Koncerti me të cilin Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” shënoi jubileun e 60-të, ka qenë një shpalosje e imazhit të tanishëm, por duke shpalosur rrugëtimin dhe kontributin e atyre që e sollën deri këtu. Gjashtë dekada pas, imazhi dallon fort. Por jo krejtësisht. Skenën e denjë për të interpretuar nuk e ka as pas një çerekshekulli prej çlirimit, e koncerti të hënën mbrëma u mbajt në një sallë dasmash
Janë fiks gjashtë dekada të veprimtarisë profesionale të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Prej vitit 1964 e nisi rrugëtimin si ansambël profesionist. Por veprimtaria ishte më e hershme. Për jubileun, “Shota” e ka ilustruar me imazhin e sotëm para disa prej pionierëve të institucionit. Valltarë, këngëtarë e instrumentistë kanë vënë në skenë këngë e valle, me të cilat u është bërë homazh kontribuuesve të ansamblit. Janë të tjera rrethana e kushte prej atyre kur angazhimi ishte vullnetar, ku grupet e këngëtarëve, instrumentistëve a valltarëve interpretonin skutave nën okupim, sikurse edhe jashtë vendit. Gjashtë dekada pas, imazhi dallon fort. Por jo krejtësisht. Skenën e denjë për të interpretuar nuk e ka as pas një çerekshekulli prej çlirimit. Kështu koncerti, të hënën mbrëma u mbajt në një sallë dasmash në Çagllavicë ku pos interpretimit, organizimi qe edhe darkë solemne.
Programi artistik ka nisur me këngën “Këtu shkëlqen plisi” të Ilir Shaqirit që i dedikohet betejës historike të Prekazit. Solisti Liridon Sadriu me korin në përcjellje kanë sjellë vargjet e tingujt e fuqishëm të këngës. Ka qenë homazh për familjen Jashari.
Qëndresa e sakrifica e heronjve është nderuar edhe me “Vallen e Drenicës” me koreografi të Xhemajli Berishës. Nën ritmet tejet të bukura nis interpretimin grupi i burrave, ndërsa solo interpreton njëra valltare. Ndërsa krejt vajzat bashkohen, djemtë u këndojnë atyre. Jehon edhe kënga e grupit të vajzave derisa shoqërojnë interpretimin në çift të valltarit e valltares.
Me këtë pikë koreografike është nderuar vepra e koreografit Xhemajli Berisha.
Saranda Alija bashkë me Liridon Sadriun kanë interpretuar këngën “Kosova” të Naim Gjoshit që shfaq dashurinë e krenarinë për vendin.
Kënga “Mora fjalë” nga po ky kompozitor, e kënduar për herë të parë nga Qazim Beka, e shndërruar në hit nga Shkurte Fejza, është sjellë nga këngëtarja Majlinda Cikaqi, e përcjellë nga kori i ansamblit. Ritmet e folklorit të vendit i ka sjellë solisti Samir Krasniqi me këngën “Lulëzoj fusha, lulëzoj mali”.
Të pranishëm në koncert kanë qenë kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë.
Kurti e ka konsideruar ansamblin “Shota” si një prej thesareve më të çmuara të Kosovës.
“Duke marrë elementet e trashëgimisë shpirtërore e kulturore dhe duke i vënë në skenë, ‘Shota’ ka prekur zemrat e audiencave në çdo cep të botës. Kujtojmë me krenari vitin 1984 kur së bashku me Nexhmije Pagarushën përfaqësuan kulturën tonë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Sarajevë. Vitet 1985 dhe 1986 kur triumfuan në festivalet në Londër”, ka thënë ai duke theksuar aktivitetin e prezantimin e kulturës së Kosovës jashtë vendit. “Sot pas 60 vjetësh si ansambël profesionist, ata performojnë mbi shtatë mijë e 500 koncerte e prezantime dhe një sërë çmimesh ndërkombëtare, përfshirë triumfin e tyre në Spanjë në vitin 2024”, ka thënë Kurti.
Drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllani, ka thënë se u kanë bërë homazhe figurave të shquara që kultivimit të traditës e kulturës shqiptare nëpërmjet veprave të tyre të luajtura nga ansambli.
