Qyteti bregdetar i Sarandës e trashëgimia kulturore shqiptare kanë humbur objektin ikonik të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Godina e njohur si ish-Konsullata italiane në kohën e mbretërisë është përpirë nga flakët dhe dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Me gjithë peshën e objektit në disa kapituj historie, as autoritetet lokale e as ato qendrore nuk e mbronin si monument. Në dekadën e fundit ishte degraduar
Saranda ka humbur njërin prej objekteve ikonike të trashëgimisë kulturore. Objekti njëshekullor mbretëror, i njohur më pas si “Bar Lulishte Butrinti”, është përfshirë nga flakët mëngjesin e së premtes. Pak ka shpëtuar prej godinës që daton prej vitit 1920, e njohur si ish-godina e Konsullatës italiane, por edhe me disa kapituj unikë gjatë historisë. Me gjithë vlerën historike nuk mbrohej si monument nga shteti. Dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme, kanë raportuar mediat në Shqipëri, por autoritetet shtetërore ende nuk kanë dalë me version zyrtar. Hapi që kanë ndërmarrë ka qenë pezullimi nga detyra i shefit të zjarrfikësve në Sarandë për mosreagim në kohë. Zjarri u përhap edhe në dy biznese ngjitur me godinën historike, duke shkaktuar dëme materiale. Tek pas pesë orësh u lokalizua.
Gjatë kohës së komunizmit, objekti ka funksionuar si hotel. Lidhet edhe me historinë e kinematografisë shqiptare. Aty u xhirua filmi “2 herë Mat” i Bujar Kapexhiut, produksion i vitit 1986. Pas viteve ’90 godina dykatëshe në zemër të qytetit, me një hapësirë rreth 200 metrash me sipërfaqe trualli prej 700 metrash katrorë administrohej si pronë nga Bashkia e Sarandës, por prej vitesh ishte jashtë funksionit. Pikërisht këtë periudhë, studiuesi Auron Tare e lidh me zjarrvënie të qëllimshme.
“Ky është fundi i një periudhe historike, që duhet thënë që është shkatërruar në mënyrë të suksesshme nga vetë shqiptarët. Unë aty isha, e pashë me shumë dhimbje. Është skenë e vrasjes së një monumenti historik që nuk kishte status mbrojtës as nga Bashkia e as Qeveria”, citohet të ketë thënë Tare.
Bashkia e Sarandës prej viteve’90 e deri në 2018 objektin ia kishte dhënë me qira një subjekti privat pa kryer asnjë investim. “Ndërsa në gjashtë vjetët e fundit kishte degraduar plotësisht. Nga flakët është dëmtuar dhe një pishë e vjetër, por ka shpëtuar pema e Piperit, mbjellë nga Naim Frashëri në vitet 1874-’76”, kanë raportuar mediat në Shqipëri.
Tare, njëri një prej themeluesve të Parkut Kombëtar të Butrintit, e që prej vitit 2000 deri më 2005 e ka drejtuar atë, ka qenë dëshmitar i djegies së objektit, të cilin e ka cilësuar “xhevahir historik të Sarandës”.
“Pashë që në fillesë si ra zjarri. Reagimi ishte i avashtë. Fillimisht mori zjarr një kioskë e braktisur. Nëse do të ishte ndërhyrë me kohë godina historike e ish-konsullatës italiane do të kishte shpëtuar. Fatkeqësisht, unë qëllova si dëshmitar i rënies së fundit të trashëgimisë kulturore monarkike në Sarandë. Nuk ka më godina të asaj periudhe, ndoshta edhe ish-materniteti i vjetër dhe kaq”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjitha godinat historike të Sarandës janë prishur prej 2012-s e këtej “nga neglizhenca, injoranca”.
Sipas tij, objekti kishte peshë edhe për kujtesën kolektive veçmas të qytetarëve të Sarandës. “Aty ka qenë një godinë ku bëheshin ballot në Sarandë. Kanë shërbyer konsujt shumë interesantë që kanë lënë shënimet e tyre. Aty Konti Ciano (Galeazzo Ciano) foli për popullin e Sarandës. Ajo godinë ka parë zbarkimin e ushtrisë italiane në 1939. Nga ballkoni në kohën e monarkisë dhe vizitës së Zogut janë bërë deklarata publike. Ishte një godinë shumë e bukur, jo vetëm nga pikëpamja historike, por e kulturës. Ishte një xhevahir i Sarandës që ishte lënë ashtu prej vitesh, degraduar”, citohet të ketë thënë Tare. Sipas tij, disa elemente e bëjnë të besojë se ishte zjarr i qëllimshëm. Shpreson për një hetim të thellë, por edhe një reagim të fortë qytetar.
“Për mua është zjarr i qëllimshëm. Është e pamundur të kishte rënë rastësisht, se aty është e pabanueshme. Është bërë qëllimisht për të rrëzuar godinën e ndërtuar më vonë. Shpresoj në një hetim të thellë. Duhet një zë i fortë i të gjithë opinionit publik. Po të shikoje qytetarët ishin kokulur me një dhimbje të madhe. Ka qenë një godinë që mblidhte qytetarët, ishte simbol për ta dhe djegia e saj është shumë e dhimbshme për ata që jetojnë në këtë qytet”, ka thënë ai. Godina ishte ndërtuar në stilin italian në vitet 1920 dhe në kohën e Mbretit Zogu, konsullata italiane organizonte evente të ndryshme, si dhe ka qenë pikë qendrore për qytetin. Më pas u bë bar bufe e famshme “Bar Lulishte Butrinti”, që u kthye në pikë takimi për qytetin.