Kulturë

Shteti pesë muaj pa përgjigje nëse do ta blejë Hamamin e Mitrovicës

Hamami i Vjetër - Mitrovicë

Hamami i Vjetër nga jashtë duket shumë i mirëmbajtur. Më 2022 shteti ka investuar 89 mijë euro për t’ia ndrequr kulmin, pasi i ishte vjedhur plumbi disa herë

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, pronarët i ishin drejtuar me shkresë MKRS-së, duke i bërë të ditur se monumentin e shekullit XVIII duan ta shesin. Paraprakisht e kishin nxjerrë në shitje nga një agjenci e shitjes së patundshmërive. “Nuk kemi kurrfarë përgjigje. Afati ligjor është 30 ditë”, ka thënë Afrim Berisha, bashkëpronar i monumentit. Paraprakisht e kishin nxjerrë në shitje nga një agjenci e shitjes së patundshmërive me çmim prej 1.6 milion eurosh

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka injoruar krejtësisht njoftimin e pronarëve të Hamamit të Vjetër të Mitrovicës se duan ta shesin këtë monument. I ishin adresuar institucionit më të lartë kulturor në vend, duke shprehur dëshirë se blerësi i parë duan të ishte shteti. Historia e nxjerrjes në shitje të këtij monumenti nuk është e shkurtër. Pritja për përgjigje të MKRS-së po mbush pesë muaj. 
Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, pronarët i ishin drejtuar me shkresë MKRS-së, duke i bërë të ditur se monumentin e shekullit XVIII duan ta shesin. Paraprakisht e kishin nxjerrë në shitje nga një agjenci e shitjes së patundshmërive. 

Në fund të shtatorit, KOHA kishte raportuar se në Komunën e Mitrovicës ka njëfarë gatishmërie verbale që ky aset të jetë pronë publike. Kurse në Ministrinë e Kulturës të paktën publikisht s’kishte folur askush. Por njëkohësisht, gazeta kishte marrë vesh se Ministria e Kulturës është interesuar që ta shqyrtojë mundësinë për ta blerë shteti atë pronë. 

Ndërtesa që deri më 2009 ishte Muze i Qytetit, prej atij viti ka pronarë privatë. 

Afrim Berisha është pasardhës i atij që ka ndërtuar Hamamin e Vjetër –  Zejnullah Bej Berisha. Si bashkëpronar i monumentit me 15 ar truall ka treguar se për rrethana të ndryshme, kanë vendosur që pronën e tyre ta nxjerrin në shitje. 

“Duke i pasur disa vështirësi tash e disa vjet, bashkë me pronarët e tjerë kemi vendosur që ta qesim Hamamin në shitje”, kishte thënë Berisha në fund të shtatorit. Të dielën mbrëma ai ka konfirmuar se s’kanë marrë kurrfarë përgjigje. 

“Nuk kemi kurrfarë përgjigje. Afati ligjor është 30 ditë”, ka thënë ai. 

Ligji për Trashëgiminë Kulturore e rregullon në parim këtë çështje. 

“Shitja dhe kalimi apo vendosja e të drejtave pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent të trashëgimisë kulturore”, shkruhet sipër neneve ku përmendet shitblerja. “Trashëgimia kulturore mund të shitet, trashëgohet ose dhurohet vetëm brenda territorit të Kosovës dhe në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, me të cilin drejtohen çështjet pronësore. Ministria ka përparësi për të blerë trashëgiminë kulturore sipas çmimit të tregut, që do të vlerësohet nga një komision i pavarur që krijohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në nenin 4, pika 21 e Ligjit për Trashëgimi Kulturore. 

Por në rastin e Hamamit të Vjetër, një agjenci shitjesh e patundshmërive e kishte nxjerrë pronën në shitje pa pasur parasysh se për këtë së pari duhej lajmëruar institucionet shtetërore. Afrim Berisha kishte thënë se në këtë rast është bërë një ngutje pa qenë në dijeni ai. 

“Ka rrjedhur një informacion, pasi i autorizuari për ta nxjerrë në shitje është dashur që së pari të pajisej me leje procedurale nga Ministria e Kulturës.  Ministria e Kulturës është ajo që vendos nëse do ta blejë apo jo. Në atë moment që MKRS-ja nuk është e interesuar ta blejë, atëherë na lëshohet vendimi për të vepruar më tutje. Unë për të gjitha gjërat kam ndjekur gjithmonë të gjitha rrugët ligjore”, kishte thënë bashkëpronari Berisha. Ishte shprehur se do të ishin shumë të lumtur që këtë pronë ta blejë shteti e të mos hyjnë në biseda me palë të tjera.