“Ne u munduam që përmes disa pikave artistike, në mënyrë kronologjike, t’u bëjmë homazh të gjithë atyre që kanë kontribuuar qofshin koreografë, këngëtarë, kompozitorë, orkestrues e të tjerë, prej të cilëve disa janë ende dhe disa jo fatkeqësisht. Por natyrisht edhe sikur ne t’i harrojmë, vepra e tyre nuk i lë që të harrohen. Ne jemi munduar të përfshijmë sa më shumë nga ta në këtë mbrëmje festive”, ka thënë ai.
Derisa ka përmendur zhvillimin e ansamblit përgjatë këtyre viteve, ka thënë se ai përherë ka evoluuar.
“Kushtet, rrethanat, qofshin ato teknike e shoqërore dhe politike, kanë bërë që ansambli gjithmonë të evoluojë. Çdo herë më mirë është bërë. Natyrisht mendoj se ansambli po ec mirë drejt rrugës që të jetë një ansambël ashtu siç ka qenë edhe më herët, i konsideruar në ansamblet simotra në rajon e më gjerë”, ka thënë Asllani.

Një grup i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë ka qenë, është ngjitur po ashtu në skenë. Ka interpretuar “Vallen e Tropojës” që ka qenë tejet harmonike e energjike me frymë pozitive.
Të përvjelë e me rrjeta kanë hyrë në skenë valltarët. Kanë sjellë “Vallen e peshkatarit” të Haki Mulliqit. Gratë kanë qenë me veshje nusërie. Derisa kanë hapur rrjetat, pjesët e shkurtra si kërkesa ndaj shoqëruesve të tyre kanë qenë humoristike. Krejt bashkë edhe kanë kënduar këngë ulqinake. Krejt koreografia në tërësi ka qenë me motive nga qyteti i Ulqinit. Me të është sjellë një pjesë e traditës detare.
Koreografi Haki Mulliqi i cili prej viteve ‘80 ka dhënë kontributin e tij në ansambël, ka thënë se atë kohë, deri në vitin 1991 kishte kuptim komplet tjetër kur kultivoheshin dhe prezantoheshin vallet në atë që quhej Ansambël Folkloristik i Kosovës.
“Kjo është një periudhë për të cilën flas me shumë kënaqësi dhe nder e respektin më të madh, kur u ndamë. Kur hynë forcat, na dëbuan nga objekti dhe na pamundësuan punën. Ne, nga Ansambli Folkloristik i Kosovës, e bëmë Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Atëherë ishte periudha kur ne grumbulluan artistë të rinj, një pjesë e madhe e të cilëve vazhdojnë të jenë edhe sot”, ka thënë ai derisa u është referuar viteve ’90.
I ka konsideruar gjeneratë e artë ata që ishin angazhuar me ansamblin atë kohë.
“Kemi vazhduar rrugëtimin për dhjetë vjet, deri në vitin 1999. Këtë e kemi kuptuar si vizion se çfarë duhet të bëjmë për vendin tonë. E quajmë me shumë krenari si gjenerata e artë, sepse ka sakrifikuar. Kanë bërë punë të jashtëzakonshme në rrethanat më të vështira të historikut të ansamblit ‘Shota’”, ka thënë Mulliqi.
Një nga 11 anëtarët e asaj gjenerate është valltarja Arta Mulliqi, pjesë e ansamblit prej vitit 1992 dhe vazhdon të sjellë lojën e saj me “Shotën”. E ka vlerësuar kohë të vështirë për ta mbajtur ansamblin gjallë.
“Viteve ’90 ka qenë bukur vështirë të mbahet ansambli. Falë asaj gjenerate që kanë qenë të shumtë, mirëpo prej asaj gjenerate jemi diku 11 veta që vazhdojmë me ansamblin. Normalisht që pjesa tjetër kanë dalë për të punuar, pasi ka qenë kohë shumë e vështirë. Nuk flasim për anën materiale të cilën nuk e kemi pasur asnjëherë për dhjetë vjet me radhë, por na ka mbajtur krenaria për ta mbajtur gjallë ansamblin. Ajo na ka frymëzuar për ta tejkaluar këtë situatë”, është shprehur ajo.
