Kulturë

“Siparantumi” aterron nga skenat botërore për harmoni me publikun vendor

Kori Ssiparantum

Koncerti nisi me një vepër të kompozuar nga dirigjenti dhe drejtori artistik i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi. “Ex Alpes” erdhi si homazh për traditën malësore shqiptare me zërin e Arbana Lushajt dhe tingujt plot patos të tupanit të Fidan Strumcakut (Foto: MKRS)

Rrugëtimi nëpër vende të ndryshme të botës tashmë është bërë gati një lloj rutine për korin “Siparantum”, por takimi me publikun vendor është përherë një rrëfim unik. Aty gjen një tjetër ngrohtësi, veçmas te repertori shqip zërat bëhen një me ata që vijnë prej publikut. “Çdoherë kur performon pranë publikut vendas, për secilin prej nesh është një emocion tjetër, ndryshe nga paraqitjet e tjera”, ka thënë dirigjenti dhe drejtori artistik i korit, Memli Kelmendi

Me furinë e performancës së suksesshme në Poznań të Polonisë disa javë më parë, këtë herë kori “Siparantum” u kthye në shtëpi. Me audiencën e Kosovës, kori u takua në kishën “Shën Ndou” në kryeqytet, me po të njëjtin pasion e përkushtim nuk u kursyen as për audiencën vendase. Performanca e arrirë me plot dinamizëm, marrë parasysh identitetin e tyre, i cili ndërtohet dhe nga koreografitë, veç interpretimit vokal “Siparantumit” iu urua mirëseardhja me duartrokitje e ovacione qysh në fillim të koncertit. Kishat përbëjnë hapësira ku një kori i ofrohen kushtet optimale për një performancë të mirëfilltë. Një gjë e tillë u evidentua edhe me të gjitha interpretimet e korit “Siparantum”. Akustika në nivel përçonte dramatizmin e fuqinë e zërave në secilën vepër të interpretuar. Tashmë është e ditur që repertori i këtij kori është po aq i veçantë sa ai vetë. 

Koncerti nisi me një vepër të kompozuar nga dirigjenti dhe drejtori artistik i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi. “Ex Alpes” erdhi si homazh për traditën malësore shqiptare me zërin e Arbana Lushajt dhe tingujt plot patos të tupanit të Fidan Strumcakut. Nuk kishte lënë jashtë repertorit as kompozimet nga autorë të tjerë shqiptarë si Rauf Dhomi me “Të falem o dhé” dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” nga Baki Jashari. Ani pse vokali përftoi nga vëmendja e përgjithshme e të pranishmëve, koreografitë në pothuajse çdo vepër të interpretuar përbënin akte secila të veçanta nga tjetra duke shpërfaqur dhe aftësitë e Korit për angazhim në performanca që kërkojnë impenjim fizik. “Kopile moj kopile” me soliste Donika Rushiti dhe përcjellje në klarinetë nga Dior Morina dhe në piano nga Denita Dedushaj ka qenë dëshmi se repertori i Korit prek zhanre të ndryshme që nuk kufizohen vetëm në klasiken. Ndërsa “Pax” e shkruar nga Memli Kelmendi erdhi si një sinergji mes klasikes e modernes, gati si një performancë teatrore, freski për performancat e këtij lloji në Kosovë. 

Ky formacion koral, i themeluar në vitin 2017, nën dirigjimin e Memli Kelmendit, ka shënuar suksese të njëpasnjëshme. Muzikën shqipe e dërgoi në Filarmoninë e Berlinit. U paraqitën dhe në Korenë e Jugut në Lojërat Botërore të Koreve, për të vazhduar me Medalje të Artë në Lojërat Evropiane të Koreve në Suedi. Vjena qe stacioni në fundvit e pas Polonisë një pjesë e Korit fluturoi edhe në ShBA. 

Nisur nga ky itinerar i ngjeshur, një paraqitje e tillë para publikut vendas për ta, por mbi të gjitha për publikun, përbën një rëndësi të veçantë.

Nisur nga itinerari i ngjeshur, një paraqitje e tillë para publikut vendas, për “Siparanumin” por mbi të gjitha për publikun, përbën një rëndësi të veçantë (Foto: MKRS)

“Çdoherë kur performon pranë publikut vendas, për secilin prej nesh është një emocion tjetër, ndryshe nga paraqitjet e tjera, sepse njerëzit të cilët na përkrahin gjatë këtij rrugëtimi ishin këtu me ne dhe është diçka shumë e rëndësishme, është pjesë e rrugëtimit dhe misionit tonë”, është shprehur Memli Kelmendi në një prononcim për KOHËN, pas koncertit. 

Repertori që sjell “Siparanumi” kudo ku prezantohen është i mirëmenduar, ndërkaq për audiencën vendase është më i veçantë dhe i mirëpritur për shkak se shumë nga veprat shqipe i këndohen bashkë me publikun. 

“Natyrisht që çdoherë mes nesh mundohemi që të kemi parasysh që këto paraqitje të paraqesim në arenën ndërkombëtare, por edhe atë vendore. Kjo është vetëm një pjesë e repertorit tonë, nuk kemi mundur t’i prezantonim shumë nga to për shkak të festivaleve, andaj kemi konsideruar që duhet të jenë disa prej tyre, së paku të japim si një dhuratë në shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që kanë mbështetur Korin”, ka shtuar Kelmendi. 

I gjithë koncerti u përcoll nga duartrokitjet dhe admirimi i publikut gjatë repertorit të larmishëm. Duke përfshirë vepra nga kompozitorë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë që nga periudha e Rilindjes deri tek muzika bashkëkohore, ‘Siparantum” ia dha vulën një performance të veçantë për audiencën. 
Me një eksperiencë me performancat jashtë vendit, e cila tashmë është kthyer në praktikë për Korin, veçantinë e performancës në vendin e saj e shpreh edhe koristja Natyra Mehmeti. 

“Pavarësisht që ne kemi eksperiencë jashtë vendit me performancë të ndryshme, kur kthehemi në shtëpi është ndjenjë tjetër. Publiku besoj e ka shijuar shumë këtë performancë tonën, sidomos veprat në gjuhën shqipe. Këto vepra i absorbon më lehtë dhe shumica kënduan me ne. Ne kemi potencial të jashtëzakonshëm dhe po shfaqim më së miri si në arenën kosovare dhe jashtë saj”, është shprehur Mehmeti. 

Paraqitjet e tilla në skenën ndërkombëtare janë të vyera edhe për imazhin e vendit. Janë kontribuuese direkte në narrativat kulturore që ndërtohet për Kosovën. 

“Në këtë ambient kaq të bukur me këtë akustikë të mrekullueshme natyrisht që kori tingëllon krejt ndryshe nga vendet e tjera ku kam pasur rastin të shihja korin ‘Siparantum’, sepse ata jo vetëm qe shkëlqejnë në skenat botërore, por vjen edhe në dispozicion të asaj që ne e quajmë diplomaci kulturore, atje ku ka nevojë republika jonë të tregojë që kemi nivel dhe kemi kore që janë unike në të gjithë botën”, ka thënë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e pranishme në publik.