Ministria e Kulturës asnjëherë nuk është përgjigjur për këtë çështje. As javën e kaluar. 

Hamami i Vjetër nga jashtë duket shumë i mirëmbajtur. Më 2022 shteti ka investuar 89 mijë euro për t’ia ndrequr kulmin, pasi i ishte vjedhur plumbi disa herë. Hapësira brenda, po ashtu, është e mirëmbajtur goxha. Ka pak lagështi, shkaku i kalimit të një përroske të mbuluar afër monumentit. Hapësira e brendshme aktualisht shërben pak a shumë si një lloj depoje e restorantit që ndodhet në ndërtesën ngjitur, po ashtu monument. 

Për historikun e Hamamit të Qytetit jepeshin të dhëna, ndër të tjera, kur ishte aktive databaza elektronike për trashëgimi kulturore. Për godinën që gjendet në atë që sot njihet si bulevardi “Shemsi Ahmeti”, shkruhej se i takon bërthamës së vjetër të qytetit. Ani pse pak nga kjo ka mbetur në atë rrethinë. 

“Hamami i qytetit u ndërtua në fund të shekullit XVIII. Hamamin, sipas të dhënave të ish-pronarëve të objektit, e ndërtuan Sylejman Pashë Berisha dhe nipi i tij (djali i vëllait), Zejnullah Beg Berisha. Ndërtimi i objektit zgjati dy vjet. Hamami i qytetit është njëri ndër objektet më të ruajtura të periudhës osmane, karakteristikë për objektet publike të tipit sanitar ‘tek’ për meshkuj”, shkruhej në këtë historik. 

Aty tregohej se Hamami kreu funksionin e vet, për çka edhe ishte ndërtuar deri në maj të vitit 1959. E me propozimin e Komisionit komunal për nacionalizimin e objekteve dhe tokës ndërtimore, Kuvendi Popullor i Komunës së Mitrovicës më 17 shtator 1959 mori vendimin për legjitimimin si pronar - shfrytëzues të këtij objekti Muzeun dhe Arkivin e Qytetit të Mitrovicës. Objekti i Hamamit ishte në përdorim si Muze i Qytetit (muze arkeologjik, historik, numizmatik dhe etnografik) deri në nëntor të 2009-s. Nga nëntori i vitit 2009 objekti u është kthyer trashëgimtarëve të ish-pronarit. 

“Çdo hapësirë e larjes dhe e pushimit është e mbuluar me nga një kupolë të vogël. Hapësira qendrore - ‘mejdani’ i pjesës së ngrohtë është i mbuluar me një kupolë qendrore më të madhe. Muret ndarëse, po ashtu, janë nga guri, kurse hapjet përfundojnë në formë harkore të përpunuara në mënyrë plastike”, shkruhej në databazë. 

Gjithnjë sipas këtij përshkrimi, pjesa e vakët – pjesa për zhveshjen, rekuizitat, sanitaret – është e mbuluar me qemer. E ngrohja e hapësirave të Hamamit bëhej përmes teknologjisë së kanaleve nën dyshemenë e pjesës së ngrohtë të Hamamit, “hipokaust”, të cilat janë jashtë përdorimit nga koha kur Hamami pushoi së funksionuari. 

“Ndërsa sistemi i tubacionit nga qeramika në kuadër të mureve po ashtu u largua në kohën kur Hamami i qytetit pushoi së funksionuari”, shkruhej në databazë. 

Gjithnjë sipas atyre të dhënave, megjithëse Hamami ishte shndërruar në muze, pjesa e vakët dhe pjesa e ngrohtë kryesisht janë ruajtur siç kanë qenë. 

“Kaldatorja shfrytëzohej për depo të nevojave të Muzeut me qasje nga jashtë. Ndërsa pjesa e ftohtë në dy katet ishte shndërruar në hapësirë për ekspozim të eksponateve muzeore”, shkruhet aty.

Hamami i qytetit, shkruhej në databazë, përjetoi disa herë ndryshime dhe rindërtim, në emër të modernizimit, e siç shkruan aty, punë të cilat u kryen pa përgjegjësi dhe pa profesionalizëm, me çka Hamami i qytetit përjetoi dëmtime si konstruktive, ashtu edhe arkitektonike estetike, artistike dhe në vlera ambientale. 

“Punët në emër të rindërtimit, restaurimit dhe konservimit në Hamam të qytetit u kryen në vitet 1876, 1936, 1958, 1980 dhe 2009. Hamami i qytetit nuk është shkatërruar gjatë luftës (1998-1999). Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në databazë.