Kulturë

Sislej Xhafa: Artistët praktikojnë çmendurinë

Sislej Xhafa

“Ne që merremi me art nuk jemi të vetëdijshëm. Ne e praktikojmë çmendurinë. Ne nuk kemi racionalitet të mendimit. Ne jemi të çmendur. Normale, njerëzit na marrin seriozisht. E konfirmoj se ne jemi edhe gënjeshtarë. Edhe aty na marrin seriozisht”, ka thënë,, midis të tjerash artisti Sislej Xhafa

“Arti kosovar në botë”- qe tema e prezantimit të artistit Sislej Xhafa të enjten në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Më së paku ka folur për temën që ka përcaktuar. Nuk e ka në qejf të bëjë përshkrime a përkufizime, ta zëmë se si prezantohet arti shqiptar në botë apo deri ku ka arritur. Ka qëndruar te pyetjet që e preokupojnë atë. Edhe përkufizimet që i ka bërë janë pak të çuditshme. Ose janë aso fjalësh që zgjojnë kureshtje te të tjerët. Pra, njëfarë lloj pyetjesh

Sislej Xhafa është artist i padefinueshëm. Por definicioni i tij për artin është i prerë: Arti është provokim, artisti ngre veç pyetje. E këtë e ka elaboruar gjerë e gjatë, drejtpërdrejt e tërthorazi në prezantimin “Arti kosovar në botë” të enjten në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Më së paku ka folur për temën që ka përcaktuar. Nuk e ka në qejf të bëjë përshkrime a përkufizime, ta zëmë se si prezantohet arti shqiptar në botë apo deri ku ka arritur. Ka qëndruar te pyetjet që e preokupojnë atë. Edhe përkufizimet që i ka bërë janë pak të çuditshme. Ose janë aso fjalësh që zgjojnë kureshtje te të tjerët. Pra, njëfarë lloj pyetjesh. 

“Ne që merremi me art nuk jemi të vetëdijshëm. Ne e praktikojmë çmendurinë. Ne nuk kemi racionalitet të mendimit. Ne jemi të çmendur. Normale, njerëzit na marrin seriozisht. E konfirmoj se ne jemi edhe gënjeshtarë. Edhe aty na marrin seriozisht”, ka thënë një prej artistëve shqiptarë më të njohur në botë. Sipas Xhafës, të gënjesh do të thotë ta shfrytëzosh magjinë e imagjinatës për diçka që nuk ka ekzistuar. 

“Por normal në politikë, ekonomi e shëndetësi nuk guxojmë me gënjy. Por në art e kemi atë komoditetin e gënjeshtrës”, ka thënë Xhafa, i cili ka ekspozuar gjithandej botës, dhe goxha vepra të tij janë pjesë e artit publik në qendra të mëdha.

Koha si përcaktues vlerash

Në botëkuptimin e Xhafës, i lindur në Pejë e që tash jeton në New York, veprat e artistëve, jo të gjitha, dhe në mënyrë të pavetëdijshme për artistin, ka mundësi ta shpikin një kohë të veten 50, 100 a 200 vjet pas krijimit. Sipas tij, nuk është qëllimi i artistëve aty, por vepra evoluon pa qenë i vetëdijshëm për këtë krijuesi i saj. Ka marrë disa shembuj për këtë, e midis tyre edhe veprat e spanjollit Francisco Goya që ka jetuar në shekujt 18 dhe 19. Në botëkuptimin e Xhafës veprat e artistëve të mëdhenj publiku i sheh në një kontekst tjetër kohor. 

