Shteti shqiptar në kuadër të rifunksionalizimit të infrastrukturës së mbrojtjes nga koha e socializmit ia ka dalë ta shndërrojë edhe një hapësirë ushtarake në galeri. Kësaj radhe, ish-depot e ushtrisë në Seferan të Bleshit. Siç kanë raportuar mediat e Shqipërisë, nën praninë e dhjetëra piktorëve me famë ndërkombëtare nga Kanadaja, Kina, Peruja, Turqia, Çekia dhe shumë vende të tjera, është hapur galeria “2 Botët” që është konceptuar dhe kuruar nga artisti i njohur shqiptar, Helidon Haliti.
Me mbështetjen e Bashkisë Belsh dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kuratori Haliti citohet të ketë thënë se është koha që tepricat e dikujt janë pasuri për dikë tjetër.
“Është koha që të bashkon dy botë, atë të para ‘90 të mbushur me bunker, me depo, teprica, sot ne e kemi pasuri dhe po e kthejmë në një art. Them sot, sepse turizmi është në zhvillim dhe vëmë re që galeritë mungojnë. Para tre muajsh filluam punën këtu me Bashkinë e Belshit, ramë absolutisht dakord, që këtë depo të vjetër ta kthejmë në një mënyrë kaq autentike në një muze të vogël arti ku sigurisht nuk do të jetë e një individi. Do të jetë një sallë e jashtëzakonshme, shumë origjinale pikërisht për të ekspozuar artistët nga trevat dhe ata kontemporanë nga e gjithë bota”, citohet Haliti nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Sipas tij, kjo hapje e galerisë vjen si inaugurim dhe në prag të Festivalit të akuarelit, ku të pranishëm do të jenë 20 nga mjeshtrit më të mëdhenj të akuarelit në të gjithë botën të cilët do të pikturojnë, sepse vetë Shqipëria e promovon këtë lloj mënyre pikturimi.
“Ndërkohë që kulinaria padyshim zhvillohet në këtë zonë në mënyrë fantastike. Ndërsa në zonë po bëhet investime, Fondi Shqiptar për Zhvillim me sa pashë ka bërë kapanone të ndryshme ku mund të zhvillohen edhe ato startupe për të zhvilluar ndoshta prodhim qeramike apo mozaikë, sepse ne nxjerrim studentë të ndryshëm ku duhet të pozicionohen”, ka thënë ai.
Më tej, Haliti theksoi se të rinjtë e zonës padyshim duhet të mësojnë nga mjeshtrit e mëdhenj që do të vijnë të performojnë, do të vijnë të demonstrojnë në galeri.
“Duke i dhënë komunitetit këtë galeri e cila dukej si një depo para disa kohësh dhe sot kthehet në një pikë kontemporane, u japim mundësi padyshim dhe turistëve të ndryshëm që të kenë çfarë të shohin, jo vetëm ato kabinat e rehatshme të mrekullueshme apo hotelet, apo bujtinat që kanë ngritur shumë. Dhe sigurisht kulinaria që zë gjithmonë vend. Atëherë tani kemi dhe art dhe duam që të gumëzhijë”, përfundoi Helidon Haliti.
Gjatë fjalës në hapjen e galerisë, kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, ka thënë se me nisma të tilla synojmë që këto bukuri natyrore të promovohen përmes artit si një destinacion të rëndësishëm turistik anembanë globit.
“Mirë se vini në këtë ekspozitë dhe galeri shumë të bukur. Dua t’u uroj mirëseardhjen artistëve të njohur ndërkombëtarë që kanë ardhur në Belsh. Mirë se keni ardhur në këtë relikt të vjetër që para disa muajsh nuk shihej me sy, por një artist I madh si Helidon Haliti e ka transformuar në një ekspozitë, në një galeri shumë të bukur. Urime Helidon për këtë aktivitet dhe shumë projekte të tjera që do të pasojnë”, u shpreh Tafani.
Kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve, Atanur Dogan, ka thënë se sa herë që vjen në Shqipëri, shikon diçka ndryshe dhe gjithmonë më atraktive. “Ne jemi shumë të gëzuar që Helidoni është një nga drejtuesit tanë të Shoqatës Ndërkombëtare të akuarelistëve, duke përfshirë nga 120 përfaqësuesit nga vende të ndryshme dhe ai ka bërë një punë të shkëlqyer për komunitetin tonë gjithashtu dhe për Shqipërinë. Jemi shumë të impresionuar dhe duam që të vijmë sërish në Shqipëri”, citohet të ketë thënë ai.