Kulturë

Shteti ia del të ketë edhe një projekt ideor të Teatrit të Operës

Projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit

“Kemi provuar të krijojmë le të themi, fabrikën më racionale dhe efiçiente të interpretimeve. Pastaj për të qenë atraktive për publikun e kemi lënë ndërtesën të hapur nga të gjitha anët që të jetë ftuese. Zgjedhja arkitekturore bazohet në xhubletën. Në njërën anë është ndërtesë racionale e krijimit të interpretimeve e në tjerrën një ndërtesë që fton qytetarët të hyjnë brenda”, ka thënë projektuesi danez, Bjarke Ingels (Foto: MKRS)

Prezantimi i projektit ideor të Teatrit të Operës qe festa e dytë pas asaj të vënies së gurit themeltar në dhjetorin e vitit 2009 për një projekt që nuk u realizua kurrë. Menaxhmenti aktual i Ministrisë së Kulturës këtë ndërtesë e ka pasur synim qysh para ardhjes në pushtet. E fiks pas katër vjetësh, në ditët e fundit të mandatit e pak ditë para zgjedhjeve, Ministria e Kulturës ka shpalosur renderët e radhës. Në kushte ideale, projekti i bazuar në xhubletë – veshje që është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – do rreth 15 muaj që të shndërrohet në projekt zbatues e sipas projektuesit Bjarke Ingels kërkon gjysmë dekade që të finalizohet

Festë më vete ka ngjarë të jetë shpalosja e projektit ideor të Teatrit Të Operës dhe Baletit. Është festa e dytë pas asaj të vënies së gurit themeltar në dhjetorin e vitit 2009 për një projekt që nuk u realizua kurrë. Menaxhmenti aktual i Ministrisë së Kulturës këtë ndërtesë e ka pasur synim qysh para ardhjes në pushtet. E fiks pas katër vjetësh, në ditët e fundit të mandatit e pak ditë para zgjedhjeve, Ministria e Kulturës ka shpalosur renderët e radhës. Në kushte ideale, projekti i bazuar në xhubletë – veshje që është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – do rreth 15 muaj që të shndërrohet në projekt zbatues e sipas projektuesit, kërkon gjysmë dekade që të finalizohet. E aty planet janë që të sistemohet Filharmonia e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” dhe Opera e Kosovës. 

Nëpërmjet një njoftimi të bërë paraditen e së hënës, Ministria e Kulturës pasdite ka mbledhur udhëheqësit institucionalë të kulturës e anëtarë të komunitetit kulturor në një hotel luksoz në periferi të kryeqytetit. Shteti që synon teatër të operës në vlerë mbi 50 milionë euro, s’ka një vend të prezantojë as qoftë një projekt ideor. Te të pranishmit s’është parë ndonjë entuziazëm i madh. Por te ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, po.

Në kulmin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e së dielës ai, projektin ideor të arkitektit danez me nam botëror Bjarke Ingels e ka paraqitur si një alamet arritje. 

“Kam kënaqësinë të shpalos para jush një nga po besoj arritjet kulmore të Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitet e fundit, prezantimin e projektit fitues të Teatrit të Operës dhe Baletit”, ka thënë ministri Çeku.  Sipas tij, ky projekt i përgjigjet shkëlqimit të institucioneve të kulturës të cilat po mahnitin me cilësi e llojllojshmëri të programit artistik dhe po e bëjnë Kosovën krenare në përfaqësimin në skenat prestigjioze ndërkombëtare. 

“Kjo ndërtesë pas pothuajse pesë dekadash do t’i dhurojë kryeqytetit tonë Prishtinës, një ikonë të arkitekturës bashkëkohore e do t’i qëndrojë pranë një prej perlave të arkitekturës moderne, Pallatit të Rinisë dhe Sportit”, ka thënë ministri Çeku. Ka treguar se Teatri do të përmbajë katër auditoriume me kapacitet nga 300 deri në 1200 ulëse, ndërsa në spektrin urban krijon një faqe të re spektakolare të qendrës së qytetit.

Nuk qe i preferuari i komisionit vlerësues, por projekti i Ingels me partnerët e tij kosovarë, “Alb Architect” pas një viti procedurë e shumë ankesa, doli të jetë i pari. Kostoja e tij veç në projektin është 2 milionë e 450 mijë euro. Në pamje të parë duket spektakël i arkitekturës bashkëkohore. Baza është xhubleta dhe dizajni i jashtëm e pasqyron atë. Lokacioni ka kohë që është caktuar të jetë aty ku aktualisht është parkingu prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit. 

Arkitekti i njohur për projekte bashkëkohore në botë, midis të tjerash edhe i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, që është në ndërtim e sipër, Ingels  ka treguar se kanë pasur parasysh arkitekturën e Prishtinës dhe hapësirës përreth derisa kanë projektuar Teatrin e Operës dhe Baletit. Sipas tij, përderisa hapësirat e brendshme janë racionale, ajo e jashtme asocion me xhubletën dhe është tërheqëse për qytetarët. I pyetur për koston e implementimit, ai ka thënë se shkon mbi 50 milionë. 

“Në fund të fundit varet se si do të duket hapësira përreth”, ka thënë ai. Koston e implementimit nuk e ka komentuar në detaje as ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.  Ka thënë se fillimisht duhet të shihet projekti ideor. Sipas konkursit ndërkombëtar të hapur para një viti MKRS-ja ka kërkuar ndërtesë që konkretizohet me 50 milionë euro. 

