“Nga ndërtesat përreth qetësinë e natës, të cilën e prishnin zhurmat e avionëve të NATO-s dhe detonimet e herëpashershme mbi objektivat ushtarake serbe, e shqeu edhe kollitja e armëve automatike. Nga banesa përballë, me dritare që dallojnë nga të tjerat me roletat e bardha, shpërthen krisma e armëve dhe melodia me ritmin e muzikës serbe që të çmend. Nuk e kam të qartë, nga gëzimi për paqen e paralajmëruar, apo nga dëshpërimi për ikjen që do të ndodhë detyrimisht të forcave serbe, të cilat u shkaktuan gjithë këto tragjedi shqiptarëve. Pjesa tjetër e natës ishte e qetë”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 3 qershor të vitit 1999
E mërkurë, 2 qershor
Një detonim i fuqishëm më zgjoi. Kujtova se do të përmbyset krevati. Gjatë natës pati edhe detonime të tjera. Me Qazën, Fadilin dhe Metin (nipin e Qazës) luajtëm letra deri në orën tre. Nga ora dy Valdetja na thotë se nga banesa e Qulafiqit (është një grua e vetmuar me moshë mesatare, profesoreshë e anglishtes, e cila gjatë kësaj kohe ka treguar sjellje njerëzore) dëgjohen rrapëllimë. Mund të jetë sëmurë dhe s’ka kush t’i ndihmojë. Por, derisa ne mëdysheshim si t’ia bënim, kishte shkuar doktor Kërxhiqi.
Ditën e kalova te Nehati. Thirri Mrika, e bija e Nehatit, nga Nju-Jorku. Na mërziti të gjithëve. Atë e ka mbërthyer nostalgjia. Nuk është mësuar larg shtëpisë.
Halil Matoshi me siguri është në burgun e Lipjanit. A do ta përballojë?
E enjte, 3 qershor
Më në fund erdhi lajmi që e pritnim tërë kohën. Ndërmjetësit për arritjen e një paqeje në një luftë të pabarabartë shqiptaro-serbe, Çernomirdin dhe Ahtisari me Talbotin, tri shtyllat e vendosjes: NATO, SHBA dhe Bashkimi Evropian e Rusia, sollën në Beograd planin e paqes për të cilin nuk do të bisedonin me Millosheviqin, por vetëm do t’ia prezantonin. Ky i fundit, pra Millosheviqi, ia hodhi topin Kuvendit të Serbisë, një instrumenti në duart e tij, i cili i tha “PO” planit. Kosova përfundimisht del nga sundimi serb. Ky ishte qëllimi shekullor i shqiptarëve, për të cilin bënë aq sakrifica.
Shkova te Nehati që të gëzoheshim bashkë.
Më tremb mëdyshja e Perëndimit se a do ta zbatojë Serbia planin.
Tani po imagjinoj takimin me djemtë, mbesat e nipin, me rejat – dy Iliret, me të afërm e shokë, që aq më kanë munguar gjatë këtyre muajve të vetmisë në ferr. Ndonjëherë më kap frika se nuk e pres këtë moment. Më kujtohen mijëra tragjedi ndarjesh të përgjithmonshme në mes të më të dashurve, të zhdukjes së familjeve të tëra, të vuajtjeve pa bukë e pa veshmbathje qindra mija të tjerëve. Atëherë përjetimet e mia më ngjajnë qesharake.
Nga ndërtesat përreth qetësinë e natës, të cilën e prishnin zhurmat e avionëve të NATO-s dhe detonimet e herëpashershme mbi objektivat ushtarake serbe, e shqeu edhe kollitja e armëve automatike. Nga banesa përballë, me dritare që dallojnë nga të tjerat me roletat e bardha, shpërthen krisma e armëve dhe melodia me ritmin e muzikës serbe që të çmend. Nuk e kam të qartë, nga gëzimi për paqen e paralajmëruar, apo nga dëshpërimi për ikjen që do të ndodhë detyrimisht të forcave serbe, të cilat u shkaktuan gjithë këto tragjedi shqiptarëve.
Pjesa tjetër e natës ishte e qetë.

E premte, 4 qershor
Më doli gjumi në orën pesë. Ndoqa lajmet e “Zërit të Amerikës” dhe të BBC-së në serbishte. Ishin ato që i kisha dëgjuar mbrëmë. Të pres çfarë do të sjell dita. U zgjova me shpresa për lajme të mira. Sipas tyre brenda 24 orësh në kufirin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë do të takohen ushtarakë të NATO-s dhe jugosllavë për të caktuar hollësitë teknike të tërheqjes së forcave të armatosura jugosllave (serbe) nga toka e Kosovës. Ky do të jetë fundi i sundimit serb këtu, nëse nuk del ndonjë lojë e madhe e Millosheviqit.
Nëse ndodh mrekullia, atëherë pa vonuar do të ribashkohem me më të dashurit. Por, cili do të jetë numri i atyre fatkëqijve të cilët kurrë nuk do të ribashkohen.
Ka ditë që nuk kam biseduar me Lirakun. Në radio ia kam dëgjuar zërin, si zëdhënës i Zonës së Llapit dhe prandaj jam i gëzuar që është gjallë.
Nga Amerika më njoftojnë se Hajdar Mekaj me gjithë djalë është në burgun e Pejës. Kështu ne brenda informohemi nga jashtë se ç’po ndodhë rreth nesh. Qarkullimi këtu është tejet i kufizuar.
Doktor Dauti megjithatë është në Prizren dhe lajmi nuk kishte qenë i saktë. Më mirë që nuk është i saktë. Këtë ma tha një prizrenas, Nazmiu, që kishte ardhur sot të bisedonte me telefon me të vetët në Stamboll.