“Edhe, e kuptojmë që koha në momentin kur jetojmë ju përshtatet. Goya për shembull e ka zhveshur mbretërinë ku ka jetuar e dhunën që ka qenë. Ajo dhunë tash është prezente. Është e freskët”, ka thënë artisti, i cili në vitin 2017 e ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arrtit në Venecia me veprën “Lost and found”, ku ka ngritur pyetje për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë. Xhafa marrëdhënien me këtë ngjarje botërore e ka më të vjetër. Më 1997, i veshur me fanellën e Kombëtares shqiptare të futbollit, me një flamur të ekspozuar mbi çantën e krahut kishte provokuar me top futbolli të pranishmit dhe krejt këtë e kishte titulluar “Albanian Clandestine Pavilion”, duke protestuar se përse Shqipëria nuk është pjesë e Bienales. Kishte marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare. Madje ajo performancë e arkivuar nëpërmjet fotografive për shumë artistë është vendi dhe koha e lindjes së artit bashkëkohor ndër shqiptarë. Liria e tij krijuese ka kohë që ka prekur dimensione goxha iluzionare.

Burka, liria dhe transformimi estetik i grave

Për lirinë ka folur gjatë në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë. Ka thënë se në vitin 1999 Kosova e ka fituar lirinë, dhe s’ka dyshim për këtë. Ka treguar se gjithmonë e ka preokupuar pyetja se çfarë është liria, përderisa ka jetuar në vende si Italia, Britania e Madhe e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Gjithmonë e kam pyetur veten se a është e mundshme që lira të diktohet nëpërmjet një sistemi të konsumit. Pra, qysh diktohemi ne? Si ne shndërrohemi në gjenerata skizofrenikë të teknologjisë duke e diktu lirinë tonë nëpërmjet telefonave? Dhe ne mendojmë se jemi të lirë. Por ideja e lirisë është e rëndësishme. Ne besojmë në të. Idetë janë shumë më të rëndësishme se liria”, ka thënë ai. Ka shpalosur një përvojë të vitit 2003, kur kishte shkuar në Afganistan për të mbajtur një punëtori. Do të shihte nënë e bijë me burka dhe do t’i pyeste përse i mbajnë ato, pasi shteti i tyre ishte vend i lirë prej vitit 2001. 

“’Kemi vendosur vetë që ta mbajmë burkën’, iu përgjigjën. Nuk e besoj këtë pasi shoqëria ndikon. Janë shumë faktorë. Dhe më thanë: ‘Po e ndiejmë veten të lirë pasi nuk shndërrohemi në objekt të meshkujve’”, ka kujtuar Xhafa, i cili më 2013 ishte midis artistëve që kanë përfaqësuar Italinë në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias. 

“Thashë më vete: paramendo po e ndien veten të lirë. Nisa të mendoja çka është për ne liria në këtë rast? Çka është burka jonë në kontekstin e shoqërisë perëndimore?”, është shprehur ai. Më pas ka thënë se ata që punojnë në institucione kanë një kod të veshjes dhe kravata në këtë rast është njëfarë burke. I është kthyer shoqërisë së konsumit dhe në këtë rast ka marrë një tjetër shembull. 

“Ose burkë e jona mund të jetë transformimi estetik i femrave që po ndikohet nga shoqëria konsumiste. Normal, është zgjedhje e saj, por prapë, a është edhe ajo njëfarë burke? Pra, a është njëfarë ndikimi, një kushtëzim i lirisë. Kjo është e diskutueshme normalisht”, ka thënë ai. Për Xhafën janë dy momente kur njerëzit janë të lirë, kur shohin ëndrra dhe kur dashurojnë. 

“Krejt të tjerat janë kushtëzime”, ka thënë ai. 

Lirinë Xhafa e ka trajtuar shumë në veprat e tij. Edhe në ato që janë në hapësira publike. Ka thënë se ata që merren me art mendojnë se janë të lirë, por nuk është kësisoj. Ka thënë se thjeshtë mundohen që me veprat e tyre të materializojmë diçka specifike. Ka cituar filozofin gjerman Martin Heidegger kur e lidh lirinë me konceptin e vdekjes dhe thotë: “Përballë me vdekjen është një moment vendimtar për qenien njerëzore”. Sipas Xhafës, ai argumenton se vetëm duke pranuar përballjen me vdekjen mund të arrihet një liri e vërtetë ekzistenciale. 

