Estetika e tij në vepra me tis historie ishte zbardhja e së vërtetës. Jo kot, sapo hapet libri që ai la në dorëshkrim dhe u botua pas vdekjes, zë vend maksima e Gandhit se “nuk ka zot më të lartë se e vërteta”. Këtë e bën edhe Shyqri Nimani: ballafaqon të vërtetën e shqiptarëve me trillimet serbe. “Titulli i librit na e parathotë atë që është përmbajtja e tij: një ballafaqim midis fakteve historike nga njëra anë dhe trillimeve mitologjike nga ana tjetër”, ka thënë akademik Pëllumb Xhufi. “Këtë libër duhet ta shpërndajë sa më shumë shteti i Kosovës në mënyrë që t’i përgjigjet propagandës së Serbisë”, ka thënë historiani Jusuf Buxhovi
Foleja midis një kryqi të gurtë nuk është thjesht ilustrim i ballinës së librit. Daltat nëpërmjet të cilave gdhendet a çahet guri janë imazhe që flasin. Por kur hapet libri, një fjalë e urtë popullore korçare e plotëson shumë imazhin e ballinës. “Ardhën galat dhe prishnë folenë e bilbilit” nuk është zgjedhur rastësisht. Prej aty bëhet e ditur se artisti, studiuesi e profesori universitar, Shyqri Nimani, nëpërmjet tekstit dhe imazheve ka tjerrë në detaje temën të cilën e ka punuar. “Shqiptarët dhe serbët” me nëntitull “E vërteta kundër të pavërtetës” është promovuar të mërkurën, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Tri ditë pa u bërë një vit prej kur në moshën 82-vjeçare vdiq profesor Nimani, familjarë, miq, kolegë e adhurues të punës së tij janë mbledhur në institucionin që ai e ka drejtuar për një dekadë prej vitit 1979, kur edhe u themelua ajo që tash është Galeria Kombëtare e Kosovës. Përmbajtja e veprës që është botuar në shqip e anglisht është ajo që e ka lënë Nimani në dorëshkrim. E kishte lënë gati po ashtu edhe dizajnin.
“Nuk ka zot më të lartë se e vërteta”, është titulli hyrës i librit duke huazuar thënien e Mahatma Gandhit. Nimani në këtë vepër të botuar e promovuar post mortem bën ballafaqimin e të vërtetave shkencore të shkruara nga autorë eminentë me fabrikimet serbe për historinë e këtyre anëve. Ilustrimet i ka po ashtu kokëforta. Të pranishmit kanë vlerësuar veprën e Nimanit si një botim të veçantë e në kohë të duhur.
Akademik Pëllumb Xhufi ka thënë se profesor Nimani nuk ka lënë prapa pishmane. Sipas tij, bashkë me këtë vepër ai ka lënë një varg veprash të çmuara ku fjalës së historianit i vjen në ndihmë edhe imazhi me çka e vërteta historike tek ai merr edhe më shumë forcë.
“Si tek asnjë studiues tjetër shqiptar, te Shyqri Nimani bashkohen në një historiani, fotografi, epigrafi, piktori, hartografi, heraldisti dhe kaligrafi. Ky poliedrizëm bëri që studiuesi dhe patrioti Shyqri Nimani të kishte privilegjin e të përzgjedhurit për të shtruar mbi pergamenë deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 17 shkurtit 2008 që e shpallte Kosovën shtet të pavarur, gjë që ai e bëri me mjeshtëri, por edhe me shumë dashuri dhe emocion”, ka thënë Xhufi.
Sipas tij, në këtë vështrim prezantimi i këtij libri të lënë në dorëshkrim në kuadër të veprimtarive të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës është një vlerësim që institucionet, kolegët e shokët u bëjnë jetës dhe veprës së këtij punëtori fjalëpakë e punëshumë të albanologjisë.
“Titulli i librit na parathotë atë që është përmbajtja e tij: një ballafaqim midis fakteve historike nga njëra anë dhe trillimeve mitologjike nga ana tjetër, të cilat, këto të fundit përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe asgjësimit të tjetrit qysh në kohën e Nemanjiqëve serbë në shekujt 13 dhe 14”, ka thënë ai. Sipas Xhufit, një mitologji të tillë autori e sheh të mishëruar në dëshmitë e vjetra. Ka përmendur në kronikat serbe të shekujve 13 dhe 14 dhe aktet zyrtare të carit serb, Stefan Dushani.
“Në ato dokumente dhe shumë të tjera flitet shkoqur për një urrejtje me prapavijë ekonomike, fetare e mbi të gjitha kombëtare të pushtetarëve serbë që qëndron në themel të politikave gjenocidiale të zbatuara prej tyre deri në ditët tona në dëm të shqiptarëve”, ka thënë ai. Akademik Xhufi ka thënë se profesor Nimani i konsideron si pasues të politikave mesjetare të asgjësimit të shqiptarit apologjetët modernë të asaj ideologjie si Ilia Garashanin dhe “Naçertanien” e tij, Vaso Çubriloviqin dhe elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” apo edhe nobelistin Ivo Andriq, i cili në memoarin e tij tregon se s’ka asgjë të përbashkët me humanizmin.