E shtunë, 5 qershor
Në një kafene në Han të Elezit, “Evropa ‘93”, pronë e një shqiptari me banim në Shkup e me origjinë nga Kosova, me tri orë vonesë filluan bisedimet e paralajmëruara mbi aspektet teknike të tërheqjes së forcave të armatosura serbe nga Kosova. Nga pala serbe nuk janë personalitet e radhës së parë ushtarako-policore, sepse ata tani janë protagonistë të Gjykatës së Hagës dhe sigurisht kanë drojë. Takimi u shty për nesër, sepse pala serbe kishte nevojë për konsultime me eprorët e vet.
Tërë ditën e kaluam te Nehati, me disponim si dikur. Vetëm Bahtishaja, gruaja e Nehatit, që është shumë emocionale, ndonjëherë shpërthente në vaj. Tani nga gëzimi se po përfundonte ky ferr. Ajo tashmë e dinte edhe për Dardanin se kishte ardhur nga Kanadaja dhe se ishte në Koshare, në front. Dy të bijat kishin mbërritur në Nju-Jork. Deri para ndonjë viti ishte një familje e lumtur, të gjithë grumbull. Tani pikë e pesë, si thuhet.
Në ndërtesën ku banoj, sot iu vu zjarri një banese në katin përdhesë. Më parë atë e kishte thyer djali i Spirës, që banon në të njëjtën hyrje. Para fillimit të bombardimeve aty banonin studentë. Tash kush e din ku mund të jenë, nëse janë gjallë. Qaza e gjeti indeksin e njërit prej tyre dhe e mori për t’ia kthyer, nëse takohet ndonjëherë me të.
E diel, 6 qershor
Këto ditë më është kthyer shpirti e shpresa. Sikur jam bërë më trim, ndonëse të gjithë ma tërheqin vërejtjen: Kafsha është më e rrezikshme kur është e plagosur! Dua ta vizitoj Zaim Kurtin, ta shoh shtëpinë, por Valdetja më pengon.
Bisedat në mes të ushtarakëve të NATO-s dhe atyre jugosllavë duken të dështuara. Megjithatë jam optimist. Kjo m’i ngjan asaj barsoletës për pulën dhe gjelin, kur gjeli e ndoqi pulën dhe ajo u ndal e i tha: Ta bëjmë edhe një rreth, sikur më ndjek, që të tjerat mos të mendojnë se jam kurvë.
Pas shumë ditësh fola me Lirakun. Më tha se tani ishte mirë, i “vendosur në një kamp gjerman dhe me komoditet të mjaftueshëm”. Gjithnjë flisnim kështu me kode, që të mos të merrej vesh se ai ishte në UÇK e unë në Prishtinë. Më thirri edhe Ilirja nga Struga.
Pasdite e gjithë hyrja u shqetësua. Ca persona me uniforma, natyrisht serbë, e thyen me forcë derën e banesës së Hysen Ibrës. Këta sikur nuk po shohin se shpejt duhet të ikin, e këndej thyejnë banesa shqiptarësh.
E hënë, 7 qershor
Në lajmet e mëngjesit Dojçe Velle njoftoi për dështimin e bisedimeve ushtarake për tërheqje të forcave serbe nga Kosova. Ibrahimi erdhi që në mëngjes i shqetësuar dhe i dëshpëruar. Unë isha i bindur se kjo ishte një manovër serbe, që do ta harrojmë shpejt. Kështu edhe i thashë.
Nga ndërtesa pas asaj ku banoj, u ngarkuan disa kamionë ushtarakë dhe civilë me tesha e kotesha të oficerëve. Kjo që shihnim nga dritarja ishte në favor të bindjes sime, se serbët megjithatë do të largohen shpejt.
E martë, 8 qershor
Çdo mëngjes dal në ballkonin që shikon andej ku janë të vendosur ushtarakët – në shtëpitë private të shqiptarëve dhe në katet përdhese të ndërtesës matanë rrugës. Shikoj nëse janë larguar. Kështu bëra edhe sot, por ende nuk kishte shenja për t’u gëzuar definitivisht. Ata ende ishin aty.
Radiot serbe që me mëngjes njoftuan se bisedimet ndërmjet ushtarakëve të NATO-s dhe atyre jugosllavë kishin rifilluar qysh mbrëmë. G-8-s i kanë mbetur vetëm edhe tri çështje për t’i harmonizuar, njoftohet. Ministri i Jashtëm jugosllav i ka shkruar kryetarit të Asamblesë së OKB-së se janë krijuar kushtet për miratimin e menjëhershëm të rezolutës, pas të cilës do të ndërpritej lufta në Kosovë, pra edhe bombardimet e NATO-s.
Nga banesa përballë, ku banonin ç’prej kohësh oficerë të UJ-së, vazhdojnë të ngarkohen kamionë me mobilie e sende të tjera të tyre. Ndërkohë në derë, për herë të parë nga fillimi i bombardimeve, u shfaq zonja Kërxhiq. Ishte e shqetësuar dhe e frikësuar. U përpoqa ta qetësoj, se nuk kishte pse të frikësohej. Shqiptarët nuk vrasin gra e fëmijë. I thashë se ata kishin mbajtur qëndrim njerëzor, dhe se nuk kishin pse të frikësoheshin. Megjithatë ajo ma tha vendimin se kishin vendosur të iknin: i shoqi, Miomiri, dy djemtë dhe e bija. Do të shkonin në Mal të Zi, prej nga kishin ardhur para dyzet vjetësh.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë shkëputur nga kapitulli “Ditari i luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020
Lexo edhe: