Gjermanisë i pëlqen ta promovojë veten si një komb kulturor. Por ky imazh është në kundërshtim me planet e Berlinit për t’i shkurtuar fondet për artin me 12 për qind.
Shkurtimet do të preknin si institucionet me famë botërore, ashtu edhe organizatat e pavarura në fushën e teatrit, orkestrave, kinemasë, baletit dhe letërsisë.
Këshilli Gjerman i Kulturës, organizata ombrellë për shoqatat e artit, ka deklaruar se “epoka e artë për kulturën ka përfunduar”.
Është një situatë e ngjashme në gjithë vendin, ku bashkitë dhe shtetet federale po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi financiare. Qeveria federale, një burim i rëndësishëm financimi, po frenohet gjithashtu. Pas rënies së Qeverisë së koalicionit të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe demokratëve të lirë, Qeveria nuk ka buxhet për vitin 2025. Këto janë kohë të pasigurta për artin. Pra, çfarë mund të presin menaxherët e artit?
Deri kohët e fundit, gjërat dukeshin mirë për financimin e arteve në Gjermani.
Sipas Raportit të Financave Kulturore të Entit Federal të Statistikave për vitin 2022, shpenzimet publike kanë shkuar vetëm në një drejtim vitet e fundit: në rritje. Nga 9.3 miliardë euro në 2010 në 14.5 miliardë euro në 2020, një rritje prej 55.1 për qind. Do të jetë interesante të shohim shifrat e reja, të cilat do të publikohen në dhjetor.
“Berlini është i varfër, por seksi”, slogani i epokës së egër nga ish-kryebashkiaku Klaus Wowereit sot tingëllon si një tallje për veshët e shumë profesionistëve të artit. Senati i Berlinit, i udhëhequr nga kristiandemokratët po shkurton buxhetin e tij me 3 miliardë euro, me vetëm shpenzimet e artit duke rënë për 130 milionë euro.
Skena kulturore po reagon me tmerr. Artistët dhe organizatat janë ngritur dhe punonjësit e kulturës së fundmi organizuan një demonstratë të madhe në Portën e Brandenburgut në Berlin.
Shkurtimet po prekin ndryshe sektorët dhe institucionet kulturore.
Teatri “Schaubühne” i Berlinit, i cili përballet me shkurtime prej 1.8 milionë eurosh, pa kompensim për rritjen e pagave, ka frikë se do të falimentojë përpara vitit 2025, duke qenë një kompani me përgjegjësi të kufizuar.
Ansambli “Berliner”, i cili përballet me një shkurtim prej 1.75 milionë eurosh, do të duhet të anulojë produksionet. “Volksbühne”, që mund të humbasë 2 milionë euro, ka frikë për aftësinë e saj për të bërë shfaqje; ashtu si edhe teatri i të rinjve “Grips”, i cili pritet të ketë buxhet të shkurtuar deri në 300 mijë euro. Teatri i fëmijëve dhe i të rinjve përballet me një humbje prej 800 mijë eurosh dhe “Deutsches Theatre” pritet të ketë shkurtim prej 3 milionë eurosh.
Gjithashtu në listën e prerë janë “Konzerthaus am Gendarmenmarkt”, me 1.8 milionë euro; “Friedrichstadt-Palast”, duke u përballur me një rënie prej 1.6 milionë eurosh; kinematë e Berlinit, me një ulje të parashikuar prej 3.5 milionë eurosh të parashikuar; shtëpitë e letërsisë së kryeqytetit, 450 mijë euro, dhe shumë institucione të tjera. Senati po ndalon gjithashtu rinovimin e vazhdueshëm të “Komische Oper” (10 milionë euro).
A do të bëjë kjo që Berlini të humbasë identitetin tërheqës ndërkombëtar? A do të bëhet qyteti dikur i ndarë, më pas i ribashkuar, siç pyeti publikisht një drejtor teatri.
Për shkak të situatës ekonomike dhe financiare dhe rënies së financimit për artet, Dorothea Gregor, eksperte kulturore në Fondacionin “Liz Mohn”, ka thënë se teatrot dhe institucionet kulturore gjermane po përballen me “një ndryshim të madh strukturor”.
Gregor ka thënë se shumë teatro “e marrin shumë të mirëqenë që paratë do të vazhdojnë të rrjedhin si më parë” dhe shtoi se drejtorët artistikë duhet të kuptojnë se si mund t'i drejtojnë teatrot e tyre në mënyrë më efikase, ndërkohë që ofrojnë cilësi të lartë. Ajo ka thënë se kërkohej të menduarit si sipërmarrës, duke përfshirë edhe kur bëhet fjalë për gjetjen e opsioneve të reja të financimit.
Lutz Hillmann është drejtor i “Deutsch-Sorbisches Volksteater” në Bautzen, Saksoni dhe kryetar shtetëror i Shoqatës Gjermane të Skenës. Ai e ka vëzhguar me njëfarë pafuqie në debatin për shkurtimet në Berlin.
Shteti lindor i Saksonisë gjithashtu përballet me një situatë kritike buxhetore, me pasoja të rënda për peizazhin kulturor të muzeve, teatrove dhe orkestrave. Hillmann ka thënë se teatrot në Zwickau, Freiberg, Annaberg-Buchholz, Görlitz-Zittau dhe madje edhe Chemnitz - i cili do të jetë kryeqyteti i kulturës evropiane më 2025 - kanë frikë për ekzistencën e tyre.
“Çfarë vlere ka arti dhe kultura?”, pyeti Hillmann. “Nëse politikanët vendosin që artet nuk janë aq të rëndësishme në kontekstin e të gjitha detyrave federale, shtetërore, të qytetit dhe komunës, atëherë kjo do të ketë një efekt”.
Teatrot dhe orkestrat, për shembull, prej kohësh kanë pushuar së përmbushuri vetëm funksionet tradicionale si shfaqjet në një vend të përhershëm, tregoi ai. “Ne jemi vende takimesh sociale, bëjmë punë me fëmijë dhe të rinj, dalim në arenën publike, rrjetëzohemi”.
Hillmann theksoi se ofertat kulturore janë veçanërisht të rëndësishme në zonat rurale. “Nëse nuk e kemi parasysh këtë”, paralajmëroi ai, “do të kemi rezultate edhe më katastrofike të zgjedhjeve, sepse njerëzit do të bëhen gjithnjë e më të pakënaqur”./DW