“Idetë vrastare të intelektualëve e akademikëve serbë, thotë profesor Nimani, shkaktuan të njëjtat tragjedi mbi shqiptarët si ato të shekujve të errët të mesjetës. Ai citon emra politikanësh e intelektualësh të huaj të cilët qysh në atë kohë denoncuan barbaritë serbe në Kosovë më 1913”, ka thënë Xhufi. Vepra e Nimanit prek historinë prej ardhjes së serbëve në këto anë e deri te lufta e fundit ku pushteti serb vrau në Kosovë afro 10 mijë civilë duke bërë që bota demokratike të ndërhyjë për ta ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve.
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se Nimani ka bërë punë prej intelektuali dhe ka shkruar për gjëra që duhet të thuhen. Ka thënë se studiuesit duhet të përmendin se politika ka krijuar “eksterritorialitet” të kishave serbe në Kosovë.
“Në këtë kuptim dua të them se ky libër është shumë i rëndësishëm. Jep argumente që kjo të demistifikohet. Këtë libër duhet ta shpërndajë sa më shumë shteti i Kosovës në mënyrë që t’i përgjigjet propagandës së Serbisë veçmas në planin kulturor dhe në rrënimin e historisë e trashëgimisë sonë. Uroj që shteti i Kosovës më në fund t’u kthehet kulturës e shkencës, t’i kthehet asaj që politika vazhdon ta prishë në Prishtinë e në Tiranë”, ka thënë ai. Ka treguar se Nimani kishte bashkëpunuar me të sa i përket historisë së mesjetës.
Poeti Lulzim Tafa, si mik i Nimanit, ka thënë se në artin e historinë dhe përgjithësisht në kulturën shqiptare profesor Nimani është ndër emrat më të respektuar.
“Nimani si studiues kulturës shqiptare kontribuoi dhe la një pasuri të madhe të veprave të ndryshme shkencore por edhe artistike. Është autori që me punën e tij të palodhshme bëri të pamundurën për të zbuluar e rigjetur personalitetet e njohura botërisht që ishin me gjak e rrënjë shqiptare”, ka thënë ai. Sipas Tafës, Shyqri Nimani ka bërë përpjekje të vazhdueshme e këmbëngulëse në vërtetësinë e autoktonisë shqiptare. Ka thënë se në këtë drejtim edhe në këtë vepër vazhdon me shtjellimin e temave që lidhen me etninë shqiptare, me historinë e trazuar dhe me fatin e popullit shqiptar gjatë historisë.
Nimani përtej profesorit si dizajner ishte i dhënë pas historisë. U lind më 6 maj të vitit 1941 në Shkodër. Kreu studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1967, ku përfundoi edhe studimet pasuniversitare. Për shumë vjet ishte mësimdhënës i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Sipas biografisë së tij, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, krijimtaria e tij artistike përfshin pllakatin, ilustrimet, logot, përgatitjen grafike të librit, si dhe të gjitha disiplinat e aplikueshme në grafikë.
Rrugëtimi i Nimanit qe i bujshëm. Në vitet 1976-1978 qëndroi për hulumtim artistik në Japoni dhe më pas bëri udhëtime studimore në Angli, Francë, Itali, Shqipëri, Rusi, Spanjë, Greqi, ShBA, Singapor e të tjera.
“Realizoi ekspozita personale: Cavtat (1971), Tokio (1978), Beograd (1971, 1975) si dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jashtë, në vendet e rajonit dhe më gjerë. Është fitues i disa çmimeve: për logon e Galerisë së Arteve të Kosovës (1976), për logon e Universitetit të Prishtinës, (1979) për logon e Grand Hotel Prishtina, për logon e kompanisë së sigurimeve ‘Kosova’ (1975), pastaj i Çmimit të Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës (1974) Çmimin vjetor në Sallonin e Tetorit në Beograd për logon e RTV-Prishtina (1970) e të tjera”, shkruhet në biografi. Është autor i disa monografive përfshirë “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë” më 1987, “Arti bashkëkohor i Kosovës” më 1988, “Përgatitja e librit” më 1990, “10×10 – Ars Longa Vita Brevis” më 1994; “Trojet shqiptare në harta dhe stema” më 1997; “Arnavud – Artistët shqiptarë në Perandorinë Osmane” më 2003, “Gurë të mozaikut shqiptar” më 2011; “Mehmet Ali Pasha” më 2012; “Artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane”.
Sot gjurmët e artit të tij janë ngado. Emri i tij, i patejkalueshëm në historinë e re të Kosovës e të shqiptarëve. Njashtu ishte kujtuar në ditëvdekjen e tij, nga ata që e njohën e punuan me të, sikurse edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit.
Ballina e “Shqiptarët dhe serbët”, me folenë që shkatërrohet, është një lloj antipodi i punës së Nimanit ndër vite. Ai kontribuoi në kthimin e copëzave të folesë duke plotësuar mozaikun historik e kulturor të shqiptarëve.