Kulturë

“Shpirti dhe krijimi” prej “vdekjes” së shqipes deri te gjuha globale

“Shpirti dhe krijimi” prej “vdekjes” së shqipes deri te gjuha globale

Ndikimi i teknologjisë, rrjeteve sociale në interesimet për lexim e edhe leximi në gjuhë të huaja i brezave të rinj, qenë po ashtu pjesë e diskutimit me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, Alda Bardhyli dhe shkrimtarin Ag Apolloni, të mërkurën pasdite në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë

Tema të ndryshme por që kryefjalë kanë librin, janë hapur në diskutimin “Psyche dhe Poiesis” (Shpirti dhe krijimi) në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit midis drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, Alda Bardhyli dhe shkrimtarit Ag Apolloni. “Brezat e ardhshëm besoj edhe do të komunikojnë krejtësisht në anglisht. Kjo (shqipja v.j.) është gjuhë që ka duruar presionet dhe ia doli të mbijetonte. Të lexojmë letërsi shqipe është një vlerë që duhet ta ruajmë. Leximi në gjuhë shqipe besoj se duhet të jetë detyrim”, ka thënë Bardhyli. “Mos e bëftë zoti të vdesë gjuha shqipe. Kur e mendojmë racionalisht, një botë në një glob do të ishte e përkryer”, ka thënë Apolloni

Pyetjet se përse shkruan një shkrimtar ose cili është momenti që e bën atë t’ia mësyjë një vepre, janë të shpeshta. Përgjigjet zakonisht sillen në një rreth vicioz, por as vetë shkrimtarët s’ia vënë pikën një përgjigjeje edhe kur flasin për përvoja krejt personale. Dikush e sheh si thirrje të brendshme nevojën për të shkruar e disa edhe si moment që kanë nevojë për të treguar diçka. “Psyche dhe Poiesis” (Shpirti dhe krijimi) është titulluar diskutimi publik i organizuar nga libraria “Dukagjini” me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të të Drejtave të Autorit.

Por ky diskutim me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, Alda Bardhyli dhe shkrimtarin Ag Apolloni ka shumë përtej. Ndikimi i teknologjisë, rrjeteve sociale në interesimet për lexim e edhe leximi në gjuhë të huaja i brezave të rinj, qenë po ashtu pjesë e diskutimit. 

Moderuar nga Latif Mustafa, dyshja ka ofruar perspektivat e veta për çështje të ndryshme.

Bardhyli, e cila është edhe krijuese, ka thënë se si Tirana edhe Prishtina kanë shumë arsye për të folur për librin. Në këtë rast ka shtuar se libri e ka mbajtur gjallë dhe e ka zhvilluar gjuhën shqipe. 

“Te shkrimi shkojmë në mënyrë të pavetëdijshme. Kam pyetur shumë shkrimtarë se përse shkruajnë. Besoj se përgjigjja te secili prej nesh është e brendshme. Është diçka që feja e quan thirrje. Edhe shkrimi është thirrje”, ka thënë ajo.

Kurse shkrimtari e profesori universitar, Ag Apolloni, në këtë rast ka marrë shembull filmin “Agoni dhe ekstazë” që flet për Michelangelon para se ta punonte muralin me nam në kapelën Sistine në Romë, ku paraqiten Zoti dhe Adami. 

“Ishte në krizë dhe nuk dinte si ta gjente zgjidhjen. Ai del shëtit, është në hall të madh dhe nuk i ndihmon gjë. E merr gjumi në një kodër, kur zgjohet i sheh retë dhe ia japin idenë. I duken sikur kanë fytyrën e zotit. Ik shpejt dhe e bën veprën”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, kurrë nuk dihet se kur do t’i vijë ideja një shkrimtari për të shkruar. Diskutimi në këtë rast është thelluar duke u shpërfaqur mendime të ndryshme. Më pas është kaluar edhe te ndikimi i rrjeteve sociale te lexuesit. Apolloni ka përmendur se në një rast në Berlin kishte hasur në një vepër të Kafkës të mbuluar me një mbishkrim: “I famshëm në ‘Tik-Tok”. Këtë e ka përshkruar si një ofendim për këtë autor botëror. Kurse Bardhyli ka treguar se si sivjet në Leipzig radha para autorëve që kanë nam në rrjete sociale ishte shumë e madhe. Sa u përket shijeve të masës për lexim, Apolloni ka thënë se bëhet fjalë për një kthim te neo-romantizmi dhe kjo e shqetëson. Në diskutime të tilla përdorimi i gjuhës në vepra letrare është temë e pashmangshme. Viteve të fundit vërehet qartazi një tendencë që veprat letrare të mos shkruhen në standardin e shqipes nga autorë që vijnë nga zonat ku gegnishtja dominon në komunikimin e përditshmërisë.

