“Building Architecture Culture” është titulli i veprës me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Siç është bërë e ditur në një njoftim, Pavijoni shqiptar do të eksplorojë marrëdhënien midis arkitekturës dhe shoqërisë, duke shtrirë ndikimin e saj përtej praktikës, në akademi dhe sferën publike. “Kjo është një hapësirë dialogu ku idetë ndahen, pikëpamjet shkëmbehen dhe riformësohen”, shkruhet në njoftim. Kuratorja e pavijonit shqiptar, Anneke Abhelakh, është studiuese e angazhuar në projekte në fushën e artit bashkëkohor, arkitekturës dhe hapësirave publike, që jeton dhe punon në Zürich. Fusha e veprimtarisë fokusohet në marrëdhëniet hapësinore midis praktikës, akademisë dhe sferës së tretë të kulturës arkitekturore dhe zhvillon projekte që lidhin dhe nxisin diskutimin dhe mirëkuptimin. Bienalja e Arkitekturës hapet për publikun prej 10 majit deri më 23 nëntor 2025. “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive” është tema e edicionit të sivjetmë të kësaj ngjarjeje madhore, e cila si zakonisht do të prezantojë pjesëmarrjet kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias.
Ndërkaq Kosova e ka përzgjedhur veprën e vet qysh në janar. Ndryshimet klimatike e ndikimi i tyre në ekosistem si temë globale e njëkohësisht edhe me shembuj lokalë do të jenë çështjet që do të ngrijë pavijoni i Kosovës. “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” titullohet vepra dhe tema i shkon për shtati asaj të përgjithshmes të caktuar nga kuratori Carlo Ratti, “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”. Për përfaqësimin e Kosovës kishte vendosur juria 5-anëtareshe, përderisa përfaqësuese do të jetë arkitektja Erzë Dinarama. Nëpërmjet publikimit të vendimit të Ministrisë së Kulturës ishte shpalosur edhe raporti i jurisë. Aty bëhej e ditur se në konkurrencë kanë qenë 11 projekte. Përcaktimi për konceptin e Dinaramës shkruhej të jetë bërë duke u bazuar në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales dhe angazhimin për të adresuar çështje kritike globale dhe lokale përmes hulumtimit arkitekturor. “Projekti ka qasje eksperimentale, dinamike e diskursive dhe ofron një platformë për formësimin e ideve gjatë muajve te Bienales, si dhe ofron përfitime afatgjata për ekspertët e fushës”, shkruhej në raport. Aty bëhej e ditur se propozimi trajton njërën nga sfidat më urgjente globale - ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në ekosisteme, përmes lentës së migrimit të specieve.
“Ai e pozicionon këtë fenomen si çështje hapësinore dhe ekologjike me pasoja të thella kulturore, gjeopolitike dhe mjedisore. Projekti arrin të lidhë me sukses diskurset shkencore, ekologjike dhe arkitekturore, duke e bërë atë shumë të rëndësishëm për platformën e Bienales për eksplorim ndërdisiplinor”, shkruhej në raportin e pesëshes: Rozafa Basha, Marina Otero Verzier, Poliksena Qorri-Dragaj, Adela Demetja e Rudina Xhaferi.
Lexo edhe: