Kulturë

Shqipëria synon t’ia kthejë lavdinë Cirkut Kombëtar

Cirku-Shqiperi

Këtë vit shënohet 65-vjetori i themelimit të Cirkut Kombëtar. Të shtunën ky institucion për të shënuar Ditën Botërore të Cirkut në Amfiteatrin e Tiranës dha shfaqje në shenjë simbolike. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka thënë të dielën se sfida e tyre është për t’ia kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm

Përderisa në Kuvendin e Shqipërisë fjala cirk shpesh përmendet në kontekstin e përqeshjes së institucionit legjislativ duke i përshkruar seancat si shfaqje cirku, Qeveria synon që shteti ta fuqizojë një tjetër institucion: Cirkun Kombëtar. 

Këtë vit shënohet 65-vjetori i themelimit të Cirkut Kombëtar. Të shtunën ky institucion për të shënuar Ditën Botërore të Cirkut në Amfiteatrin e Tiranës dha shfaqje në shenjë simbolike. Dita Botërore e Cirkut është një ditë e veçantë për të festuar artin dhe kulturën e cirkut dhe kjo u shënua me një shfaqje për fëmijë e të rritur, ku disiplina të ndryshme të artit të cirkut u bënë bashkë për të zbavitur audiencën. Midis të ftuarve ishte edhe akrobatja ukrainase, Dyana Yarova. 

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja,  ka thënë të dielën se  sfida e tyre është për t’ia kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm.

Ministri Gonxhja, derisa ka ndarë në rrjetet sociale momente nga shfaqja dhe performanca e akrobatëve shqiptarë, ka thënë se Cirku është një hapësirë ku shkëputesh nga realiteti, duke u bërë pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij.

“Ky vit shënon 65-vjetorin e Cirkut Kombëtar, i vetmi në Ballkan për llojin e tij, çka na sjell para një sfide të vështirë, për t’ia kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm, në një hapësirë ku fëmijët dhe të rriturit mund të shkëputen nga realiteti dhe të bëhen pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij”, shkroi Gonxhja. Në Ditën Botërore të Cirkut, ministri Gonxhja shprehu mirënjohje për artistët e cirkut dhe emocionet magjike që kanë përcjellë përmes performacës së tyre.

“Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë artistët e mrekullueshëm, për çdo emocion dhe të qeshurat pafund që ata kanë dhuruar ndër vite, duke e bërë cirkun një nga format e artit më të dashura për të gjithë”, ka shkruar ministri Gonxhja.