Kulturë

“Si mësova të ngas” lexon traumën e patejkalueshme me heshtje

Adrian Morina e Flaka Latifi

Adrian Morina e Flaka Latifi ia dalin t’i përçojnë ndjeshmërinë dhe domosdoshmërinë e fuqisë së teatrit për përmballje me tema si ajo e dramës “Si mësova të ngas”

Me fuqinë e temës e të mesazhit të saj, dyshja Flaka Latifi e Adrian Morina kanë sjellë në skenën e teatrit “Oda” leximin skenik të dramës “Si mësova të ngas” të dramaturges amerikane Paula Vogel. E ngjarja e saj nuk është vetëm teatër. Është realitet edhe në Kosovë. Li’l Bit e abuzuar seksualisht në moshën 11-vjeçare vendos të mos heshtë as me vetveten

“Si mësova të ngas”, që në fillim zbërthehet në dykuptimësi. Në kuptimin e parë ka të bëjë me vendin e ngjarjes –  makinën. I dyti me veprimin: ngasjen në rrugëtimin e përballjes me traumën. Në thelb është abuzimi seksual. Në fund, udhëtimi drejt shërimit. 

Drama e Paula Vogel, e cila ka gati tri dekada prej inskenimit të parë, është aktuale edhe në kontekstin vendor. Të martën mbrëma, në skenën e teatrit “Oda”, asaj i është bërë një lexim skenik i cili, me gjithë mungesën e një inskenimi të plotë, arrin ta përcjellë traumën që ka brenda tok me mesazhin. 

Adrian Morina e Flaka Latifi ia dalin t’i përçojnë ndjeshmërinë,  domosdoshmërinë e fuqinë e teatrit për përmballje me tema si këto. 

Në qendër është Li’l Bit, e cila kishte qenë 11-vjeçare kur u abuzua nga Xhaxhai Peck, burri i tezes së saj, në ulësen e makinës. Si 30 vjeçe vendos të përballet me këtë traumë. I kthehet së kaluarës jo për ta kujtuar traumën, por për ta tejkaluar atë. Heshtja e njerëzve përreth është alarmi apo bashkëpjesëmarrja në krim.  

Leximi skenik vjen në kuadër të projektit “Përtej pasqyrës” e mungesa e inskenimit është pasojë e mungesës së fondeve. Imazhin e një realizimi të plotë në të ardhmen e krijon mjeshtëria e manipulimit me projektor, sikurse edhe muzika e videot e realizuara nga Gëzim Hasani, e që janë “skenografia” e vetme e këtij versioni të “Si mësova të ngas”, vetëm një kapitull i fragmentuar i dramës. 

“Si mësova të ngas” nuk është teatër. Është realitet edhe në Kosovë. 

Skenën e parë e hap monologu i Li’l Bit (Flaka Latifi) me rrëfimin në retrospektivë, ku pas çdo monologu kthehet në kohën kur ishte e re, si 17-vjeçare. Përshkruan një mbrëmje dhe pamja të cilën ajo e sheh përkon shumë edhe me ndërtimet në Prishtinë plot me objekte si qendra tregtare, një kinema me një mbishkrim pornografik. Skena zhvendoset në veturën e personazhit Xhaxhait Peck (Adrian Morina), i cili posa e takon fillon t‘i japë komplimente vajzës duke u marrë erë flokëve dhe duke e provokuar në forma të ndryshme. Monologu i radhës përshkuan familjen e saj me njerëzit që shquhen për nofkat, të cilat i marrin në bazë të organeve të tyre gjenitale. Ngjarja zhvendoset në shtëpinë e saj kur ajo ishte 13-vjeçare. Në prapaskenë nga projektori duket një dhomë për qëndrim ditor. Li’l Bit prapë takohet me Peckun. Dhe historia vazhdon.  

“Më vjen shumë keq që edhe në këtë kohë, shumë femra, pothuajse të gjitha të paktën një herë në jetën e tyre e kanë përjetuar qoftë ndonjë ngacmim seksual ose diçka edhe më të madhe. Nuk e di sa mund të them që jemi të mbrojtura për shkak që në momentet kur ndodhin publikisht këto fenomene dhe është një lloj frike te ne femrat, a të tregojmë apo të mos tregojmë, si t’i qasemi, si të mund ta parandalojmë këtë problem e ndoshta stigmatizimi që i bëhet femrës dhe nuk mund ta di se ku mund të arrijmë më tutje për ta treguar këtë lloj problemi”, ka thënë aktorja Flaka Latifi kur ka folur për kontekstin e Kosovës.  

