Kulturë

“Shtëpia e grave” hap dyert e botës së artistes së aktivizmit

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. (Foto: Enver Bylykbashi dhe Agon Dana / GKK)

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. (Foto: Enver Bylykbashi dhe Agon Dana / GKK)

Në krejt Galerinë, veprat e artistes kroate Sanja Ivekoviq janë të pafundme. Të dy katet janë përplot. Po aq janë kuptimplotë dhe secila prej tyre ka kontekstin që bart dhe e zbërthen te publiku. Transmetohet ideja për kontributin e saj në shoqëri nëpërmjet veprave që bartin mesazhe e me to e prekin shikuesin. Duke u nisur nga rrëfime e histori lokale, marrin kontekst më të gjerë për ngjarje e fenomene që preokupojnë botën

Ekspozita “Shtëpia e grave” është një lloj profili artistik i kroates Sanja Ivekoviq. Përthekon më shumë se një gjysmëshekull krijimtari. Figura e saj prej pioniereje të videos, performancës dhe artit konceptual qysh prej viteve ’70 vjen nëpërmjet veprave të krijuara ndër vite e nga materialet e saj arkivore si trashëgimi e vyer që kthen në realitete historike e politike. Është vështrim retrospektiv, sikurse edhe ekspozita e shpalosur në krejt hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës. 

Dy ekspozita brenda njërës, të kuruara nga Hana Halilaj dhe kroatja Ivana Bago komunikojnë me të kaluarën dhe të sotmen, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e rrëfimeve të saj. 

Në krejt Galerinë, veprat e artistes kroate Sanja Ivekoviq janë të pafundme. Të dy katet janë përplot.

Po aq janë kuptimplotë dhe secila prej tyre ka kontekstin që bart dhe e zbërthen te publiku.

Transmetohet ideja për kontributin e saj në shoqëri nëpërmjet veprave që bartin mesazhe e me to e prekin shikuesin. Duke u nisur nga rrëfime e histori lokale, marrin kontekst më të gjerë për ngjarje e fenomene që preokupojnë botën. 

“Meeting points: Documents in the making” titullohet nënekspozita e shtrirë në krejt katin e sipërm të objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. E kuruar nga kroatja Ivana Bago, ekspozita sjell hulumtimin e saj nga ekspozita me titull “Dokumente 1949-76” e vitit 1976 në Zagreb. Siç edhe kishte ngjarë atëkohë, kur artistja synonte ta dokumentonte historinë e saj personale, ajo e ka bërë këtë pas afër një gjysmëshekulli në Prishtinë (Foto: Enver Bylykbashi dhe Agon Dana / GKK)

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. Ajo në katin përdhes është përzgjedhje e veprave të autores. E kuruar nga Hana Halilaj, prezanton një numër veprash të mediumeve të ndryshme, duke e bërë shumëdimensionale figurën e Ivekoviqit si artiste. “Përkohësitë e shpresës” quhet ajo që është strukturuar si një lloj nënekspozite e ekspozitës retrospektive “Shtëpia e grave”. 

Në shprehje vijnë kryesisht çështjet gjinore. Emra grash të heroinave partizane janë mbivendosur në portrete si posterë për revista të ndryshme. Të gjitha janë përndjekur për veprimtari antifashiste dhe janë vrarë në moshë shumë të re, kryesisht në të 20-at e tyre. Aty janë edhe imazhet nga performanca e saj “Trekëndëshi”. 

Videoja në format bardhezi sjell një seri reklamash si paralajmërim për ideologjinë antifashiste. Në njërën prej reklamave, janë vendosur shirita me ngjyrë të zezë vertikalisht, në formë grilash. 

Tejet unike, po aq sa edhe flasin shumë, janë pesë kallëpë gjipsi të fytyrave me titull “Shtëpia e grave” ku secila fytyrë prezanton një histori që dëshmon për rëndësinë e luftës së vazhdueshme të grave për të drejtat e tyre. Kjo bëhet nëpërmjet rrëfimeve të tyre të errëta. Janë vepra të ekspozuara për të parën herë. 

