Kulturë

Shqipëria fuqizon mbështetjen për artizanët

“Fondi i artizanëve” synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale

“Fondi i artizanëve” synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale

Qeveria e Shqipërisë ka dalë me plan konkret për fuqizimin e artizanateve. Për këtë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur tashmë thirrjen për grante, “Fondi i artizanëve”. Fondet do të ofrojnë mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe shoqatat e artizanëve që kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar se “kjo mbështetje synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale”. Janë tri kategori që do të mund të marrin mbështetje. Te kategoria e parë është “mbështetja financiare për prodhimet artizanale, që mbështet artizanët që krijojnë produkte të artizanatit dhe dëshirojnë të zhvillojnë veprimtaritë e tyre”. Sipas njoftimit, fondi i parashikuar për këtë kategori do të jetë 500 mijë deri në një milionë e 500 mijë lekë, (prej 5 mijë deri në 15 mijë euro).

Në kategorinë e dytë hyn mbështetja financiare për transmetimin e dijebërjes ndër breza.

“Kjo kategori do të ofrojë mbështetje për trajnime dhe aktivitete që promovojnë kalimin e njohurive tradicionale dhe artizanale te brezat e rinj. Fondi: 1,000,000 lekë – 2,000,000 lekë (prej 10 mijë deri në 20 mijë euro)”, shkruhet në njoftim.

E në kategorinë e tretë ofrohet mbështetje financiare për pjesëmarrjen në panaire dhe evente të trashëgimisë kulturore. Është kategoria që mbështet artizanët dhe shoqatat që prezantojnë punën e tyre në panaire dhe ngjarje kulturore dhe mund të mbështeten prej 300,000 lekë – 1,000,000 lekë ose prej 3 mijë deri në 10 mijë euro.