Dy aleatët e dikurshëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe János Hunyadi janë “ribashkuar” pas më shumë se pesë shekujve. Si dhuratë e Bashkisë së Tiranës, busti i punuar nga skulptori Agim Rada – duke e riprodhuar modelin e mjeshtrit Odhise Paskali – ka zënë vend në zemër të Budapestit dhe Evropës Qendrore si shenjë e miqësisë shumëshekullore shqiptaro-hungareze
Për dy dekada me radhë, heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe prijësi i shquar ushtarak hungarez, János Hunyadi përfaqësonin shpresën e të gjithë Evropës për t’i bërë ballë pushtimit osman. Aleanca dhe miqësia e lidhur në kohëra të pazakonta dhe e sfiduar nga gjithëfarë vështirësish shkroi kapitullin e parë të marrëdhënieve shqiptaro-hungareze që vazhduan ndër shekuj.
Duke evokuar këtë miqësi të thellë, busti i Skënderbeut nga tash e tutje do të jetë pjesë e pandarë e parkut qendror “Városliget” në Budapest.
Si dhuratë e Bashkisë së Tiranës, vendosja e bustit të heroit kombëtar shqiptar është vlerësuar njëzëri si një ngjarje historike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
I bërë sipas modelit klasik të mjeshtrit Odhise Paskali, busti është vepër e skulptorit të njohur tiranas, Agim Rada.
Jo larg kështjellës impozante “Vajdahunyad vára”, busti i heroit shqiptar, me lejen e autoriteteve të kryeqytetit hungarez, zë një nga vendet qendrore të parkut të Budapestit, tek ura që lidh dy pjesët e mëdha të kësaj zone rekreative.
Me një solemnitet madhështor të intonimit të himnit të të dyja vendeve – me praninë edhe të pjesëtarëve të Gardës hungareze të Nderit – shiritin e bustit e kanë prerë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe homologu i tij në Budapest, Gergely Karácsony.
Spasse: “Heronjtë po ritakohen në zemër të Budapestit”
Në ceremoninë e mbajtur mëngjesin e së hënës, transmetuar online, ambasadori shqiptar në Budapest, Arian Spasse, ka vlerësuar se ky projekt mbart simbolikën e miqësisë shekullore mes shqiptarëve dhe hungarezëve. Më këtë rast, ai e ka cilësuar përurimin si ditën më të rëndësishme të karrierës së tij diplomatike në Budapest.
“Po bindem përherë e më shumë se Skënderbeu është heroi i të gjithë evropianëve që besojnë te qëndresa për një ideal të çmuar siç është liria”, ka thënë Spasse.
Duke e cilësuar bustin si një “piramidë” që ka kontributin e shumë shqiptarëve dhe hungarezëve, ai ka shtuar se rrethanat e kohës e kishin bërë të pamundur që Skënderbeu të takohej me heroin hungarez në fushë të betejës.
“Por jam i lumtur që bashkërisht ia arritëm t’i kapërcenim pengesat dhe t’ua mundësojmë heronjve tanë të takohen këtu, në këtë vend simbolik, në zemër të Budapestit”, ka shtuar ambasadori Spasse.
Veliaj: “Momente të krenarisë”
Me një fjalë rasti u është adresuar të pranishmëve edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka vlerësuar se kjo ceremoni shënjon një histori marrëdhënieje dhe mbështetjeje të ndërsjellë tepër të gjatë midis dy vendeve.
“Jam i nderuar që jam i pranishëm në këtë takim pasardhësish të heronjve kombëtarë respektivë, madhështia e të cilëve, personaliteti e kontributi i tyre i kapërcejnë kufijtë e një kombi duke u bërë domosdoshmëri jetike për Evropën mbarë, tejet të rrezikuar në një kohë kritike siç ishte ajo e mesit të mijëvjeçarit të dytë”, ka thënë Veliaj.
Sipas tij, Skënderbeu shqiptar dhe “Janko” hungarez kishin mes vete atë që latinët e quanin “Vera fraternitas”, e që u ndërpre vetëm nga vdekja e udhëheqësit hungarez.
“Koha ikën, vrapon, rrjedh si rëra nëpër gishta, dhe ne nuk e ndalim dot, por ne ndihemi me fat, nëse kur e kthejmë kokën pas, si ne shqiptarët ashtu edhe ju hungarezët, ndiejmë momentet tona të krenarisë tek e shohim të shkuarën plot me ngjarje, emra, personazhe, heronj e prijës, me të cilët na vjen mirë të identifikohemi”.
Më tej, kryebashkiaku i Tiranës ka thënë se të dy udhëheqësit ishin të vendosur që rrezikun që i kanosej ekzistencës së Evropës jo vetëm ta mposhtnin, por edhe ta asgjësonin.
Me këtë rast, ai i është referuar edhe Betejës së dytë të Kosovës, kur Hunyadi iu jepte shpresa pasuesve të tij të dëshpëruar se Skënderbeu do të mbërrinte nga çasti në çast me trupat e tij.
