Kulturë

“Siparantumi” artëson emrin e Kosovës edhe në Spanjë

Siparantumi

“Sing for gold” është emri i garës botërore në Spanjë. “Siparantumi” i Kosovës “ka kënduar” për dy çmime. Në foto: Memli Kelmendi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të dielën e 27 tetorit në qytetin Calella

Përderisa “Siparantumi” u jep zë veprave shqipe, imazhit, kulturës e shtetit të Kosovës, në finale si në kor, dy herë është thirrur emri i korit dhe i shtetit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të garës botërore “Sing for gold”. Ka marrë “Medalje të Artë - Niveli IV”, duke u radhitur i treti në kategorinë e vet, por nuk është ndalur me kaq. Interpretimi i anëtarëve të korit nga Kosova ka bërë që juria të vendosë t’u ndajë edhe Çmimin Special për programin më të mirë kontemporan dhe interpretimin në skenë. “Kjo po tregon që nëpërmjet artit, nëpërmjet muzikës, pavarësisht rrethanave politike, ne mund të depërtojmë kudo në botë”, ka thënë dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi. Spanja është i 16-ti stacion botëror i korit që ka po aq çmime deri më tash

Salla e improvizuar në breg të detit në Calella u ka bërë strehë qindra koristëve nga 32 shtete të botës. Aty janë thirrur shumë emra koresh e janë dhënë shumë çmime. Në garën e sivjetme të koreve “Sing for gold” konkurrenca ka qenë e ashpër. Midis më të mirëve, në shtetin spanjoll është renditur edhe kori i Kosovës, “Siparantum”. Koristët nga Kosova të ulur në një prej skajeve të sallës, s’kanë qenë aspak të “qoshe” sa i përket vlerësimit që kanë marrë. Midis një konkurrence prej tetë koreve ia kanë dalë që me pikë të jenë të tretët, për të marrë zyrtarisht, “Medalje të Artë - Niveli IV”. Por formacioni koral që numëron veç 8 vjet prej themelimit –  midis të më të rinjve në pjesëmarrje –  nuk është ndalur me kaq. Interpretimi i anëtarëve të korit nga Kosova ka bërë që juria të vendosë t’u ndajë edhe Çmimin Special për programin më të mirë kontemporan dhe interpretimin në skenë.

Pas maratonës katërditore të garës, juria është radhitur nga ana e djathtë e skenës për të dhënë vlerësimet. Koret janë vlerësuar me medalje të argjendta dhe të arta. Që të dyja palët e medaljeve kanë dalluar brenda llojit me anë të pikëve. Prezantimi i tyre është bërë si medalje e artë me kaq pikë. Interpretimi i korit “Siparantum” ka bërë që juria në përbërje të Oliver Rudin, Bob Chilcott dhe Salome Rebello të vlerësojë me 24.08 pikë. Rudin “Siparantumin” e ka vlerësuar me 23.63 pikë,  Chilcoot ka bërë vlerësim me 22.56 pikë dhe Rebello me 26.6 pikë.

Kori “Siparantum” në Sallën e Konservatorit të Muzikës në Barcelonë, të shtunën mbrëma, 26 tetor, në garën “Sing for Gold” (Foto: Arben Llapashtica)

Kësisoj, “Siparantum” është renditur i treti në kategorinë ku ka garuar, atë për të rritur.  I dyti në këtë kategori është radhitur kori “Tallinna Tehnikaulikooli Akadeemiline Naiskoor”, nga Tallini i Estonisë nën dirigjim të Edmar Tuul  me 24.15 pikë. Ndërsa fitues i kategorisë me 27.2 pikë është shpallur “Tbilisis Sakhelmtsipo Universitetis Studenturi Kapela” i Gjeorgjisë nën dirigjimin e Lasha Mirotad. Fituesit e kategorisë kanë shkuar në garë për Kupën e Koreve. Më pas në finalen e madhe kanë qenë veç tri prej koreve të përzgjedhura. Fitues i Kupës së Koreve sivjet është shpallur, ansambli vokal bullgar ”Fortissimo” nën dirigjimin e Milena Dobreva. Kanë garuar në kategorinë e koreve të të rinjve.

Për Korin nga Kosova krejt ky ka qenë sukses i madh. Befasi e këndshme ka dalë të jetë një tjetër çmim. Përderisa koristët kanë qenë duke e uruar njëri-tjetrin për Medaljen e Artë, në skenë është thirrur emri i korit “Siparantum” dhe i dirigjentit Memli Kelmendi. Është bërë e ditur se ky formacion koral ka marrë edhe Çmimin për programin më të mirë kontemporan dhe interpretimin në skenë. Kjo ka bërë që Kelmendi bashkë me koristët të brohorasin fort midis atmosferës së zjarrtë që ka mbretëruar në mbrëmjen e së dielës në sallën e improvizuar buzë Mesdheut. “Siparantum” është i njohur për lëvizjet koreografike dhe dramaticitetin që ua jep veprave nëpërmjet tyre. Për shembull “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e kompozuar nga Baki Jashari nën interpretimin e këtij Kori, merr format drame. Energjinë e ndjesinë e përçon të tillë. Kjo vepër po ashtu është interpretuar në garë bashkë me “Te na Solbici” të kompozitorit Samo Vovk. Vepra i shkon shumë për shtati formatit të korit “Siparantum” edhe shkaku i koreografisë që koristët aplikojnë gjatë interpretimit. Më pas vepra e kompozitorit Jan Van der Roost, “Amor, io fallo” hyn te lista e interpretimit që nxjerr në pah potencialin e zërave të formacioneve korale, e po ashtu teknikën profesionale. Si e tillë ka qenë më sfiduesja profesionalisht për koristët në këtë garë. Është po ashtu një rrëfim që kryqëzon dhunën e dashurinë, përderisa përfundon me lutje për ditë më të mira. Karakteri dramatik i saj çon edhe te besëtytnitë ku lutja është fjala e fundit. Kurse “Nyon Nyon” e kompozitorit Jake Runestad, ka qenë e fundit sa i përket koncertit garues.