Është praktikë e artistes që në secilin vend që shkon, ta zhvillojë këtë projekt të saj. Njëjtë ka vepruar në Kosovë, në vitin 2004. 

“Interesimi im ka qenë dhe ende është që punët e mia të kenë subjekt gratë e abuzuara. Kurdo që bëj një ekspozitë të madhe, mundohem të bashkëpunoj me një strehimore lokale për gratë e abuzuara. Në vitin 2004, kur isha ftuar nga Erzen Shkololli për të qenë në ekspozitën e tij, e kam kontaktuar strehimoren në Pejë dhe kam bërë një punëtori me gratë që ishin aty atë kohë. Kjo është mënyra se si mundohem ta fokusoj dhunën ndaj grave si temë, e cila gjithmonë duhet të trajtohet. Po ndodh sot, ka ndodhur 20 vjet më parë. Është problem global”, ka thënë artistja Sanja Ivekoviq. 

Tejet unike, po aq sa edhe flasin shumë, janë kallëpë gjipsi portretesh me titull “Shtëpia e grave” ku secila fytyrë prezanton një histori që dëshmon për rëndësinë e luftës së vazhdueshme të grave për të drejtat e tyre (Foto: Enver Bylykbashi dhe Agon Dana / GKK)

Kuratorja e këtyre veprave, Hana Halilaj, ka thënë se ky është një lexim feminist i artistes. 

“Sanja e ka një lexim feminist në reprezentimin e grave në mediet masive dhe të objektivizmit të tyre që përdoret për konsumim. Shpeshherë këto histori u janë bashkëngjitur posterëve që janë reklama për brende dhe marka të ndryshme luksoze, por në momentin që shikuesi ofrohet dhe lexon storiet, takon një anë të kundërt të imazheve që këta posterë prezantojnë”, ka thënë ajo. 

Sipas saj, në veprat e artistes pasqyrohet, midis tjerash, edhe tranzicioni politik. 

“Ekspozita ‘Përkohësitë e shpresës’, e cila është nën ombrellën e ekspozitës ‘Shtëpia e grave’, prezanton rreth 50 vjet karrierë të praktikës artistike të Sanja Ivekoviqit, e cila njihet si pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në ish-Jugosllavi. Në punët e saj pasqyrohet edhe tranzicioni në kontekstin post-socialist. Në Galerinë Kombëtare kemi të prezantuara seri nga veprat, të cilat i ka realizuar qysh në vitet ’70, sidomos ndër videot e para”, ka thënë kuratorja Halilaj. 

“Meeting points: Documents in the making” titullohet nënekspozita e shtrirë në krejt katin e sipërm të objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. E kuruar nga kroatja Ivana Bago, ekspozita sjell hulumtimin e saj nga ekspozita me titull “Dokumente 1949-76” e vitit 1976 në Zagreb. Siç edhe kishte ngjarë atëkohë, kur artistja synonte ta dokumentonte historinë e saj personale, ajo e ka bërë këtë pas afër një gjysmëshekulli në Prishtinë. 

Materialet arkivore përfshijnë vizatime, skica, shënime, fotografi, letra, posterë ekspozitash, libra e revista. 

Artistja Sanja Ivekoviq ka thënë se ky arkiv është rrugëtimi i saj jetësor, të cilin e ka harruar.

“Aty janë të gjitha materialet personale, letrat, fotografitë dhe gjithçka që unë kam pasur në rrugëtimin tim jetësor, të cilin e kam harruar dhe kuratorja Ivana e ka nxjerrë dhe ajo e ka shfaqur duke krijuar këtë ekspozitë të bukur. Është hapësirë e mrekullueshme, veçanërisht më pëlqejnë ngjyrat e mureve, sepse zakonisht ato janë të bardha dhe mendoj se kjo e bën një diferencë të bukur”, ka thënë Ivekoviq. 

