Artefakti tetë shekuj i vjetër në nderim të Jezus Krishtit do të qëndrojë në muzeun e Mbretërisë së Bashkuar pas mbledhjes së suksesshme të fondeve për blerjen e tij
Një figurë e bukur e gdhendur në fildish që daton prej shekullit XII dhe konsiderohet si një “objekt thelbësor i artit anglez”, do të vazhdojë të mbetet në Mbretërinë e Bashkuar, pasi muzeu “Victoria & Albert” arriti me sukses që t’i mbledhë 2 milionë funte (2.3 milionë euro) për ta blerë atë.
Skulptura 18 centimetra e lartë besohet të jetë gdhendur në York më shumë se 800 vjet më parë dhe paraqet Jozefin e Arimateas duke e ngritur me kujdes trupin e Jezus Krishtit nga kryqi.
Kjo vepër e vlefshme arti, për 40 vjet, deri në vitin 2022, i ishte huazuar muzeut “Victoria & Albert” në Londër, por zotëruesit e saj ia shitën Muzeut Meropolitan të Artit në New York për një çmim prej 2 milionë funtesh. Drejtuesit e muzeut “Victoria & Albert” njoftuan në muajin shkurt se do të mundohen t’i mbledhin fondet për blerjen e kësaj vepre dhe të premten njoftuan se e kanë bërë këtë me sukses.
Tristram Hunt, drejtor i muzeut “V&A” në Londër, ka thënë se fushata për mbledhje fondesh kishte qenë jetike për ta siguruar këtë “eksponat me peshë të artit anglez”.
“Është madhështore. Ne shpesh nënvlerësojmë veprat nga periudha e hershme mesjetare, por këtu e shihni një delikatesë të jashtëzakonshme në gdhendje, që të transmeton shumë emocione”, ka thënë ai.
Skulptura vlerësohet lart nga specialistët mesjetarë dhe konsiderohet jashtëzakonisht e rëndësishme.
Sandy Heslop, eksperte e epokës mesjetare në Universitetin e Anglisë Lindore, e përshkroi atë për gazetën “Art” si “pasqyrimi i parë i butësisë në një vepër arti”.
Për figurën e gdhendur, historiani dhe autori Tom Holland deklaroi: “Është aq e bukur, aq prekëse dhe më e çmuar për faktin se është kaq shumë e rrallë”.
Skulptura konsiderohet si një nga shembujt më të mirë dhe më të rëndësishëm të fildishit romanik anglez që ende ka mbijetuar, duke u çmuar për mishërimin e ndjenjave të vuajtjes njerëzore, ndjeshmërisë dhe dhembshurisë. Figura duhet të ketë qenë pjesë e një tabloje më të madhe dhe një prej arsyeve kryesore pse muzeu ishte kaq i vendosur për të mbledhur paratë për blerjen e saj, ishte fakti se e posedonte të vetmen pjesë tjetër të mbijetuar nga ajo epokë kohore. Skulptura e gdhendur e Judës në “Darkën e Fundit” u zbulua në një shtëpi në Wakefield në vitin 1769, dhe më 1949-tën u bë pjesë e koleksionit të muzeut “Victoria & Albert”. Blerja e kësaj vepre nënkupton se mund të shfaqet sërish krahas skulpturës së Judës.
Hunt ka thënë se për shkak që skulptura ishte e huazuar, asnjëherë nuk i ishte bërë vlerësimi i mjaftueshëm nga muzeu “V&A”.
“Tani mund ta bëjmë këtë. Mund t’ia japim ekspozimin që e meriton”, ka thënë ai.
Fondet e mbledhura përfshijnë 700 mijë funte nga Fondi Përkujtimor i Trashëgimisë Kombëtare, i cili i dedikohet ruajtjes së thesareve kombëtare.
Kryetari i fondit, Simon Thurley, ka thënë se ishte i emocionuar që falë mbështetjes së tyre kjo skulpturë do ta sigurojë vendin e përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe një shtëpi në muzeun “V&A”, në mënyrë që publiku të mund ta shijojë atë në përjetësi. Ai deklaroi se ishte një objekt “i bukur dhe ekspresiv, dhe një nga veprat më të rëndësishme angleze që ka mbijetuar nga periudha romane”.
Donacione të hollash kanë ardhur edhe nga disa fondacione dhe individë, si dhe nga Fondi i Artit.
Skulptura kishte qenë pjesë e koleksionit të koleksionistëve dhe tregtarëve të artit, John dhe Gertrude Hunt, pas vdekjes së të cilëve u kishte kaluar trashëgimtarëve të tyre.