Ky sukses për dirigjentin Memli Kelmendi është  lajm shumë i rëndësishëm, pasi po e tregon thellësisht imazhin dhe potencialin e popullit të Kosovës karshi vendeve të tjera evropiane dhe botërore.

“Kjo po tregon që nëpërmjet artit, nëpërmjet muzikës, pavarësisht rrethanave politike, ne mund të depërtojmë kudo në botë. Jam shumë i lumtur pasi Medalja e Artë po tregon për suksesin tonë të ndërtuar gjatë këtyre tetë viteve”, ka thënë ai. Kurse për Çmimin Special ka thënë se  është vërtet shumë special, pasi që nga themelimi i Korit ka insistuar që Kori ta marrë këtë rrugëtim.

“Po më vjen mirë që Kori e mori këtë Çmim i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm që ne ta vazhdojmë punën tonë. Njëkohësisht jam shumë i lumtur që programi dhe puna jonë pavarësisht rrethanave të tjera po vazhdon të pëlqehet gjithandej skenave të mëdha ndërkombëtare”, ka thënë Kelmendi.

Kori “Siparantum” në Kishën e Shën Mërisë dhe Shën Nicolau në Calella, të enjten e 24 tetorit (Foto: Arben Llapashtica) 

Salla e ndarjes së çmimeve ka gumëzhuar nga qindra koristë që kanë përbërë 50 kore nga 32 shtete të botës. Aty kanë qenë thuajse krejt kontinentet. Kultura të ndryshme prej Zimbabvesë e deri në Kore të Jugut e Peruja, pavarësisht se kulturat lidhin popujt e shkrijnë paragjykimet, në gara të tilla ku ansamblet bartin mbi supe flamujt e shteteve të tyre, kanë një lloj egoizmi nacional. Synojnë që emri i shteteve të tyre të thirret për çmimet më të mira. E emri i Kosovës është thirrur dy herë. Për ata që e përjetojnë një ceremoni të tillë, nuk është gjë e vogël. “Siparantum” tashmë ka bërë që emri i Kosovës të thirret në 16 shtete dhe për një kor që vjen nga shteti më i ri në Evropë me traditë në muzikë korale pas Luftës së Dytë Botërore, nuk është gjë e vogël.

“Natyrisht ne përherë brenda vetes e kemi mision që veprat e autorëve shqiptarë t’i prezantojmë në vende të tjera. Kori ynë është nominuar drejtpërdrejt në këtë Festival, ku prezantojmë kulturën tonë dhe një imazh të bukur për kulturën e vendin tonë. Do të isha i lumtur edhe po të mos merrnim këto dy çmime fare", ka thënë  dirigjenti Kelmendi. Sipas tij, bëhet fjalë për një shtet të ri dhe mision e vizion i Korit mbetet promovimi i vlerave dhe pasqyrimi i vendit në arenën ndërkombëtare.

“Është çmimi i 16 me radhë që marrim për këto tetë vjet. Po shpresoj dhe jam i bindur që rrugëtimi i ardhshëm do të jetë edhe më i bukur dhe ngado që po shkojmë po sjellim rezultate pozitive. Besoj që kjo na gëzon në rrugëtimin tonë si shtet”, ka thënë ai.

“Siparantum” më pas ka vazhduar me luajtjen e dy veprave në ambient të hapur në sheshin afër Kishës së Shën Marisë dhe Shën Nikollës në qytetin e Calellas, ku qytetarët kanë parë performancën në një rrethanë tjetër. Tashmë me atë që njihet si koncert miqësie, atë garues në Barcelonë në Sallën e Konservatorit të Muzikës, “Siparantum” ka mbajtur gjithsej tri koncerte. Në një shtet si Spanja që prej vitit 2008 refuzon të njohë Kosovën, Kori ka lënë shenja jo të vogla. Por aso të Medaljes së artë e të një Çmimi Special. Janë shenja të një formacioni koral që vjen nga shteti që po ashtu në përbërje ka shumicën të rinj. Të rinj që vullnetarisht tregojnë kulturën e popullit të tyre në botë. Dhe janë të artë –  sipas jurive vlerësuese sa i përket profesionalizmit – por edhe në mision.