Kulturë

Shqiptarët në cak të diskursit serb

Elitat serbe, që prej krijimit të shtetit të pavarur shqiptar më 1912, kishin vënë fokusin te shqiptarët. Por paraqitjet kishin qenë gjithnjë në funksion të qasjes kolonialiste serbe në emër të të ashtuquajturit mision qytetërues. Përkundrejt tij qëndronte vizioni i mëvonshëm jugosllav, i cili përpiqej t’i kundërvihej diskursit hegjemonist serb. Kështu, Kosova dhe shqiptarët kishin zënë vend në dijet enciklopedike jugosllave, por trajtimi dallonte nga vendi në vend e nga koha në kohë

Ato do të mund të ishin vepra cilësore arti sikur nënkuptimi e mesazhi të mos ishin qëllime kryesore. Ajo çka fshihet pas “Kosovka devojka”, vaj në kanavacë, është vetë miti serb që ngriti krye pas Luftës së Parë Botërore. Fryt i brushës së piktorit Urosh Prediq, vepra në fjalë u bë shprehje vizuale e viktimizimit serb për gjoja sakrificën e tyre në betejën e zhvilluar më 1389 pak më në veri të Prishtinës. Por habitërisht prirje të tilla mitizuese kishte treguar edhe skulptori kroat, Ivan Meshtroviq, veçmas me skulpturën e tij “Bija e Kosovës”, të bërë më 1907.

Një laramani paraqitjesh të shqiptarëve në diskursin serb e më vonë edhe atë jugosllav – prej atyre negative deri tek ato më objektive – ka qenë boshti i ligjëratës së studiuesit Christian Voss, të titulluar “Shqiptarët në ndërtimin e dijes jugosllave dhe serbe”.

I zhvilluar paraditen e së enjtes përmes “zoomit” si aktivitet në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, profesori nga Humboldt-Universität në Berlin tashmë është emër i njohur në projektet që kanë të bëjnë me imazhin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në dijen enciklopedike të ish-Jugosllavisë.

Në adresimin e tij në fillim të ligjëratës, Voss ka shprehur keqardhjen që e ka pasur të pamundur ardhjen në Prishtinë. Duke shpalosur përmbajtjen e kërkimit të tij, ai ka thënë se paraqitjet në enciklopeditë e ish-Jugosllavisë janë një “zonë e pahulumtuar”.

“Këto enciklopedi, në fakt, janë projekti kryesor për ndërtimin identitar jugosllav në fushën e kulturës dhe njohurive enciklopedike”, ka thënë Voss, i cili ka ligjëruar në një shqipe të rrjedhshme.

Sipas tij, artikujt e botuar për shqiptarët përfaqësonin një luftë të hapur politike. Këta zëra që bëheshin pjesë e dijes leksikografike, ka vijuar ai, janë tregues të qartë se popullsia jugosllave nuk ishte në gjendje të ndërtonte një vizion të përbashkët të historisë së vet.

“Unë jam marrë me vizionin serb që përbëhej nga diskursi tipik i misionit qytetërues që është tipik për fuqitë klasike kolonialiste dhe vizionin jugosllav që përpiqej seriozisht ta kapërcente hegjemoninë serbe”, ka thënë Voss, i cili është edhe pjesë e Institutit për Sllavistikë dhe Hungarologji në Humboldt-Universität.

Në vizionin jugosllav, në diskursin antihegjemonist, i jepej një mbështetje kombformimit të maqedonasve dhe myslimanëve.

“Por pika vendimtare ishte nëse do të pranohej ose jo që shqiptarët ishin njësi kombëtare në Kosovë”, ka shtuar ai.

Në vijim të ligjëratës, studiuesi nga Berlini ka vënë re se figura e shqiptarit përthyhej ndryshe-ndryshe në opinionin jugosllav kur rreth 40 për qind e shqipfolësve mbeten jashtë shtetit të krijuar më 1912.

Në këtë kohë, sipas Voss, kishte pasur edhe paraqitje demonizuese si libri racist i ish-kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq “Serbët dhe shqiptarët”.

Hiç më mirë nuk kishte qenë as paraqitja e shqiptarëve në enciklopedinë e Stanoje Stanojeviqit “Narodna enciklopedija Srpsko-Hrvatsko-Slovenačka I-IV”.

Voss, në vijim të ligjëratës, ka përshkruar shkurtimisht edhe përpjekjet e mëpastajme për krijimin e një identiteti jugosllav në Kosovën shqiptare.

“Pas ndalimit dydekadësh të kulturës shqipe, pas vitit 1966, mund të flasim për një promovim të hapur”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se paraqitja e shqiptarëve si fise kaotike primitive ishte prodhim i diskursit të elitave serbe pas pavarësimit të Shqipërisë.

Me këtë rast, studiuesi gjerman ka vënë në dukje edhe monumentin e “trinitetit” të partiznallëkut serbo-shqiptaro-turk i ndërtuar më 1961 në Prishtinë. E njëjta përpjekje për krijim identitetesh kishte qenë në zemër të monumentit të ndërtuar mbi kodrat minerare në Mitrovicë.

Një kërkim në linja të tilla është vijuar edhe në referimet e pasdites. Kështu, Agata Rogos ka sjell referimin “Prishtina e re dhe perceptimet e trashëgimisë jugosllave në Kosovë”. Pas saj janë lexuar edhe referimet e Aleksandra Dugushinës “Hapësira rituale femërore në vendet sakrale të përziera: rastet në Kosovë dhe Mal të Zi”; Maria Morozova “Sa më shumë gjuhë të dish, aq më shumë njeri je: Vështrim sociolinguistik mbi fshatin shqiptar Karakurt”; Flamur Shala “E ardhmja e së shkuarës së dëftores dhe e tashmja e kushtores së foljeve të gjuhës shqipe” dhe Tinna Zaccato “Raporti gjuhësor dhe kulturor i një komuniteti alloglot: Frascineto-Frasnita. Ndryshimet dhe evolucioni i arbëreshëve në gjashtëdhjetë vjet histori”.