Festës në Vjenë me të cilën është shënuar 200-vjetori i “Simfonisë së nëntë” të Beethovenit i ka dhënë frymë edhe Kosova nëpërmjet korit “Siparantum”, kur i është bashkuar Orkestrës Simfonike të Vjenës dhe korit “Singakademie” pikërisht në datën kur më 1827 ishte dhënë edhe premiera e kësaj vepre. Sukses historik është cilësuar kjo pjesëmarrje. “Jemi jashtëzakonisht të lumtur që në këtë ngjarje të madhe, në këtë skenë prestigjioze, me rastin e shënimit të 200-vjetorit të ‘Simfonisë së nëntë’ të Beethovenit, jemi ngjitur edhe ne”, ka thënë dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi
Në 200-vjetorin e “Simfonisë së nëntë” të Ludwig van Beethovenit, katër qytete evropiane kanë pasur festë. Në Milano, Lepizig, Paris dhe Vjenë është luajtur ajo që llogaritet të jetë njëra ndër veprat më të rëndësishme vokalo-instrumentale të muzikës klasike. Vepra është përgatitur nga orkestrat më të mira të këtyre qyteteve dhe formacionet korale që i japin zë “Odes së gëzimit”, i shquar si himn i Evropës.
Këtë festë e ka ndihmuar edhe Kosova nëpërmjet korit “Siparantum”. Anëtarët e këtij formacioni koral të martën kanë interpretuar me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe korin “Singakademie”. I janë bashkuar koncertit simbolik pikërisht në qytetin ku më 7 maj 1827 ishte dhënë edhe premiera e kësaj vepre, më e njohura e kompozitorit gjerman që u lind në Bonn dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Vjenë.
Anëtarët e “Siparantumit” për tri net radhazi, me 30, 31 dhjetor dhe 1 janar, kishin interpretuar në Sallën Koncertale të Vjenës pikërisht këtë vepër në kuadër të të njohurve “Silvster Concerts”.
Por kësaj radhe simbolika ishte tjetër. Nën dirigjimin e maestros Petr Popelka Orkestra, Simfonike e Vjenës së bashku me dy formacionet korale ka festuar përvjetorin e veprës e njëkohësisht kanë nderuar njërin prej kompozitorëve të mëdhenj të muzikës klasike.
Kthimi në Vjenë për anëtarët e Korit nga Kosova është përshkruar si diçka përtej një interpretimi.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që në këtë ngjarje të madhe, në këtë skenë prestigjioze me rastin e shënimit të 200-vjetorit të ‘Simfonisë së nëntë’ të Beethovenit, jemi ngjitur edhe ne. Pa dyshim që ky është suksesi më i madh i arritur ndonjëherë në muzikën korale te ne dhe aq më shumë që kjo vjen nga kori ‘Siparantum’, i cili ka më pak se 8 vjet. Jam shumë i lumtur që puna jonë po vlerësohet kudo dhe kjo e bën të shenjtë punën dhe pa dyshim që ky është një motiv shtesë që ne të vazhdojmë tutje”, citohet dirigjenti dhe udhëheqësi artistik i “Siparantum”, Memli Kelmendi, në komunikatën e Korit. Kelmendi i ka thënë KOHËS se bashkëpunimet e tilla pos që njohin vlerat e Korit janë edhe një mundësi tejet e mirë për të formësuar edhe më nivelin artistik të ansamblit që drejton.

“Ne nuk kemi mbushur ende 10 vjet dhe pjesëmarrja gjatë festave të fundvitit në koncertet bashkë me Orkestrën Simfonike së bashku me korin ‘Singakademie’ qe një mundësi e madhe për ne. Kthimi ynë në të njëjtin vend ishte edhe një vlerësim për ne. Por njëkohësisht edhe mundësi shumë e mirë që të zhvillohemi edhe më shumë pasi Vjena është qendër botërore e muzikës klasike”, ka thënë ai nëpërmjet një lidhjeje telefonike. Sipas Kelmendit, përvojat e tilla i bëjnë anëtarët e Korit që të punojnë edhe më shumë në synimet që kanë. Ka thënë se sivjet do të jenë të pranishëm edhe në disa qendra të tjera evropiane.
Koncerti i Vjenës është transmetuar drejtpërdrejt edhe në televizionin gjermano-francez “Arte”. Ky medium i njohur për pasqyrim të kulturës gjithandej Evropës, transmetimin e ka shoqëruar me komentim në fillim dhe në fund të koncertit. Pamjet janë madhështore.
Pas koncertit, sipas komunikatës së “Siparantum”, maestro Heinz Ferlesch, dirigjenti i korit “Singakademie” nga Vjena, e cilësoi pjesëmarrjen e Korit nga Kosova si një moment shumë të rëndësishëm.
“Ardhja juaj nga Kosova është një shenjë e rëndësishme këtu, pasi para 25 vjetësh vendi juaj ishte në luftë. Kjo është një shenjë shumë e rëndësishme për ju dhe shtetin tuaj, duke treguar se përmes muzikës, bashkëpunimi dhe ndërtimi i një realiteti të ri është i mundur. Faleminderit të gjithë anëtarëve të korit ‘Siparantum’ për kontributin në këtë koncert të mrekullueshëm”, citohet të ketë thënë ai.
Në festat e fundvitit, në një deklarim për KOHËN, Ferlesch kishte vlerësuar lart nivelin e anëtarëve të Korit nga Kosova.
“Simfonia e nëntë” e Beethovenit shihet si vepër monumentale në historinë e muzikës. E kompozuar në periudhën e fundit të jetës së Beethovenit, sipas studiuesve të muzikës, “Simfonia...” tregon një thellim emocional dhe një qëllim humanist.
Kjo vepër te pjesa vokale ka poemën “Oda gëzimit” të Friedrich Schillerit. Ekipi i KOHËS gjatë koncerteve të fundvitit në Vjenë kishte raportuar se nën lojën madhështore të Orkestrës ishte bërë e mundur që energjia të kaplojë tri nivelet e sallës së artë duke e futur publikun në rrugëtimin e veprës së shkruar në vitet ’20 të shekullit XIX. Është ambient ku e magjishmja dhe realja ecin paralel dhe nuk dihet kush kujt ia merr anën. Por muzika e ka këtë fuqi, e bën publikun që të prekë horizonte të ndryshme. Salla e Koncerteve në Vjenë, që është edhe shtëpia e Orkestrës Simfonike të këtij qyteti ishte inauguruar më 1913 pikërisht me “Simfoninë e nëntë” të Beethovenit, në praninë e perandorit Francis Joseph I. Në atë mbrëmje ishte interpretuar edhe “Festliches Präludium op. 61” e Richard Straussit.
Në një hark kohor brenda katër muajsh, edhe Kosova ka lënë gjurmët e saj në këtë hapësirë, të martën edhe me mundësi që koncerti të ndiqet drejtpërdrejt live gjithandej. E shteti më i ri në Evropë këtë e ka bërë nëpërmjet korit “Siparantum”.