Përderisa nuk ka mbetur asnjë gjurmë prej tri monumenteve brenda “Kompleksit – Saraji i Vjetër” në Prizren, i mbrojtur përhershëm, një rast si ky dëshmon edhe dështimin e institucioneve pasi autoritetet qendrore nuk kanë arritur t’i ndalin ekskavatorët, e pushteti komunal i ka dhënë leje rrënimit. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, rastin e ka cilësuar si krim të rëndë, ka paralajmëruar masa dhe ka thënë se çështja është e komplikuar. “Është krim. Është krim shumë i madh”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. “Ne tashmë e kemi këtë konsultimin me Avokaturën e shtetit për të vazhduar me gjykatë dhe me kërkesën për masë të përkohshme”
Të pafuqishme përballë rrënimit dhe të heshtura në publik, institucionet qendrore planifikojnë që lëndën e “Kompleksit – Saraji i Vjetër” në Prizren ta dërgojnë në gjykatë. Tek pas rrënimit të objekteve të kompleksit monumental, i mbrojtur përhershëm si aset i trashëgimisë kulturore, kanë nisur reagimet. Bëhet fjalë për zonën e ish-fabrikës së barnave “Farmakos”.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, rastin e ka cilësuar si krim të rëndë, ka paralajmëruar masa dhe ka thënë se çështja është e komplikuar.
Janë tri ndërtesa që janë rrënuar nga investitori privat duke shfrytëzuar një leje ndërtimi të Komunës së Prizrenit: ish-fabrika e barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit të viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”.
Ministri Çeku, i cili në mars të këtij viti kishte nënshkruar vendimin që “Kompleksi Saraji i Vjetër – Prizren” të gëzojë mbrojtje të përhershme, nuk është deklaruar publikisht për këtë rast deri të mërkurën.
Pas hapjes së edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit, i pyetur nga KOHA për rrafshimin e monumentit, ministri Çeku ka thënë se rasti nuk mund të cilësohet ndryshe pos si krim.
“Fillimisht duhet t’ia japim emrin që e ka. Është krim. Është krim shumë i madh. Është rrënim i një aseti nën mbrojtje të përhershme të ligjit. Është veprim i ndërmarrë me vetëdije të plotë të institucionit të Komunës, sepse ajo çfarë kanë lëshuar ata është leje për rrënim, për një monument nën mbrojtje të përhershme”, ka thënë ai.
Sipas ministrit Çeku, Komuna paraprakisht ka qenë në dijeni se ai monument është i mbrojtur dhe për këtë arsye ka kërkuar pëlqim nga autoritet e trashëgimisë kulturore. Ka thënë se pas këtij veprimi kanë proceduar me lëshim të lejes për një subjekt privat për të vazhduar me një projekt krejtësisht në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
“Inspektorati ka qenë veprimi i parë që e kemi ndërmarrë në momentin që ka filluar kjo çështje dhe jemi njoftuar se po ndodh ky rrënim. Inspektorati ka ndërmarrë të gjitha veprimet, ka lëshuar urdhëresa për ndalim të punimeve dhe ka njoftuar Policinë e Prokurorinë dhe të tjerët”, ka thënë ai.
Për këtë rrënim investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, ka shfrytëzuar vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit më datë 4 prill 2024. I njëjti në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk kishte dhënë pëlqim. Ka shfrytëzuar afatin administrativ prej 15-ditësh – pasi IKMM-ja e kishte vonuar përgjigjen – dhe nëpërmjet lejes së Komunës ka nisur ta çojë projektin e tij përpara në kurriz të monumenteve.
Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, ka nënshkruar lejen që i jep të drejtë investitorit të ndërtojë “objekt kolektiv – me shumë funksione”. Sipas vendimit të cilin e posedon KOHA, leja ndërtimore lejon dy kate bodrum, përdhesen, plus tri kate të tjera.
Në fund të javës së kaluar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka lëshuar vendim nëpërmjet të cilit ka urdhëruar ndaljen e punimeve që demolojnë ndërtesat. Ka hasur në vesh të shurdhër. Nuk është përkrahur nga Policia e as nga Prokuroria me arsyetimin se investitori ka leje nga Komuna.
“Tashmë jemi në komunikim me Avokaturën e shtetit dhe, sipas këshillave të tyre, do ta çojmë më tutje në kallëzim penal për këtë krim të llahtarshëm që është bërë ndaj trashëgimisë kulturore”, ka thënë ministri i Kulturës.
I pyetur për përgjegjësi personale, meqenëse udhëheq institucionin më të lartë shtetëror që kujdeset për trashëgiminë kulturore, ministri Çeku ka thënë se “ndihet keq”.
“Unë ndihem shumë keq dhe jam tepër i pikëlluar për këtë rast. Në asnjë moment nuk i iki përgjegjësisë personale. Fundja nëse nuk është institucionale dhe ligjore, ndihem keq si person që një gjë e tillë ndodh me këtë monument”, ka thënë ai. Faktin se nuk ka reaguar publikisht gjatë procesit të rrënimit është munduar ta arsyetojë me informata që, sipas tij, nuk mund të bëhen publike.
“Ka qenë situatë pak më e ndërlikuar sesa veç me një palë. Janë disa detaje që nuk mund t’i zbuloj tani, por besoj që në një procedurë të ardhshme gjyqësore mund të ngrihen edhe disa shqetësime për mosveprim institucional. Beteja jonë ka qenë që së pari të ndalen ekskavatorët që kanë qenë duke e rrënuar monumentin. Por, fatkeqësisht, puna ka vazhduar”, ka thënë Çeku. Sipas tij, do të kërkohet edhe masë e përkohshme.
“Ne tashmë e kemi këtë konsultimin me Avokaturën e shtetit për të vazhduar me gjykatë dhe me kërkesën për masë të përkohshme. Ajo çfarë mund të zbuloj në këtë moment është se edhe urdhrat për ndërprerje të punimeve nga Inspektorati nuk janë përfillur nga institucionet e tjera”, ka thënë ministri i Kulturës, Çeku.
KOHA gjatë ditës së mërkurë ka provuar të kontaktojë kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefonata e as në porosi elektronike.
Kurrfarë komenti për këtë rast nuk ka dhënë as Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme, që, sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta.
Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte dhënë pëlqimin. Por, MKRS-ja si shkallë e dytë kishte menduar ndryshe.
Në nëntor të atij viti institucioni më i lartë kulturor në vend kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si Internati. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.
“Shfuqizohet vendimi nr. 67/2019 i datës 14.10.2019, i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në pikën e 3-të të vendimit të Komisionit që kryesohej nga Vjollca Aliu, asokohe drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Krejt çfarë mund të bënte investitori asokohe ishte ankesa në afat prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Burime të afërta me investitorin i kanë thënë KOHËS se ai bazohet në një vendim të gjykatës që gjoja i jep të drejtë për ndërtim. Por, prej asaj kohe ka ndërruar gjendja e monumentit. Nga Lista e përkohshme ka kaluar në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucioni kompetent është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre pronësore me të, dënohet ose sanksionohet nё bazë të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, Ligjit për kundërvajtje dhe në pajtim me nenin 11 të këtij ligji”, përcaktohet në pikën 4.11 të Ligjit. Kurse në nenin 11 përmenden edhe gjobat.
“Mosbindja ndaj dispozitave të këtij ligji në lidhje me autorizimin e veprimtarive do të gjobitet nga gjykata kompetente me minimum prej 1.000 (një mijë) eurosh dhe maksimum prej 500.000 (pesëqind mijë) eurosh për secilin veprim të paautorizuar”, shkruhet në këtë nen.