“Të dy ishin udhëheqës karizmatikë dhe duhet të kenë pasur nderim të ndërsjellë për njëri-tjetrin dhe për dy dhjetëvjeçarë, siç shkruan Oliver Jens Schmitt, pati shpresa të mëdha te Hungaria dhe jo më pak pati shpresa Hungaria te prijësi arbër”, ka theksuar Veliaj.
“Si dy miq”
Në vazhdim të fjalimit, kryebashkiaku e ka quajtur “më të bukur” vazhdimësinë e miqësisë edhe kur udhëheqësi hungarez vdiq më 11 gusht 1456. Vetë Papa Kaliksti III ia kishte kujtuar me anë të një letre të birit të Hunyadit, Matthias Corvinus, që të shihte nga “zoti fisnik Skënderbe në Arbëri”.
Ndërsa ka paralajmëruar se projekti i radhës në Bashkinë e Tiranës do të jetë vendosja e bustit të mbretëreshës hungareze, Géraldine Apponyi, në sheshin para Ministrisë së Drejtësisë, Veliaj ka shtuar se dhurata e Tiranës për Budapestin “përputh skajet, të djeshmen e largët më të tashmen”.
“Nga sot imazhi i Skënderbeut tonë në fqinjëri me Jankon tuaj, në të njëjtin park, si dy miq me nderim të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, është shenja e një miqësie me rrënjë të hershme që vazhdon e do të vazhdojë gjithmonë”, ka përfunduar ai.
Karácsony: “Një lidhje e fortë”

Edhe kryetari i Budapestit, Gergely Karácsony, në fjalën e tij, është shprehur i lumtur për dhuratën e bërë nga Bashkia e Tiranës. Sipas tij, sa më shumë pengesa e vështirësi dalin para një qëllimi, aq më me sukses realizohet një projekt.
“Ky bust përfaqëson një lidhje të fortë midis dy kryeqyteteve”, ka thënë Karácsony teksa ka vënë në dukje bashkëpunimin mes Tiranës dhe Budapestit në projekte publike që kanë të bëjnë me ujin.
Në momentet në vazhdim, sopranoja e njohur shqiptare Alisa Katroshi ka interpretuar para të pranishmëve veprën operistike “Skënderbeu” të kompozitorit, Prenk Jakova.
Meta: “Miqësi me rrënjë të thella në histori”
Duke falënderuar për ftesën e bërë presidentin hungarez, János Áder, kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, ka theksuar se nuk ka figurë historike e cila simbolizon dhe mishëron më shumë “rrënjët e miqësisë dhe të aleancës midis dy popujve tanë” sesa heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
“Lidhjet dhe aleanca e heroit tonë kombëtar me prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur politik të Hungarisë, por dhe të mbarë Evropës Qendrore, Janosh Huniadi, janë legjendare”, ka thënë Meta. “Lidhjet dhe bashkëpunimi njëzetvjeçar midis familjeve fisnike të Kastriotëve dhe prijësit të tyre Skënderbe me familjen fisnike të Huniadëve dhe prijësit të tyre Janosh, janë dëshmia e rrënjëve të thella dhe solide të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij hungarez”.
Me këtë rast, kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar se edhe sot, si në kohën e aleancës së dy prijësve, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Jemi krenarë që vitin që vjen do të kremtojmë së bashku 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona”, ka shtuar Meta.
Vite përpjekjesh
Përndryshe, vendosjen e bustit të Skënderbeut e kishte paralajmëruar në fillim të qershorit edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Budapest, ku takoi homologun e tij hungarez, Viktor Orbán.
Në vizitën që kishte bërë në parkun e Budapestit, ku ishte vendosur piedestali i bustit, Rama e kishte vlerësuar vendin e zgjedhur si “shumë pikant, nuk është dosido”.
“E vetmja gjë që po mendoj është të bëhet një lloj tapeti me beton me pigmente kuqezi që të çojë syrin te skulptura”, kishte thënë Rama.
Ndërkaq, ideja për vendosjen e bustit të heroit kombëtar shqiptar ishte përmendur prej vitesh. Një vepër e bërë nga skulptori hungarez, Mihaly Gabor, kishte zgjuar reagime të forta në rrjetet sociale. Vepra e bronztë ishte kritikuar se e paraqiste Skënderbeun me “pamje sllave” e në kundërshti me fizionominë e tij sikundër paraqitej në dokumente e vepra të kohës.
I lindur një vit më vonë se Skënderbeu, më 1406, János Hunyadi ishte një nga komandantët më të shquar ushtarakë hungarezë dhe një nga figurat më të rëndësishme të Evropës Qendrore në shekullin e 15-të.
Sado që kishte pësuar humbje në betejat e Varnës (1444) dhe Prishtinës (1448), të bëmat e tij ushtarake, sidomos gjatë mbrojtjes së Beogradit, e etabluan atë si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës.
I njohur, njësoj si Skënderbeu, si “Athleta Christi”, Hunyadi vlerësohet si një nga udhëheqësit më të spikatur të kohës që kontribuuan në mbrojtjen e Evropës përballë pushtimit osman.