Është shprehur se ajo nuk kufizohet në mediume e stile. 

“Nganjëherë njerëzit që e shohin për herë të parë retrospektivën time mendojnë se është ekspozitë kolektive, sepse e urrej këtë treg arti ku artisti duhet të ketë stil, përndryshe nuk do të shitet. Unë kam qenë kundër. Përdor medie të ndryshme si printime, fotografi, vizatime, performancë, varësisht nga ideja dhe konteksti. Mendoj se konteksti është shumë i rëndësishëm, mbi të cilin bëj shumicën e punëve të mia. Ndoshta kjo nganjëherë e vështirëson punën e atyre që e shohin punën time”, ka thënë Ivekoviq, krijimtaria e së cilës është shfaqur në ekspozita të shumta kombëtare e ndërkombëtare. 

Është prezantuar në Bienalen e Parisit, Bienalen e Sao-Paolos, “Manifesta”, “Documenta”, Bienalen e Liverpoolit, Bienalen e Stambollit, Bienalen e Pragës dhe të tjera.

Videoveprat dhe videoinstalimet e saj janë shfaqur në festivale të shumta ndërkombëtare të videove (Lubjanë, Berlin, Gjenevë, Paris, Montreal, Los Anxhelos, Lokarno, Tokio, Hagë, Osnabrück, Bon, Dessau, e të tjera). 

Punimet e saj gjenden në koleksionet e shumë muzeve, duke përfshirë “MOMA” në Nju-Jork, “Musée National d’Art Modern Center Pompidou” në Paris, Muzeu i Artit Bashkëkohor në Vjenë e “Tate Modern” në Londër. Ivekoviqi angazhohet edhe në aktivizëm dhe është themeluese dhe anëtare e disa organizatave joqeveritare të grave në Kroaci.

Sanja Ivekoviq: “Nganjëherë njerëzit që e shohin për herë të parë retrospektivën time mendojnë se është ekspozitë kolektive, sepse e urrej këtë treg arti ku artisti duhet të ketë stil, përndryshe nuk do të shitet. Unë kam qenë kundër

Kuratorja e “Meeting points: Documents in the making” ka thënë se ekspozita është strukturuar si ese pamore ku rrëfimi kuratorial vendoset në të njëjtin plan me veprat e autores. 

“Ekspozita ‘Meeting points: Documents in the making’ është bazuar nga hulumtimi im mbi arkivin e ekspozitave personale të Sanjës dhe punës së saj në përgjithësi. Fokusohet në vitet ’70 dhe është strukturuar si një ese vizuale. Pra, në një formë është një hapësirë tekstuale, nëpërmjet së cilës kuptojmë jetën dhe punën e Sanjës nga viti 1968 deri më 1982. Ekspozita konsiston në veprat artistike origjinale që kombinohen me materiale arkivore si fotografi, letra, pjesë gazetash, shkrimet e saj ku ka shkruar idetë e saj për zhvillimin e veprave”, ka thënë kuratorja kroate, Ivana Bago. 

Ajo ka thënë se aspekt i rëndësishëm është konteksti feminist në vepra, duke treguar se Ivekoviqi e kishte punuar veprën e parë feministe më 1971. 

“Ekspozita shfaq mendimet e saj si artiste, eksperimentet me medie të ndryshme, eksperimentet me art në hapësirë publike, art me video, mbulon edhe shumë prej udhëtimeve të saj gjatë viteve ’70, pasi ishte shumë aktive në skenën artistike ndërkombëtare. Kur shkon në ekspozitë, mëson më shumë për punën e saj, por edhe kontekstet, mbi të cilat është vendosur. Një prej tyre është socializmi jugosllav në vitet ’70, gjithashtu institucionet e artit në ato kohë, bota e artit ndërkombëtar dhe feminizmi”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Shtëpia e grave” e Sanja Ivekoviqit e mbyll programin vjetor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 12 janar.