Kulturë

Shtatorja e kontestuar e Rugovës te hyrja e Katedrales

Mbrëmjen e së enjtes u vendos në bazament pa leje. Paraditen e së premtes, shtatorja e kontestuar e Rugovës u inaugurua. Por kjo është vetëm njëra anë e rrëfimit. Cenimi i kësaj figure, është tjetra

Fatet historike të Ibrahim Rugovës e Anton Çettës u kryqëzuan në janarin e acartë, kur vendosja e shtatoreve të tyre para katedrales “Nënë Tereza” ngjalli reagime.

Derisa familja e Çettës nuk lejoi që shtatorja e pajtuesit të gjaqeve të zërë vend aty, me arsyetimin se veprimtaria e tij është mbipartiake e mbifetare, dy djemtë e presidentit historik – Mendim e Ukë Rugova – publikisht e përkrahën nismën. Mbrëmjen e së enjtes u vendos në bazament pa leje. Paraditen e së premtes, shtatorja e kontestuar e Rugovës u inaugurua. Por kjo është vetëm njëra anë e rrëfimit. Cenimi i kësaj figura, është tjetra.

Përfaqësues të Ipeshkëvisë së Kosovës thanë se nuk është nevoja të merret leje për vendosjen e saj në kompleksin e Katedrales. Komuna e Prishtinës paralajmëroi se do të veprojë sipas legjislacionit në fuqi. E opinioni publik është i ndarë: dikush e përkrah e të tjerë e konsiderojnë se një prej figurave më të rëndësishme shqiptare është reduktuar në aktivist fetar.

Përvetësimi i figurës së ish-presidentit

Familjarë, klerikë fetarë dhe personalitete të skenës publike duartrokitën kur Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, Mendim Rugova dhe Anton Quni, ministër i Mbrojtjes ia hoqën mbulesën e kuqe dhe u zbulua vepra e skulptorit Fatmir Hoxha. Por jo të gjithë pajtohen se me këtë veprim i është bërë nder veprës së presidentit historik. Në rrjete sociale, komentet për vendosjen e shtatores së Rugovës kanë qenë të ndryshme. Disa e kanë përkrahur e disa të tjerë e kanë kritikuar ashpër këtë veprim.

Publicisti Enver Robelli nuk i ka kursyer kritikat. Në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se Ibrahim Rugova i veshur me kostum “të sarihtë si lula” po duket si anëtar i ndonjë bendi muzikor që në vitet ‘70 apo ‘80 këndonte nëpër restorante afër pompave të benzinës "INA" apo “Jugopetrol”.

“Në vitin 2021, kur dinjitarët fetarë e humbin rrugën, merren me politikë, sfidojnë ligjet dhe rendin urban. Kësisoj, një figurë nacionale shqiptare, ndër më të rëndësishmet të shekullit të 20-të, reduktohet në ‘bari të grigjës’ dhe ‘aktivist fetar’ (që s’ka qenë kurrë). Po mungojnë aty në oborrin e Katedrales vetëm edhe qengjat që Bashkësia Islame i blen për Bajram të Vogël për të bërë pak biznes. Do të ishte një bashkim mentalitetesh të njëjta kuazifetare me ambicie tyxharie ku përzihen pak citate Kurani e Bible dhe shumë euro”, ka shkruar Robelli, duke shtuar se të paktën Anton Çetta pati pasardhës të denjë që e mbrojtën nga keqpërdorimi i figurës së tij që zë vend në zemrën e çdo shqiptari.

E analisti Imer Mushkolaj ka shkruar se me këtë shtatore, Kisha Katolike po përpiqet ta përvetësojë figurën e Ibrahim Rugovës.

“Njësoj provoi të manipulojë edhe me Anton Çettën. Këto figura nuk mund të përkufizohen brenda një religjioni të caktuar, andaj veprimet e tilla tendencioze i shërbejnë përçarjes, e kurrsesi tolerancës fetare e bashkëjetesës. Vetë Rugova e Çetta ishin unifikues, e jo përçarës e përjashtues”, ka shkruar Mushkolaj.

Në pyetjen nëse kjo shtatore e ka vendin te Katedralja, të shtruar në “Koha.net”, qytetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Dikush e ka përkrahur pa kushte vendosjen e shtatores, e të tjerë kanë thënë se nuk e ka vendin aty. Disa komentues kanë theksuar se është dashur të merrej leje paraprake.

Në anën tjetër, pyetjes nëse me këtë veprim Ibrahim Rugova po shndërrohet në figurë fetare, sekretari i Ipeshkëvisë së Kosovës, don Fatmir Koliqi, e ka cilësuar të pakuptimtë.

“Nuk merret personaliteti për ta bërë fetar, por për ta nderuar për figurë gjithëkombëtare që e kemi presidentin Ibrahim Rugova. Ky ka qenë mendim, plan i kahershëm për t’i nderuar pikërisht në sheshin para Katedrales. Janë dy figura që identifikojnë shtetin tonë. Kombin, identitetin e Kosovës”, ka thënë ai pas inaugurimit të shtatores.

