Trileri, nën regji të Robert Budinës, që në ekip ka edhe Gresa Pallaskën në rolin kryesor, tok me Arben Bajraktarajn, si dhe Doruntina Bashën si bashkëskenariste, është kandidati i Shqipërisë për nominim për çmimin “Oscar”. Ka qenë i vetmi kandidat përderisa në Tiranë, ku po shfaqet prej javës së kaluar, është pritur mirë nga publiku e kritika dhe është veçuar loja e Pallaskës
“Pikë uji” është filmi, të cilin Shqipëria e ka përzgjedhur si kandidat për nominim për çmimin “Oscar” në kategorinë e “Filmit më të mirë ndërkombëtar”. Bashkëprodhuese e këtij “trileri, që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore”, është edhe Kosova. Gresa Pallaska është në rolin kryesor përderisa bashkëskenariste e filmit, nën regji të Robert Budinës, tok me regjisorin dhe Ajola Dajën, është edhe dramaturgia Doruntina Basha. Ekipi i Kosovës, ndër të tjerë, përbëhet edhe nga aktori Arben Bajraktaraj.
“Pikë uji” ka qenë i vetmi film që ka konkurruar për t’u bërë kandidati i Shqipërisë për edicionin e 97-të të “Academy Awards”.
“Pas thirrjes së hapur nga QKK aplikoi vetëm shtëpia kinematografike ‘Era film’ me filmin artistik me metrazh të gjatë ‘Pikë uji’, regjia Robert Budina. Komisioni votoi unanimisht pro kandidaturës së paraqitur nga shtëpia kinematografike ‘Era film’ për filmin ‘Pikë uji’ si përfaqësues i Shqipërisë, në kategorinë ‘International Feature Film’, në edicionin e 97-të të çmimeve ‘Oscar’”, shkruhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Sipas mediave në Shqipëri, filmi është pritur mirë nga publiku dhe kritika në Tiranë, ku po shfaqet prej javës së kaluar.
“Regjisor Budina së bashku me aktorët kryesorë, Gresa Pallaska, Adem Karaga, Palolo Iancu dhe Gerhard Koloneci, morën duartrokitje të gjata në fund të shfaqjes. Kritikët kanë vlerësuar veçanërisht performancën e Gresa Pallaskës në rolin e Aidës, duke e quajtur atë tronditëse dhe të paharrueshme.
Publiku gjithashtu ka reaguar pozitivisht, me shumë spektatorë që e kanë përshkruar filmin si ‘emocionues’, ‘sfidues’ dhe ‘thellësisht njerëzor’. Në platformat e rrjeteve sociale, ‘Pikë uji’ ka qenë tema kryesore e diskutimeve më shumë, që e konsiderojnë atë si një nga filmat më të mirë shqiptarë të viteve të fundit”, kanë raportuar mediat shqiptare pas premierës. Sipas sinopsisit, tema e filmit përqendrohet tek Aida, një grua e fortë 45-vjeçare, funksionare e rëndësishme në një qytet të vogël, që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në një sistem që shpesh kërkon kompromise.
“Por çfarë ndodh kur sistemi, të cilit i ka shërbyer, kthehet kundër saj? Kur Marku, djali i saj adoleshent, përballet me akuza të rënda që kërcënojnë gjithçka që ajo ka ndërtuar. Çfarë sakrificash është gati të bëjë për të mbrojtur të birin dhe pozicionin e saj në një botë privilegjesh që po lëkundet? Sa larg do të shkojë Aida për të mbrojtur të birin?”, janë pyetjet që zbërthen “Pikë uji”.
Regjisori Budina ka thënë se shpreson që “Pikë uji” do të arrijë ta prekë edhe audiencën e huaj.
“Jemi thellësisht të nderuar që ‘Pikë uji’ do të përfaqësojë Shqipërinë në ‘Oscar’. Ky film eksploron thellësisht psikologjinë e një nëne të fuqishme përballë sfidave të një sistemi kompleks. Shpresojmë që do të prekë zemrat e një audience ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë ai.
Roli i Aidës për aktoren Gresa Pallaska ka qenë edhe një lloj reflektimi personal.
“Realizimi i rolit të Aidës ishte një udhëtim emocional intensiv. Si grua në karrierë, mund të identifikohesha me sfidat që has Aida, në balancimin e jetës profesionale me atë familjare. Megjithatë, dilema morale me të cilën përballet ajo më bëri të reflektoja thellë mbi kufijtë e dashurisë prindërore”, citohej të ketë thënë Pallaska pas premierës në Tiranë.
Sipas “Era film”, filmi pritet të ketë premierën ndërkombëtare në festival të kategorisë A e më pas do të shfaqet në kinematë e vendeve të Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, duke zgjeruar audiencën e tij përtej kufijve shqiptarë.
Regjisori Rober Budina, para premierës, e kishte cilësuar “Pikë uji” si film sfidues.
“Ishte filmi më i vështirë i jetës sime, sepse nuk ishte thjesht një film, ishte një studim mbi psikofizikën, social-politikën e Shqipërisë në një kohë tranzicioni, si raportohemi ne me realitetin dhe se çfarë pozicioni kemi ne në lidhje me të drejtën, kjo më shqetësonte ndaj dhe e bëra këtë histori”, kishte thënë Budina, i njohur edhe për “Streha mes reve” e “Agon”.
Në historinë që shpalos është nëna që mëson se djali i saj ka kryer një përdhunim dhe zgjedhjen e vështirë për t’i besuar të birit apo instinktit të saj femëror. Regjisori Budina ka punuar edhe në terren për ta zbërthyer këtë temë. “Kam komunikuar me viktimat, të cilat kishin një dinjitet të frikshëm brenda vetes, natyrisht nuk kishin çekuilibër moral. Jam përpjekur të jem shumë i distancuar, gati-gati i pandjeshëm. Ishte thjesht një bisedë e qetë pa e ditur se çfarë do bëja unë. Unë kapa të brendshmen e tyre, që ishte gati sublime. Një thyerje e atij lloji meritonte të bëhej film dhe të vihej gishti mbi ata që e shkaktojnë dhunën dhe jo tek njerëzit që në një moment të caktuar mund të kenë një fatkeqësi. Të gjithëve mund të na ndodhë dhe ne nuk e dimë se si do të raportohemi në ato momente. Në fakt më ka prekur thellë, me dhunuesit i kam njohur, por në formë tjetër, jo me dhunues konkretë”, kishte thënë ai.