Arkitekti Ingels s’ka qenë në gjendje që të flasë për detaje, ta zëmë, as për numrin e ulëseve në salla. Si të gjithë projektuesit e tjerë me emër, ka folur në terma të përgjithshëm, dizajnin, se si hapësira do të ketë një arkitekturë bashkëkohore e se si ajo është hapësirë që fton qytetarët të futen brenda. 

“Kemi provuar të krijojmë le të themi fabrikën më racionale dhe efiçiente të interpretimeve. Pastaj për të qenë atraktive për publikun e kemi lënë ndërtesën të hapur nga të gjitha anët që të jetë ftuese. Zgjedhja arkitekturore bazohet në xhubletën. Në njërën anë është ndërtesë racionale e krijimit të interpretimeve e në tjerrën një ndërtesë që fton qytetarët të hyjnë brenda”, ka thënë ai. Projekti duket madhështor. Njëkohësisht, shumë me vështirësi i implementueshëm në rrethanat e Kosovës, duke pasur parasysh tentimet për të pasur ndërtesa reprezentative publike. 

“Unë kam qenë për një tjetër projekt, pasi ky i Ingels në pamje të parë duket spektakël, por duke e analizuar nuk më duhet praktik sikurse një tjetër në konkurs”, ka treguar një prej anëtarëve të jurisë së konkursit të parë që dështoi në janar të vitit të kaluar. të njëjtat kompani kanë aplikuar edhe në konkursin e dytë. Duke pasur parasysh se Kosova numëron gati dy dekada që tenton të ketë një teatër operë dhe tash ka arritur të ketë edhe një projekt ideor, një prej drejtuesve të institucioneve qendrore të kulturës ka qenë tejet pesimist. 

“Të jesh drejtor e të marrësh ftesën dhe të mos jesh në këtë ceremoni nuk bën. Andaj edhe erdha. Të paktën e kemi edhe një projekt”, ka thënë ai. për të veç procesi i zgjatur i përzgjedhjes së projektit është tregues i madh. 

Në fazën e parë, sipas dokumentacionit të lëndës, ishin kualifikuar tri kompani, kurse një nuk i kishte plotësuar kushtet për ta vazhduar më tej procesin. Më pas, pos vlerësimit të projektit ideor ishte vlerësuar edhe oferta financiare. Konsorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” qe vlerësuar me më së shumti pikë, 83.11 gjithsej, duke zënë vendin e parë. MKRS-ja kishte vendosur që për 2 milionë e 480 mijë euro t’ia jepte këtij konsorciumi tenderin për të vazhduar më tej me projektimin e ndërtesës. 

Sipas vlerësimit, “Big Partners Ltd & ALB Architect” ka marrë 66.87 pikë dhe kishte zënë vendin e dytë. Kurse “MVRD & OUD ARCHITECT” qe eliminuar. Në dokumentacion figuron se nuk e kanë kaluar vlerësimin e ofertës financiare. 

Por “Big Partners Ltd & ALB Architect” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të lëndës. Dhe vetë MKRS-ja i ka dhënë të drejtë. Ky institucion ka anuluar vendimin e shpalljes së rezultateve të thirrjes.
Menjëherë “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” ishte ankuar. Pasi ky konsorcium kishte marrë përgjigje negative nga MKRS-ja, kompanitë bashkëpunuese i ishin drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Kishin pretendime për shkelje të procedurave. Lënda është finalizuar në OSHP. Paraprakisht, eksperti Ilir Halili ka nxjerrë një konkluzion. 

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si pjesërisht e bazuar, ndërsa të mbetet në fuqi vendimi i autoritetit kontraktues”, shkruhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues. Edhe vendimi i OSHP-së është në këtë frymë. Kësisoj, MKRS-së i është hapur rruga për të bërë përzgjedhjen dhe kontrata pritet të nënshkruhet këtë javë e po ashtu edhe të publikohet projekti ideor. 

Nëpërmjet “Facebook-ut” projektin e ka promovuar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Sipas tij, pas 50 vjetësh shtëpia e re e institucioneve qendrore të arteve muzikore dhe skenike do t’i ofrojë Prishtinës një ikonë të munguar të arkitekturës bashkëkohore, duke e vendosur atë në lartësinë e hartës botërore të kulturës. 

“Teatri do të ndërtohet në zemër të Prishtinës dhe përmban sallën koncertale me mbi 1200 ulëse, sallën teatrale me 1000 ulëse, dhomën koncertale dhe dhomën teatrale, të dyja me nga 300 ulëse. Ndërsa do të akomodojë parkingun nëntokësor me kapacitet me mbi 400 vendparkime pranë unazës së brendshme të Prishtinës, dhe do të jetë kalimi më spektakolar në mes të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe lagjes Arbëria”, ka shkruar ai. ka prekur pak edhe biografinë e arkitektit, ka shkruar se Bjarke Ingels, njëherësh themeluesi i shtëpisë prestigjioze të projektimit “BIG”, është ndër arkitektët më inovativë të kohës sonë, i njohur për projektet mbresëlënëse si rrokaqielli piramidal “Via 57 West” në New York, centrali energjetik “CopenHill” me pistë skijimi në Kopenhagë, selinë e “Google” në Kaliforni dhe “The Spiral” në Manhatan. 

“Vlera e projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit është 2 milionë e 450 mijë euro dhe do të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026”, ka shkruar Kurti. 
Paraprakisht më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: Teatri i Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.