Në “Si mësova të ngas” ndërrojnë skenat e kohët. Por konstanta mbetet abuzimi. “Ke ikur vetëm prej dy ditësh dhe më duket sikur kanë kaluar muaj...”, shkruhet në letrën Peckut dërguar Li’l Bit tok me dhurata dhe letrën e radhës se kanë mbetur edhe gjashtëdhjetë e nëntë ditë derisa të takohen përsëri. 

Në një monolog tjetër përshkruhet vdekja e Peckut të braktisur nga të gjithë. Do ta gjenin trupin e tij në bodrumin e shtëpisë. Li’l e takon për së vdekuri dhe qan mbi të duke ia përmendur kohën kur e kishte dhunuar. Kjo është pyetja që ia bën atij, vetes, të gjithëve.  Skena kulmore është ajo e dhunimit të Li’l Bit në moshën 11-vjeçare 

“Si mësova...” është në frymën e teatrit të angazhuar, i cili në shoqëritë që përballen me raste të tilla përherë konsiderohet si i domosdoshëm. 

Aktori Adrian Morina e ka përsëritur se i pëlqen teatri politik dhe ka arsye për këtë. 

“Unë besoj se ky është teatri që u flet njerëzve. Kjo ka qenë edhe arsyeje pse bashkë me Flakën kemi vendosur të jemi pjesë e kësaj skene. Sepse më mirë se një grua, një vajzë, e cila i adreson këto dukuri negative nuk mund t’i bëjmë ne burrat, sado që përpiqemi, qoftë përmes formave të teatrit ose çfarëdo forme tjetër ta sensibilizojmë edhe ta parandalojmë. Sepse vajzat i përjetojnë çdo ditë në lëkurën e vet”, ka thënë Morina. 

Ai ka thënë se kur flitet për fenomenin, për pedofilinë, sigurisht që shoqëria në Kosovë edhe më tutje vazhdon të jenë patriarkale dhe vazhdon të heshtë e gratë të stigmatizohen. 

“Mos të harrojmë që ne jemi një vend që veç kësaj i kemi diku 20 mijë gra që flitet se janë dhunuar gjatë luftës dhe janë shumë pak prej tyre të cilat janë lajmëruar në institucione dhe kjo flet shumë për shoqërinë tonë. Pavarësisht që ne kemi vendosur shumë më herët, kjo shfaqje fatkeqësisht lidhet me ngjarjet aktuale të cilat po ndodhin shumë shpesh”,  ka thënë Morina. 

Me stigmatizimin përballet edhe Li’l Bit. Në shkollë do të bullizohej për gjoksin e saj, e pas abuzimit nga burri i tezes së saj, axha Pecku, ajo do ta akuzonte se ia mori bashkëshortin. Li’l hesht gjatë, derisa në moshë madhore arrin një pakt me veten në radhë të parë. Kthesa ngjan kur në brendinë e saj thotë t’i ketë premtuar vetes së saj të vogël se do të heshtë. “Por sot si 35-vjeçare e kam kuptuar çka është dhe kam vendosur të flas”, thotë kryepersonazhja në shfaqjen e cila pret inskenimin e vërtetë. Jo vetëm si një produksion i radhës teatror. 

“Teatri në përgjithësi ka një numër të mirë të shikueseve, i cili po vjen në rritje gjithmonë, por prapëseprapë duhet të mendojmë çfarë t’u servojmë. E besoj se shfaqja, tema për të cilën ne kemi punuar dhe kemi hulumtuar do ta kemi, do të vazhdojmë ta luajmë edhe në të ardhmen”, ka thënë Morina. 

Sepse, siç e ka nënvizuar ai, është një prej temave që do të duhej ta kishte patjetër secili teatër. 
Në skenën e fundit Li’l Bit udhëton e vetme me veturë. Është një lloj katarsisi për të dhe publikun. Aty nis udhëtimi i saj drejt shërimit.