Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e Shqipërisë dhe Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë, kanë nënshkruar të premten marrëveshje bashkëpunimi e cila, siç ka njoftuar ky institucion, në fokus ka ”shkëmbimin e të dhënave në fushën e letërsisë dhe kulturës, përkthimin dhe botimin e veprave letrare në të dyja gjuhët, festimin e përvjetorëve të rëndësishëm në historinë e letërsisë së të dyja vendeve”.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, Milosh Jankoviq dhe drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli.
“Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë do të nxisin përkthimin dhe botimin e veprave letrare në të dyja gjuhët”, shkruhet në komunikatën e shpërndarë edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd. Po aty shkruhet se “të dyja palët do të ndërmjetësojnë për t’u lidhur me shtëpitë botuese, revistat letrare dhe profesionale dhe organizata të tjera eksperte nga fusha e letërsisë dhe asaj të kulturës”. Në marrëveshje shkruhet se palët gjithashtu marrin përsipër të punojnë aktivisht “për shtrirjen e bashkëpunimit kulturor në të gjitha fushat, projektet, ekspozitat dhe vizitat e delegacioneve të mundshme e të tjera”.
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, ka pasur edhe një dhuratë për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit: një fjalor dygjuhësh shqip-serbisht të hartuar në vitin 1935 nga Luk Lukaj, “një personalitet shqiptar, të cilin e lidhte me Serbinë dashuria për një grua”.
“Fjalori përmban fjalë të vjetra shqipe që datojnë nga viti 1935, ku dallohen fjalë shqipe si: farëshkrim, baltovicë, çpërthye, çpesh, gumsoj, e të tjera”, shkruhet në njoftim.

Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë deri më tash nuk ka njoftuar për këtë marrëveshje të nënshkruar në Shqipëri. Institucioni i themeluar më 1905, jo rrallë është shquar edhe për propagandë ndaj Kosovës e shqiptarëve.
“Ka luajtur rolin e zëdhënësit të propagandës destruktive pas demonstratave në Kosovë të vitit 1981, e tutje. Nën ndikimin e ‘babait të kombit’ serb, Dobrica Qosiqit, ajo Shoqatë, si dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe, në koordinim me partitë dhe grupacionet e ndryshme ultranacionaliste, duke keqpërdorur mitet dhe historinë nacionale serbe, stigmatizuan shqiptarët, kroatët dhe myslimanët si armiq të përbetuar të kombit serb, arsyetuan dhunën, luftën dhe krimet kundër ‘armikut’”, kishte shkruar publicisti Adil Fetahu në një shkrim të gjatë ku analizon rolin e këtij institucioni.