Alda Bardhyli ka thënë se i pëlqen t’i shohë dialektet si pasuri. Ka përmendur se ka autorë në Shqipëri që shkruajnë në gegnisht. 

“Është e rëndësishme që të ruajmë standardin pasi libri nuk është vetëm për kënaqësinë e leximit. Por aty edhe ruhet gjuha”, ka thënë ajo. Ka shkuar më tej duke përmendur faktin se brezi i ri lexon krejtësisht në anglisht. 

“Brezat e ardhshëm besoj edhe do të komunikojnë krejtësisht në anglisht. Kjo (shqipja v.j.) është gjuhë që ka duruar presionet dhe ia doli të mbijetonte. Të lexojmë letërsi shqipe është një vlerë që duhet ta ruajmë. Leximi në gjuhë shqipe besoj se duhet të jetë detyrim”, ka thënë ajo. 

Moderatori Mustafa ka treaguar shembuj se si të rinjtë kërkojnë libra me të madhe në anglisht. 

Apolloni në këtë rast ka thënë se çështja e dialekteve dhe gjuhës standarde është diskutuar shumë.

“Mendoj se vetë krijimi i gjuhëve ka ardhur për shkak të izolimit dhe largësisë. Sot janë diku rreth 7 mijë gjuhë në botë. Nuk është më shqetësimi vetëm i dialektit në raport me standardin. Në botë diskutohet se çfarë do të bëhet me këto gjuhë. Çdo vit vdesin gjuhë. Ky është shqetësim”, ka thënë ai. Në këtë rast ka përmendur se shqiptarët janë shumë të lidhur me gjuhën e tyre.

“Mos e bëftë zoti të vdesë gjuha shqipe. Kur e mendojmë racionalisht, një botë në një glob do të ishte e përkryer. Pa emocione. Pra komunikojmë dhe merremi vesh. Ajo gjuha ndërkombëtare bëhet gjuhë e jona amtare dhe është krejt në rregull. Pra po diskutohet edhe në këtë perspektivë. Për mua është diskutimi më interesant”, ka thënë ai. Është thelluar edhe më në këtë temë duke treguar se në veprën e tij të re që do të botohet këto ditë, ai shkruan se si do të ketë një gjuhë standarde në krejt globin brenda shekullit. 

“Të themi një latinishte e re. Tash do të jetë anglishte, por e them ashtu siç ishte latinishtja për Mesjetën. Nuk do të na duhen shekuj për të pritur. Dekada, po”, ka thënë ai. Apolloni është dukur goxha i bindur për këtë. Ka elaboruar se i dhimbset gjuha shqipe për shumë arsye, por në perspektivë racionale duket se bota po shkon drejt njëfarë unisimi të gjuhës.

Në këtë rast, profesori universitar Agim Vinca, si thuajse çdo herë ka reaguar sa u përket dialekteve e po ashtu edhe asaj që shihet si një standard botëror në gjuhë. Vinca ka thënë se gegnishtja s’ka qenë e njësuar brenda vetes, kurse toskërishtja që është bazë e standardit, po. Qëndrimet e Vincës për këtë temë dihen qysh në krye të herës. Për të, unifikimi i gjuhës s’ka qenë më shumë pamflet politik e kombëtar i Kosovës në Konsultën e vitit 1968 e as në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Kurse sa i përket një gjuhe të përbashkët globale, këtë e ka përshkruar si katastrofë. 

“Unë nuk pajtohem me zhdukjen e gjuhëve amtare, pasi kjo do të ishte katastrofë për njerëzimin. Për ne shqiptarët, gjuha është gjithçka”, ka thënë ai. Ka përmendur se është provuar diçka e tillë me një gjuhë artificiale si esperanto por s’ka funksionuar.

Trendet e leximit flasin se anglishtja pos që dominon çdo ditë e më shumë, rrit hapësirën e saj. Se cila do të jetë e ardhmja, ka shumë parashikime. Por se brezat e rinj anojnë me të madhe nga anglishtja, s’do fort mend.