Ansamblin e mbajtën në jetë. E këtë e festuan më 15 shtator të vitit 1999 në Teatrin Kombëtar të Kosovës ku mbajtën koncertin e parë pas lufte. Qe si simbol i ringritjes e i institucionit që nuk do të ndalej më së vepruari.
Valltarja Arta Mulliqi e ka të freskët gjithë ngjarjen.
“Në Teatër, lëre që kanë qenë ulëset përplot, por ka pasur edhe njerëz në këmbë. Ishin të etur për kulturën, sepse ne më shumë kemi pasur prezantime jashtë Kosovës se sa që mundeshim të kishim në vend. Dihen arsyet pse. Teatri kishte qenë plot. Në program ishte ‘Vallja e Shotës’, ‘Vallja e Tropojës’, ‘Vallja e Drenicës’, ‘Suitë kosovare’ e të tjera”, ka kujtuar ajo.
Këngëtarja Mirvete Haziri në koncertin festiv ka sjellë këngën “Për ty vuaj, për ty këndoj” që e kishte kënduar Nexhmije Pagarusha. I është bërë homazh edhe asaj në këtë formë. Më pas, Riza Bytyqi ka kënduar këngën “Prej Podrimës po vjen haberi”.
Me ngjarjen e organizuar nga “Shota” është kujtuar e kaluara dhe vlerat e pakontestueshme artistike si kujtesë e ansamblit. Janë ndarë mirënjohje për kontribuuesit e ansamblit ndër vite. Është kujtuar kontributi i çmuar i atyre që hodhën themelet e institucionit si Marcel Tupeci, Ramadan Ramadani e Hylkije Dibrani-Sadiku bashkë me kujtimin e figurave si Fahri Beqiri e Ismet Bogujevci. Janë kujtuar edhe ish-drejtuesit e institucionit. Për kontributin e saj është kujtuar etnologia e parë shqiptare në Kosovë, Nahire Kabashi-Surroi e cila e drejtoi atë që dikur njihej si ansambël profesional i këngëve dhe valleve deri në vitin 1977 në mandatin e parë. Në vitin 1982 do të emërohej sërish drejtoreshë e ansamblit, mandat të cilin e përfundoi para kohe, në vitin 1985, kur shkoi në Spanjë, sërish në përcjellje të bashkëshortit, gazetarit, shkrimtarit e diplomatit Rexhai Surroi.

Janë nderuar edhe ata që vazhdojnë të jenë prezentë.
Njëra prej valltareve të gjeneratës së parë të ansamblit, Hylkije Dibrani-Sadiku ka thënë se tani është gjendja shumë më e mirë me “Shotën” për aq kohë sa jehon vetëm kënga e vallja shqipe.
“Krejt ndryshe ka qenë. Me kufizime këngët e valleve ndërsa sot është shumë mirë, këndon vetëm shqip. Në atë kohë e kemi pasur detyrë të luajmë edhe disa valle të ish-Jugosllavisë. Në vitin 1966, 58 vjet më parë, kam pasur paragjykime kur kam ardhur, sfida, por i kam kaluar të gjitha. Tash kushtet janë më të mira, në ansambël jehon vetëm kënga dhe vallja shqipe”, ka thënë ajo.
E tashmja e institucionit u është shfaqur të hënën mbrëma. Një prej atyre që e ndërtojnë është instrumentisti Gent Hoxha që luan instrumentet popullore si fyell e çifteli. Ai ka thënë se ishte kënaqësi që në këtë ngjarje të takojë pararendësit e gjeneratës së tij e të dëgjojë rrëfimet e tyre.
“Si anëtar i ri i ansamblit, me një përvojë relativisht të re, u frymëzova shumë duke parë, edhe pse kam dëgjuar më parë për kontributin në kohë goxha më të vështira sesa e veprojmë ne. Ne vetëm duhet të vazhdojmë ta kultivojmë këtë folklor të jashtëzakonshëm që e kemi. Të paktën vështirësitë e gjeneratave të mëhershme nuk i kemi”, ka thënë Hoxha.
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” me këtë mbrëmje ka shënuar ngjarjen e fundit për sivjet. Vitin në ardhje e pret koncerti i parë me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.