“Ne sot jemi të lirë, por liria nuk është e gatshme. Duhet menduar në mënyrë kreative në çdo fushë. Ne kemi mentalitet unik, dhe kjo është pasuri. Duhet ta konsiderojmë si vlerë”, ka thënë ai.  

Olimpi si vend i perëndive jo të rrejshme

Lira e Xhafës në shprehjet e tij artistike është muhabet më vete. Të shumtë mund të jenë ata që artistët e artit bashkëkohor nuk i marrin edhe aq të thellë e as fort me vlerë, sidomos në vende të vogla ku civilizimi është i vonë. Por Xhafa është dëshmi e të kundërtës. Dëshmi vizuale ka dhënë kaherë e fort përmbajtjesore. Por të enjten edhe ka bërë elaborime. Ka thënë se nuk e ka thellësinë e gjuhës, por si artistët e tjerë ka një thellësi vizuale të komunikimit. 

“Deri sot kam qenë më i lirë në mendim duke mos hy në kornizat e gjuhës. Gjithmonë kemi me rezistu për të ekzistu. Janë dy momente të bukura, kur fëmijët lindin dhe njeriu vdes, krejt të tjerat midis tyre janë kaos total”, ka thënë Xhafa, i cili nga Akademia e Arteve të Bukura në Firence është nderuar me titullin “Nderi i Akademisë”. 

Emocionet i ka përshkruar si diçka që vijnë me lindje e ndjenjat si diçka që duhen kultivuar. Ka marrë shembull grekët e dikurshëm që i kanë përçuar emocionet e ndjenjat nëpërmjet mitologjisë. Ka treguar se ata kanë ndërtuar një sistem të tërë simbolesh e personazhesh që përfaqësojnë përvojat e ndryshme njerëzore, si pushtetin, inteligjencën, seksualitetin e të tjera. 

“Këto simbole kanë qenë për t’i dhënë kuptim jetës. Olimpi ka qenë jo si një vend i perëndive të rrejshme – askush nuk e ka parë Zotin këtu, por të gjithë besojnë, edhe ata që nuk besojnë, besojnë – e grekët e kanë ndërtuar Olimpin si një vend për shprehje të ndjenjave e emocioneve”, ka thënë ai.  
E ka cituar Eskilin se “dhimbja është një gabim i mendjes që nuk ka referencë”. E me këtë i ka hapur vetes rrugë për të dalë në “kapitullin” tjetër të prezantimit.  

Arti është e vetmja formë e demokracisë

Për Xhafën arti gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Sipas tij, shumë është e rëndësishme që vlera të bazohet në aspektin e qëndrimit kritik që është i ashpër e që krijon një dimension të pjesëmarrjes. 

“Arti është e vetmja formë e demokracisë që i besoj. Është hapësirë ku me një akt e dërgojmë personin në dimension tjetër. Pastaj ditë pas dite veprën e sheh ndryshe. Kur e sheh veprën e artit dhe e ndien, s’ke çfarë thua. E kupton racionalitetin në veprën e artit që është irracionale”, ka thënë ai. Gjeneratat e reja të artistëve i ka inkurajuar që të mos presin asgjë prej askujt, por gjithmonë ta mendojnë veten “si qen endacakë, llaskuca”. “Unë jam krenar që jam qen endacak. Gjithmonë kam qenë vetëm. Por ajo vetmi më ka dhënë mundësinë që të konfrontohem me veten. Që të bëj një vepër dhe ta shkatërroj atë një minutë para ekspozitës. Ky konflikt i brendshëm është vlerë”, ka thënë ai, dhe menjëherë pas kësaj ka shtuar se qëllimi nuk është i rëndësishëm, por përvoja është e rëndësishme. Ka këshilluar, po ashtu, që veprat e artit të kenë çmim për ata që duan t’i  kenë pasi nuk janë bukë. 
“Është me rëndësi të kuptohet integriteti i veprave që reflektojnë idenë”, ka thënë Xhafa. Përballjen me një vepër arti e ka përshkruar si ndjenjë të bukurisë që nuk është thjesht vetëm një kontakt me një dimension, por ka shumë dimensione. Një dimension, sipas tij,  është që autori aty ka futur të gjitha ndjenjat dhe çmendurinë e tij për të krijuar diçka të veçantë dhe të pazakontë. “Diçka irracionale, të freskët, por pa vlerë. Nuk ia dimë vlerën, pasi vlera është proces kohor. Freskia është me rëndësi. Me e pyet artistin, kur ja shpjegon veprën dikujt, mund ta dëshpërojë atë person pasi nuk është ajo që e ka menduar ai vetë”, ka thënë Xhafa. Më pas ka treguar se bazuar në këtë ka pasur rast kur ka ikur nga galeritë dy minuta pa u hapur ekspozitat si respekt ndaj publikut, pasi prezenca e tij është ambiguitet për ta. 

