Kulturë

“Siparantum” i kthehet garës në Festivalin ku ka histori fitoreje

Siparantum

“Në datat 26 - 29 prill 2024, Kori Siparantum do të përfaqësojë Kosovën në këtë garë të madhe, ku do të garojë në kategorinë ‘G’ përpara 93 koreve nga 19 shtete të ndryshme. Kori ynë do të prezantojë një repertor të pasur me vepra nga autorë të shquar”, shkruhet në komunikatën e korit “Siparantum”

Janë përherë të pritshme rezultatet pozitive të korit “Siparantum” në garat ku merr pjesë, sikurse paraqitja dinjitoze në skenat ku interpreton. Tash kthehet në adresën e njëjtë ku dy vjet më parë kishte fituar në të dy kategoritë ku kishte garuar - në Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinj që mbahet në Belgjikë. Në njërën kategori të festivalit prestigjioz prapë synon triumfin midis 93 grupeve korale nga 19 shtete të ndryshme. 

“Në datat 26 - 29 Prill 2024, Kori Siparantum do të përfaqësojë Kosovën në këtë garë të madhe, ku do të garojë në kategorinë ‘G’ përpara 93 koreve nga 19 shtete të ndryshme. Kori ynë do të prezantojë një repertor të pasur me vepra nga autorë të shquar”, shkruhet në komunikatën e korit “Siparantum”. 
Aty bëhet i ditur edhe programi me të cilin Kori nga Peja prezantohet në qytetin Neerpelt të Belgjikës. Vepra “Me nji lule” e Memli Kelmendit dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr” e Baki Jasharit dërgojnë muzikën shqiptare në qytetin që gjendet në provincën Limburg në Belgjikë. 

“Ten a Solbici” e Samo Vovk, “Atsalums” e Jēkabs Jançevskis e “En’s Avonds” e aranzhuar nga Memli Kelmendi do të jenë pjesë e repertorit me të cilin kori “Siparantum” do të mbërthejë skenën pasditen e 27 prillit. Korin do ta udhëheq dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi. 

“Siparantum” do të interpretojë në  “CC Palethe Overpelt” në kuadër të edicionit të 72-të të Festivalit me nam. Po atë ditë bëhen të ditura edhe rezultatet e garës. 

Festivali Evropian i Muzikës për të Rinjtë është ngjarje vjetore ku rreth 4000 të rinj nga rreth 100 kore të reja ndërkombëtare apo ansamble instrumentale takohen në Neerpelt. Interpretimet vlerësohen nga një juri ndërkombëtare dhe publiku ka mundësi të shijojë një sërë koncertesh. 

“Rëndësia e kthimit në festivalin në Belgjikë për Kosovën është më shumë se vetëm një sfidë artistike.  Është një shprehje e vullnetit dhe talentit tonë për t’i treguar botës se çfarë mund të arrijmë. Pas suksesit të vitit 2022, kur Kosova u shndërrua në emër të fitores në të dy kategoritë ‘G’ dhe ‘F’, rikthimi ynë në këtë festival është një shans për të ndriçuar ëndrrat dhe aspiratat e një kombi që ka përjetuar shumë, por që vazhdon të ngrihet përtej sfidave”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi. Sipas tij, për Korin kjo nuk është thjesht një garë, por është një mundësi për të shfaqur krenarinë për trashëgiminë kulturore dhe muzikore. 

“Me një grup të ri, por me zemër të madhe, jemi të përgatitur të shkëlqejmë përsëri në skenën evropiane. Përgjatë këtyre muajve ne kemi punuar me shpirt, energji dhe përkushtim, duke shpresuar që ky udhëtim do të na dërgojë drejt suksesit të ri dhe do të përforcojë imazhin tonë si një komb i talentuar dhe i përkushtuar për artin. Jam thellësisht i bindur në suksesin e radhës”, ka thënë ai. 
Në vitin 2022 “Siparantum” kishte fituar dy çmime në të dy kategoritë të cilat kishte garuar në Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinj. Vendi i parë i kategorive “F” dhe “G” i kishte takuar korit “Siparantum” të dirigjuar nga Memli Kelmendi. 

Repertori i Korit për pjesëmarrje në “Europian Music Festival for Young People” përmbante vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga renesanca, muzika shqiptare deri te muzika bashkëkohore. Ishte mbajtur prej 29 prillit deri më 2 maj dhe kishin marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës. 

Kori “Siparantum” ka shënuar suksese në lojërat e nivelit më të lartë të garës së koreve me dy fitore në “World Choir Games” në korrikun e vitit të kaluar që janë mbajtur në Korenë e Jugut.  Kori nga Peja kishte përfaqësuar vendin në më të madhen garë të këtij lloji me dy paraqitje në kategoritë “Musica Contemporanea” dhe “Mixed Choir” në edicionin e 12-të të Lojërave Botërore të Koreve. 
Si pasojë e mungesës së mjeteve financiare, “Siparantum” ishte detyruar të shkonte në Korenë e Jugut pa pothuajse gjysmën e anëtarëve. Kjo nuk çonte peshë për “Siparantumin”. 
Veç disa muaj pas triumfit në lojërat botërore, në fundtetor fitoi edicionin e pestë të “Lojërave Evropiane të Koreve”, ku garoi për Çmimin e Madh të Kombeve në Norrköping të Suedisë bashkë me 25 vende të botës. Atje kishte ngritur në këmbë publikun tok me jurinë, me vepra që i jepnin zë rrëfimit të Kosovës. Doli i artë. 

Kori shpejt ka bërë jehonë ndërkombëtare. Paraprakisht qe vlerësuar me vendin e parë në kategorinë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I” – që është kategoria më e vështirë e festivalit “Lisbon Sings” në Portugali. “Siparantum” ia kishte dalë ta zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës. Festivali është aktivitet që bën pjesë në “World’s Best Choirs Rankings of the Top 200 Choirs and Ensembles”. 

“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 30-të të ansambleve më të mira vokale. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit 2021, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.