 17 shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës

Në një prej hapësirave ekspozuese e ka bërë murin sikur të mbështjellë me ndonjë tapet ku “M’vyn ndrrim radikal” përsëritet ndoshta mijëra herë. Gjatë gjithë ditës së mërkurë ka shkruar aty. Ndërrimet radikale në këto anë janë muhabet i vjetër. Sidomos në Kosovë prej viteve ’90 e këndej ky është një togfjalësh i shpeshtë. 

“Gjatë gjithë ditës kam shkruar të mërkurën... Përsëritja gjithnjë të bie një banalitet. Kur e kam shkruar këtë më 2003 ka qenë kontekst tjetër. Tash s’kam besim në revolucion. E në evolucion po. Ndryshimi nuk vjen prej qielli. As dhuna nuk e sjell ndryshimin. Por flasim për te ne, pasi në Palestinë është diçka tjetër. Puna, evoluimi i punës, krijimi i kushteve sociale, intelektuale e sjell ndryshimin”, thotë ai. Më këtë rast i kthehet prapë shpresës. Thotë se edhe shpresa në kontekste të caktuara është e kotë. “E bëjmë vetë”, konstaton Maliqi. “Në ndryshim radikal, të paktën unë në Kosovë, nuk besoj. Ndryshimi radikal është më se i nevojshëm”, shton ai derisa qëndron midis relikteve të “Klubit M”. Ambientin e atjeshëm e ka zhvendosur në GKK. E ka vënë në kontekst të artit. Ambientin e dikurshëm që i shërbente si studio e ka rikrijuar në Galeri si pyetje rreth të jetuarit si formë edhe testimit në kontekstin e galerisë. 

Më 2015, Dren Maliqi kishte hapur “Klubin M” si iniciative të pavarur. E kur e përmend “të pavarur”, thotë se ishte njëmend asisoj, pa mjete nga qeveria e fondacionet “që imponojnë politikat e veta”. Tash e ka zhvendosur në Galeri 

Edhe në tekstin kuratorial, kuratorja Nichols ka shkruar se duke marrë parasysh veprat brenda konteksteve kohore, shoqërore dhe artistike gjatë krijimit të tyre, ekspozita shqyrton shtrirjen e artit konceptual dhe të zakoneve shoqërore, veçanërisht nocionin e “të jetuarit si formë” në Kosovën bashkëkohore. 

“Në përgjithësi, prezantimi i këtij lloji të zgjeruar të praktikës artistike synon të sfidojë diskursin aktual artistik në Kosovë në lidhje me atë që përbën praktikën artistike dhe rolin që një praktikë e tillë mund të luajë në formësimin dhe transformimin e shoqërisë”, ka shkruar ajo. 
Maliqi edhe pse i mërzitur nga materializimi i artit thotë se dilema e kontradiktës së artit dhe kulturës e fascinon. 

“Në shikim të parë janë gjëra të kota, harxhim i kotë i mjeteve materiale e kohës.  Por në anën tjetër nuk mundemi pa të (artin v.j.). Nuk mundemi pa dialog shoqëror të cilin, sipas mendimit tim, arti duhet ta sjellë. Krejt veprat janë kontradiktore dhe ndoshta kjo është pyetja: Çka na sjell kontradikta? Është thirrje për racionalizim. Për shtrim të pyetjeve dhe përgjigjeve racionale”, thotë Maliqi. Në atë që e mendon dhe e ka bërë nëpërmjet artit është munduar të jetë goxha racional edhe në kohët kur racionaliteti ka marrë tatëpjetën jo veç në Ballkan, por thuajse globalisht. Por Maliqi nuk e ka ndërmend të ndërrojë. Ka hequr dorë nga krijimtaria kur ndoshta mund të fitonte më shumë popullaritet a mjete materiale. Këtë pasi donte të ishte kundër erës që frynte asokohe. E këtë e bënte për të qenë racional me bindjet e tij.  Se në çfarë mënyrash do ta manifestojë racionalitetin në të ardhmen duket se nuk e di as vetë. Por është i sigurt në bindjen për të qenë i tillë.