Pyetjes së njëjtë, skulptori Fatmir Hoxha i është përgjigjur në mënyrë të tërthortë.

“Pikërisht janë këto gjëra që e thyejnë atë formulën e një njeriu të rëndomtë. Ibrahim Rugova edhe tjetri ishin dy kolosët e kombit shqiptar. Ata që përafruan popullin dhe na mësuan që vetëm nëpërmjet pajtimit jemi më të fortë. Dhe për mendim tim një Anton Çettë dhe një president historik si Rugova do të duhej t’i kemi në çdo shtëpi për të na përkujtuar që të jemi më të dashur mes vete, me motra, me vëllezër, me të gjithë, si Shqipëria etnike”, ka thënë ai.

Ipeshkëvia s’pyet për leje

Vendosja e shtatores së Rugovës para katedrales “Nënë Tereza” u bë pa lejen e Komunës së Prishtinës. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të enjten mbrëma i ka thënë KOHËS që një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se pajisja me leje bëhet nëpërmjet Kuvendit Komunal. Por krejt ndryshe mendojnë përfaqësuesit e Ipeshkëvisë së Kosovës.

“Ne konsiderojmë se nuk duhet të merret një leje në kompleksin e Katedrales, sepse ne qysh në vitin 2007 kemi lejen për ndërtimin e Katedrales dhe objektit përreth. Kështu që nuk është nevoja e një leje, mbi lejen e Katedrales”, ka thënë dom Fatmir Koliqi,

As skulptori Fatmir Hoxha nuk konsideron se duhet marrë leje nga Komuna.

“Çfarë leje duhet të japë Komuna, kjo është pronë e Kishës, prej ku jam unë e deri atje. Komunarët mund të shohin gjëra më të mençura e jo t’i lënë kontejnerët këtu”, ka thënë ai, duke aluduar në kontejnerët e vendosur në afërsi të Katedrales.

Të kontaktuar nga KOHA zyrtarët komunalë të premten kanë pasur përgjigje të shkurtër lidhur me atë sesi do të veprohet tutje.

“Do të verifikohet dhe procesohet sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.

Skulptori Fatmir Hoxha ishte i vetmi që foli në ceremoninë e zbulimit të shtatores. Ai ka rrëfyer sesi këtë shtatore e ka realizuar pas vdekjes së presidentit historik, më 21 janar të vitit 2006.

“Shtatoren e presidentit Ibrahim Rugova e kam filluar ta punoj dy ditë pas shkuarjes në amshim të presidentit. Dy vjet të plota kam punuar, në kohë maratonike. Çdo ditë nga 14-15 orë, përveç të dielës, deri pas meshës, kam shkuar e kam vazhduar punën”, ka thënë ai.

Ipeshkëvia e bëri gati edhe bazamentin për vendosjen e shtatores së Anton Çettës, por pas reagimit publik të familjes së pajtuesit të gjaqeve, u tërhoq. Familja reagoi duke thënë se “ky veprim nuk qëndron në përputhshmëri me misionin e prof. Çettës”, pasi “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”.

Ceremonia e përurimit të shtatores së Rugovës ka vazhduar me meshën përkujtimore për imzot Mark Sopin, ku ishte prezent edhe Ukë Rugova. Ai nuk ka dashur të deklarohet para medieve për shtatoren e të atit. Gjatë meshës u tha se Rugova kishte qasje perëndimore dhe figura e tij u lartësua po aq sa ajo e Mark Sopit.

Shtatorja e Çettës dhe ajo e presidentit Ibrahim Rugova, qysh në vitin 2015, nga oborri i skulptorit Hoxha ishin zhvendosur te shkallët e katedrales “Nënë Tereza”.

Sikur të mos reagonte familja, edhe shtatorja e pajtuesit të gjaqeve do të vendosej te Katedralja në Prishtinë.

“Familja e prof. Anton Çettës deklaron që nuk është në pajtueshmëri me vendimin që është marrë nga Ipeshkëvia e Kosovës, që më datën 15 janar 2021, shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në oborrin e katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë”, thuhej në reagimin e familjes.

E skulptori Hoxha nuk ka dashur të tregojë saktë se çfarë do të ndodhë me këtë vepër. U ka thënë gazetarëve se “ju jeni ekspertë, zbulojeni vetë”. Por në fjalimin e mbajtur gjatë ceremonisë së inaugurimit, ai shkurtimisht e ka përmendur edhe këtë shtatore.

“Ky realizim është vetëm gjysma e pjesës, shpresoj që do të mbahen fjalët që edhe shtatorja tjetër do të vendoset”, ka thënë ai.

E për shtatoren tjetër të Çettës, të realizuar nga skulptori Agon Qosa, Komuna e Prishtinës, në nëntor të 2020-s, e caktoi lokacionin te Fakulteti Filologjik.