Kulturë

Sopranoja Besa Llugiqi kthehet në Poloni me operën “Thaïs”

Besa Llugiqi

Besa Llugiqi është kthyer në brigjet e Baltikut me kryerolin e operës “Thaïs” të francezit Jules Massenet. Këtë vepër në Operën Baltike të Gdanskit në Poloni, produksioni tradicional i shtëpisë operistike e vë në skenë me dy shfaqje për këtë vit

Në skenën të cilën debutoi më 2019, me po të njëjtin produksion, sopranoja e shquar e Kosovës, Besa Llugiqi, është kthyer me kryerolin e operës “Thaïs” të francezit Jules Massenet. Këtë vepër në Operën Baltike të Gdanskit në Poloni, produksioni tradicional i shtëpisë operistike e vë në skenë me dy shfaqje për këtë vit. 

Familjarizimi i sopranos me personazhin “Thaïs” e bën atë që në detaje të dijë se çfarë e pret në skenë. Vetë Llugiqi ka humbur numërimin e herëve që është shfaqur në skenë teatri për këtë operë. 

“Kjo mbase është përsëritja e dhjetë apo më shumë e shfaqjes, produksion i realizuar në vitin 2019, në Teatrin e Gdansk. Prej atëherë përsëritet si shfaqje çdo vit pasi e mbajnë në repertor si produksion i tyre”, ka thënë sopranoja Llugiqi në një bisedë për KOHËN rreth dy orë para se të ngjitet në skenë operën “Thaïs”. 

Ajo veçse zotëron libretin e operës, ia di vështirësitë teknike e çka jo tjetër. I konsideron të pashmangshme në këtë vepër e cila, sipas saj, është edhe e ngarkuar për nga ana emocionale. 

“Është gjithmonë kënaqësi të kthehem në një rol të tillë sepse është shumë serioz dhe sfidues jo vetëm nga ana teknike dhe interpretative, por edhe për nga përmbajtja, është emocionalisht i ngarkuar sikurse edhe teknikisht. Me një produksion me disa ndryshime për shkak të kastit tani po rikthehet me katër shfaqje për këtë vit dhe besoj se çdo vit do të ketë një numër shfaqjesh”, është shprehur Llugiqi. 

Dirigjent i këtij produksioni është braziliani Jose Maria Florencio ndërsa regjia nga polaku Romuald Ëicza-Polojski. Skenografia dhe kostumet janë të punuara nga Alicja Kokosinska, po ashtu nga Polonia. 

Llugiqi në skenën e teatrit polak për këtë shfaqje të sivjetme ka luajtur të shtunën mbrëma ndërsa ka edhe një tjetër paraqitje më datë 15 të këtij muaji. 

Pos saj, në rolin e Thais, kanë interpretuar edhe Marcelina Beucher dhe Katarzyna Wietrzny, si Atanael kanë qenë Marcin Bronikowski dhe Tomasz Rak, si Nicias - Ivaylo Mihaylov, Sławomir Naborczyk dhe Łukasz Załęski, e të tjerë. 

Lugiqi e ka vlerësuar të jashtëzakonshëm kastin e të përfshirëve në këtë produksion për të cilin ka bërë të ditur se është i njëjti, me ndryshime në kast. 

“Besoj se është një kast jashtëzakonisht i mirë, dirigjenti po bën një punë të mirë me artistët. Tash jemi në përgatitje dhe në orën 18 bashkëngjitet i gjithë ekipi dhe fillon shfaqja. Është një teatër jashtëzakonisht serioz, orkestra është e mrekullueshme. Kasti është komplet polak, përveç dirigjentit”, ka thënë Llugiqi, karriera e së cilës ka bërë bujë jashtë vendit. 

Filloi në shkurt 1949 si Studio e Muzikës dhe Dramës (në polonisht: Studio Muzyczno-Dramatyczne) e krijuar nga Iwo Gall. Në vjeshtën e vitit 1949, u themelua Studio Opera (në polonisht: Studio Operowe) e Filarmonisë Baltike. Në vitin 1953, ata u bashkuan nën emrin e Operas dhe Filarmonisë së Shtetit Baltik. Në vitin 1993, pasi institucioni u nda, u shfaq Opera Baltike.

