Kulturë

Shtëpia e Kulturës në Runik me projekt që ia kthen atë komunitetit

Shtepia e Kultures - Runik

Sipas deklaratës së përbashkët të anëtarëve të jurisë, projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e fondacionit “Hajde” për të krijuar një qendër të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik

Fondacioni “Hajde” i themeluar nga artisti me nam botëror Petrit Halilaj ka bërë publik disa imazhe të projektit që ka zënë vendin e parë. Juria në përbërje të sociologes Donjetë Murati, arkitektes Florina Jerliu, arkitektit Jürgen Mayer, artistit Petrit Halilaj, Merita Augustinit si udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale në Ministrinë e Kulturës dhe drejtorit të fonacionit “CHëB Kosova”, Sali Shoshi, është përcaktuar që projekti fitues të jetë ai që e rijetëson Shtëpinë e Kulturës në një qendër multifunksionale

Vitin e kaluar qe në prag të rrënimit kurse tash është bërë me projekt ideor për konservim e restaurim. Hapësirë multifunksionale të brendshme, dy teatro të hapura, një prej tyre edhe me rol kinemaje verore, bibliotekë, sallë leximi, e muze janë disa prej hapësira që pritet t’i ketë Shtëpia e Kulturës në Runik të Skenderajt. Projekti ideor fitues për këtë monument është shpallur të hënën. Në vendin e parë është renditur “Ars Atelie” kurse në të dytin “Dieform”.

Fondacioni “Hajde” i themeluar nga artisti me nam botëror Petrit Halilaj ka bërë publik disa imazhe të projektit që ka zënë vendin e parë. Juria në përbërje të sociologes Donjetë Murati, arkitektes Florina Jerliu, arkitektit Jürgen Mayer, artistit Petrit Halilaj, Merita Augustinit si udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale në Ministrinë e Kulturës dhe drejtorit të fonacionit “CHëB Kosova”, Sali Shoshi, është përcaktuar që projekti fitues të jetë ai që e rijetëson Shtëpinë e Kulturës në një qendër multifunksionale. Në bazë të asaj që shihet në imazhe, ruhet në masën më të madhe planimetria dhe struktura e deritashme e ndërtesës. Shtesat e bëjnë ndërtesën që të shihet se në të është vënë dorë. 

Sipas deklaratës së përbashkët të anëtarëve të jurisë, projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e fondacionit “Hajde” për të krijuar një qendër të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik.

“Propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit. Projekti është në harmoni me kushtet materiale në dispozicion, duke ftuar artikulime dhe përshtatje të reja përmes dialogut të ngushtë me komunitetet e Runikut”, shkruhet në deklaratë. Sipas jurisë, projekti fitues ka potencialin të rrezatojë përtej Runikut, duke zgjeruar kuptimet kolektive se çfarë dhe për kë mund të jetë një hapësirë publike. Po ashtu sipas tyre, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik si një qendër bashkëkohore kulturore dhe një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore në vend. 

Paraprakisht procesi i punës për detyrën projektuese kishte nisur me organizimin e punëtorisë me komunitetin e fshatit të Runikut përmes të cilit janë identifikuar nevojat dhe dëshirat e komunitetit rreth së ardhmes së Shtëpisë së Kulturës. Në bazë të rekomandimeve ishte hapur edhe thirrja publike për hartimin e projektit. 

Në gushtin e vjetëm Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës.

Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që në muajin gusht kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia ka arritur. Ka thënë që synojnë ta mbajnë gjallë institucionin kulturor edhe me ngjarje kulturore nga jashtë si festivale e organizime të ngjashme.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në fund të gushtit të kaluar kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për gjithsej 850 mijë euro buxhet.
Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin, që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para iu mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e vjetëm. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. Kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës.

Kryetari i komunës kishte tjetër version tek thoshte se ajo pjesë “ka mundur vetvetiu të rrënohet”, përderisa ekskavatorë e mjete të rënda ishin parkuar një ditë pasi dëmi ishte shkaktuar.

“Nuk është e vërtetë. Unë hiç më larg se dje kam qenë dhe e kam vizituar. Mund të ketë, se ai objekt ka qenë i dëmtuar nga lufta dhe ka mundur vetvetiu të rrënohet. Është i dëmtuar, është e vërtetë. Por, që ne nuk e kemi rrënuar dhe nuk e kemi në plan”, kishte thënë asokohe Nura.

Në një prononcim për KOHËN, një ditë pasi ishte rrënuar një pjesë e murit të Shtëpisë së Kulturës, nuk kishte lënë pa e përmendur se në diskutime me qytetarë të asaj ane, “deri në 95 për qind e 100 për qind kanë qenë që ai objekt, Shtëpia e Kulturës, të hiqet tërësisht”.
Diskutimi i së shtunës për të ardhmen e Shtëpisë së Kulturës, e ka dëshmuar të kundërtën. Takimi i parë ka qenë një lloj punëtorie për procedurën se si do ta projektojnë qytetarët idenë e tyre në letër.