Kulturë

Shqipëria restauroi 500 monumente për 5 vjet

Gjirokastra

Gjirokastra

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë Blendi Gonxhja ka raportuar të martën në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në seancën dëgjimore për situatën e lokaliteteve të trashëgimisë kulturore. Ka thënë se për pesë vjet, shteti shqiptar ka përkrahur edhe prej donacioneve të huaja, ka restauruar afro 500 monumente përderisa për tetë muaj, janë shënuar mbi 800 mijë vizita në objekte e lokalitete të trashëgimisë kulturore. 

Fillimisht ministri Gonxhja i është përgjigjur deputetit të opozitës, Agron Gjekmarkaj dhe vërejtjeve të tij lidhur me homazhet ndaj shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare. Gonxhja citohet të ketë thënë se gjithçka sa i përket ceremonisë mortore, u koordinua me familjen, në masën dhe diskrecionin e miratuar nga familja e tij. 

“Protokolli i shtetit ka marrë përsipër praktikën që zhvillohet në këto raste dhe se të vetmit që do mund të kritikonin duhet të ishin familjarët”, është cituar Gonxhja.

Më tutje, ministri u shpreh se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka luajtur një rol kryesor në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. 

Sipas tij, “për periudhën janar-gusht 2024, sitet kulturore kanë mikpritur 875 mijë 315 vizitorë, mbi 36 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”.

Ministri Gonxhja ka thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për shtimin e turistëve në vend por edhe me punën e mirë të administrimit të këtyre lokaliteteve.

“Disa nga arritjet kryesore të trashëgimisë kulturore janë: Ruajtja e restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, gjithsej 499 objekte të restauruara nga buxheti i shtetit dhe në bashkëpunim me donatorë për periudhën 2019-2024. Investime në infrastrukturën kulturore me financim nga buxheti i shtetit, si për shembull: projekti i ‘Shtëpisë së Arbëreshëve’, restaurimi dhe muzealizimi i ‘Banesës së Toptanëve’, ish-Burgu i Spaçit e të tjera objekte që lidhen me kujtesën”.
Ministri ka përmendur faktin se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka pasur një mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian, me projekte si rehabilitimi i Amfiteatrit të Durrësit, Ura e Matit, Restaurimi i Kishës së Kozarës e shumë të tjera.
“Është një përmasë e jashtëzakonshme investimesh”, citohet të ketë thënë ai. 
Ministri Gonxhja ka përmendur edhe programin “EU4Culture”, i cili ka rezultuar i suksesshëm, edhe pse është një financim i huaj prej 40 milionë eurosh, por ka pasur bashkëpunimin e të gjitha strukturave të Ministrisë. Gjithashtu ka përmendur edhe fondin e “AADF” prej 54 milionë, në 18 projekte, fondin e Fondin Shqiptar të Zhvillimit në 46 projekte në vitet 2022-2024, me 130 milionë euro të investuara.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka thënë se do të punohet për qendrën historike të Durrësit, brenda mureve të qytetit antik, për ta bërë një tjetër krenari, siç ka ngjarë me qytetet historike, Gjirokastra e Berati. Gjithashtu sipas tij do të punohet edhe me Kalanë e Gjirokastrës për ta kthyer në atraksion 365-ditor.