“Dhe nëse unë besoj në këtë evolucion e dinamikë të demokracisë, atëherë jam i fundit që duhet me ja kidnapu dikujt kureshtjen”, ka thënë ai. Këtu ka bërë një krahasim duke shtuar se askush kur i lexon veprat e shkrimtarëve si Marquez a Pamuk nuk i merr ata në telefon nga shtrati për t’i konsultuar. 
“Për fund dua ta cek se Ludwig Josef Johann Wittgenstein ka thënë: ‘Kufijtë e gjuhës sime, janë kufijtë e botës sime’, ka thënë Xhafa, për t’iu hapur rrugë komenteve e pyetjeve të njerëzve përballë.  

Hyjnesha në pushim

Sislej Xhafa ka dizajnuar logon e Seminarit për këtë edicion dhe aty shihet “Hyjnesha në fron” e shtrirë me kokë në jastëk. 

“Hyjnesha është lodhur pas 50 vjetëve dhe kam dashur që ajo të flejë pak, të pushojë”, ka thënë ai. Ka marrë pyetje nga disa profesorë universitarë, dhe në bazë të pyetjeve është marrë vesh  më së lehti, pak ia kanë kuptuar prezantimin dhe botëkuptimin e tij krijues.  

“Nëse ne e kemi një mit për Hyjneshën dhe e sheh pak të pazakonshme, por është gjithnjë vigjilente. Vigjilenca është shumë relative. Jo veç njeriu me pushkë është patriot. Definimi i një simboli dhe evolucioni na e lejon freskinë dhe të mos jemi statikë. S’ka asgjë statike”, ka thënë ai derisa ka dhënë sqarime për dizajnin e tij. 

Një nga të pranishmit e ka pyetur atë se ku e sheh rëndësinë, “më shumë te imazhi, fiksioni apo gjallëria, që nënkupton ndryshimin”. Pas pyetjes Xhafa i ka kërkuar që të prezantohet. Dhe inxhinieri i makinerisë ka thënë të jetë edhe përfaqësues i disa shoqatave, midis tyre edhe i Lëvizjes së Deçanit për braktisjen e fesë islame. 

“Unë po e çmoj tepër pyetjen se është shumë serioze. Por juve ju sugjeroj: kënaquni, qeshuni, vetëm kënaquni”, ka qenë përgjigjja e Xhafës. 

Kur është pyetur nëse artisti duhet të krijojë për shije të publikut apo të imponojë shije, përgjigjja e tij ka qenë goxha ekstreme. Ka treguar se po e përgatit një projekt në Preshevë dhe gjithçka do të zhvillohet në mesnatë. 

“Aty do të ketë ndodhi pas mesnatës, duke mos pasur asnjë njeri në publik. Pra, publik fantazmë. Veç natën, kur krejt flenë. Kaq është e rëndësishme audienca. E rëndësishme është përvoja që ata marrin”, ka thënë ai. E përvojat që Xhafa i shkakton nëpër botë me veprat e tij janë të çuditshme, por njëkohësisht tejet të thella. Të enjten edhe e ka shpjeguar se përse e bën këtë. Edhe shpjegimet i ka pasur njëfarë vepre të artit. Aso të Sislej Xhafës.