Në vitin 2013 ajo fitoi çmimin “Grand Prix” në Konkursin “Elena Nikolai” në Bullgari. Që në fillim, audienca në vende të ndryshme u mahnit nga zëri i saj i kultivuar. Pas debutimit operistik në Teatrin e Operës në Tiranë me rolin e Liu-s nga “Turandot” e Puccinit në vitin 2011, ajo mori angazhime në teatro operistike dhe festivale ndërkombëtare. 

Besa Llugiqi u shfaq në skenë me rolin e Donna Elvirës nga “Don Giovanni” i Mozartit, atë të Laurettës nga “Gianni Schicchi” të Puccinit,  Mimisë nga “La Boheme” të Puccinit dhe Lucias nga “Lucia di Lammermoor”  të Donizettit”, si dhe me rolin e Violetës nga “La Traviata” të Verdit me të cilin edhe shënoi histori duke interpretuar kryeprotagonisten e produksionit të parë operistik të Operës së Kosovës. 

“Thaïs” është lirikë komedie me tri akte dhe shtatë tablo. Ajo u shfaq për herë të parë në “Opera Garnier” në Paris më 16 mars 1894. Sipas kritikës, roli kryesor është jashtëzakonisht i vështirë për t’u kënduar dhe është i rezervuar vetëm për interpretuesit më të talentuar. 
Llugiqi ka përmbledhur rrëfimin e operës. 

“Thais është një kortezane që beson në dashuri. Rrugës, për shkak të jetës që bën, një murg krishter mundohet ta largojë nga mëkatet që bën dhe të kthehet drejt rrugës ku është më e denjë, e drejtë, ku nuk lëndon të tjerët dhe ku shpirtërisht orientohet në diçka hyjnore dhe jo materiale. Me gjithë mundin që bën, murgu përfundimisht dashurohet në Thais”, ka thënë ajo duke theksuar se dashuria triumfon në fund, ndonëse me fund tragjik. 

“Ajo shndërrohet në murgeshë dhe në momentin e fundit kur takohen pas shumë peripecive, vdes në krahët e murgut të dashuruar në të. Jep një mesazh që pavarësisht të gjithave, megjithatë dashuria është ajo që duhet të triumfojë”, ka shpjeguar sopranoja Besa Llugiqi. 

Opera Baltike në Gdansk daton si institucion që nga viti 1949 si Studio e Muzikës dhe Dramës. Po atë vit u themelua edhe Studio Opera e Filarmonisë Baltike. Në vitin 1953, të dyja u bashkuan nën emrin e Opera dhe Filarmonia e Shtetit Baltik. Në vitin 1993, pasi institucioni u nda, u emërtua si Opera Baltike.

Këtë insittucion, Llugiqi gjatë karrierës së saj ka interpretuar dhe bashkëpunuar me shumë shtëpi operash dhe orkestra si Filharmoninë e Sofjes e Operën Shtetërore të Stara Zagoras. 

Po me këtë institucion, këtë muaj ka interpetuar si Margarita nga opera “Faust” të Charles Gounod në Operën Shtetërore të Stara Zagorës në Bullgari. Shfaqjen e operës më 4 prill, Llugiqi e ka konsideruar madhështore.  

“Është një produksion që ata kanë realizuar jo vetëm për ndërtimin e kastit, muzikës, por është shpenzuar edhe një shumë marramendëse në ndërtimin e skenografisë për t’u shndërruar në një teatër të kukullave. Kryesisht secili prej nesh e ka pasur një rol të kukullës aty. Jemi dukur më shumë si kukulla dhe jo si një artist me përfaqësimin e një kostumi. Ideja ka qenë shumë e bukur dhe shumë interesante për kohën. Besoj se do të ripërsëritet në tetor dhe në nëntor. Është një rol që për mua është jashtëzakonisht i rehatshëm dhe i shkon shumë kapacitetit tim vokal”, ka thënë ajo. 

Në 100-vjetorin e Teatrit të Operës Stara Zagora, Llugiqi është vlerësuar për kontributin e dedikimin artistik për dhjetë vite. 

“Kam marrë çmim për kontributin tim aty, kam marrë një medalje si një lloj falënderimi e mirënjohje për kontributin në atë teatër. Natyrisht se jam ndier jashtëzakonisht e vlerësuar, sepse nuk e kam pritur. Është bukur kur vlerësohesh për punën që bën”, është shprehur Llugiqi. 

Në Gdanskun që njihet si kryeqyteti qelibar i Detit Baltik, publiku do të rrëmbehet me magjinë e zërit të Besa Llugiqit edhe të martën.