Është një nga ikonat e komedisë në vend. I takon brezit të artë që kishin kultivuar vlerat e artit skenik të cilat do të përcilleshin në gjeneratën e re të artistëve. Të dielën, aktorja Shirine Morina vdiq. Ajo ishte 72 vjeçe. E lindur më 27 maj të vitit 1951 në Prishtinë, do të merrte hapat drejt aktrimit me përgatitjen profesionale në grupin e aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Do t’i bashkohej atij që ishte Teatri Popullor i Kosovës më 1969, ku do të interpretonte rolet që do ta gdhendnin figurën e saj prej aktoreje
Janë dhjetëra role që aktorja Shirine Morina do t’i jetësonte në skenën teatrore e sheshxhirimet e filmave. Është një nga ikonat e komedisë në vend. I takon brezit të artë që kishin kultivuar vlerat e artit skenik të cilat do të përcilleshin në gjeneratën e re të artistëve. Të dielën, aktorja Shirine Morina vdiq. Ajo ishte 72 vjeçe.
E lindur më 27 maj të vitit 1951 në Prishtinë, do të merrte hapat drejt aktrimit me përgatitjen profesionale në grupin e aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Do t’i bashkohej atij që ishte Teatri Popullor i Kosovës më 1969, ku do të interpretonte rolet që do ta gdhendnin figurën e saj prej aktoreje.
Midis të tjerash, ka luajtur si Magjistarja në shfaqjen “Makbethi”, si Zonja në “Ana Karenina”, si Krali në shfaqjen “Me sytë e Kllaunit”, si Gruaja në shfaqjen “Golgota”, si E bija në “Shtetrrethimi”, si Zhaneti në “Hotel Kashta” si Meribanja në “Mosha e bardhë” e si plaka Nicë në shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Ajo i takon plejadës së aktorëve që kanë ndriçuar historinë e artit në vend. Me talentin që kishte e përvojën e saj në skenë do të shfaqej edhe në role të tjera si Lypësja në “Dasma e përgjakur”, si Mysafirja në “Retrovizori”, si Antoneta në “Miza në vesh”, si Nëpunësja në “Mjalti i hidhur”, si Hajrija në “Prefekti”, si Shtriga në “Magjistarja”, si Ruzhdja në shfaqjen “Spiuni”, si Adela në “Milionarët”, si Lulja në “Orkideja” e shumë të tjera. Kolegët e kanë vlerësuar si vlerë të shtuar në botën e teatrit.
Aktori Selman Jusufi ka thënë se aktorja Morina i takon gjeneratës së çmuar artistike në vend e në rajon.
“Kolegia ime Shirine Morina sot ia dorëzoi trupin dhe shpirtin një publiku që sot më nuk duartroket, nuk ekziston. I përket një gjenerate të artë, ka shkuar në heshtje. Kam pasur fatin t’i takoj një gjenerate të artë kur teatri i Prishtinës dhe ai i Shkupit kanë qenë diamante të kulturës shpirtërore artistike të kombit shqiptar jo vetëm në Kosovë por edhe në krahina të tjera”, ka thënë ai duke u shprehur se kohëve të fundit aktorja Morina ishte harruar nga publiku, ekrani e komuniteti artistik.
“Drama është gjuhë mistike, ka elemente sakrale, rekuizita që e mbajnë publikun të lidhur. Vjen një ditë, një çast, sikur sot me Shirinen, aktorja i la personazhet, tekstin, autorin, regjisorin, kostumografin. Krejt çfarë ka pasur, i la. Ajo ishte në pension, por tërë jetën e saj ka jetuar me teatrin, nuk ka pasur gjë tjetër. Ajo ka qenë një murgeshë e një katedraleje që quhet Teatër Kombëtar. Kjo është gjenerata e artë që po shkon në heshtje. Për fat të keq këta njerëz pakkush i njeh, institucionet tona nuk dinë se kush janë”, ka thënë aktori Selman Jusufi, bashkëpunëtor i aktores së ndjerë në disa shfaqje.
Sipas tij, ajo ka pasur fat që i ka takuar një periudhe ku vlerat teatrore janë kultivuar si “piemont i vlerave artistike e kombëtare”.
Pos në teatër, aktorja Shirine Morina kishte interpretuar edhe në filma, seriale e radiodrama. Rolet e saj përfshijnë edhe projektet “Era dhe Lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Përroi vërshues”, “Qesh e ngjesh”, “Fidani”, “Në autobus”, në serialin “Banda e Luta Fukarasë”, “Pa pengesa” e “Cimerat”.
Komedia ishte njëra prej zhanreve në të cilat do ta shtrinte aktivitetin e saj. Sipas regjisorit Agim Sopi, aktorja Shirine Morina ka qenë njëra prej shtyllave që e kanë mbajtur komedinë. Atë e ka vlerësuar si njërën prej artisteve që kanë ndërtuar identitetin e teatrit në vend.
“Shirine Morina është njëra prej aktoreve të plejadës së ekipit të artë do ta quaja të periudhës kur teatri i Kosovës ka qenë ndër teatrot më të mira të rajonit dhe më gjerë sigurisht. Ajo, bashkë me koleget e saja, bën pjesë në ekipin e shkëlqyer të asaj gjenerate që ka ndërtuar identitetin e teatrit tonë. Shirini ka qenë e veçantë sidomos për zhanrin e komedisë dhe pothuajse ka qenë shtylla kryesore e botës femërore që e ka mbajtur atë zhanër për vite të tëra në teatrin e Kosovës”, ka thënë regjisori Sopi.
Sipas tij, figura e Morinës ishte mbuluar me pluhurin e harresës.
“Fatkeqësisht, si gjithë aktorët që mbulohen me pluhurin e harresës, edhe ajo ka qenë për një kohë të gjatë e tillë, e harruar, e ekskomunikuar, e lënë diku nëpër marrëzira. Sot kujtohemi kur ka vdekur, me siguri se tingëllon paksa hipokrite”, ka thënë regjisori Agim Sopi.
Dramaturgu e regjisori Qemajl Sokoli e ka kujtuar aktoren Shirine Morina si të afërt, të gjallë e atdhetare.
“Lajmi i befshëm për shkuarjen në amshim, të njërës prej aktoreve të shkolluara, të hareshme e të suksesshme të skenës dhe të ekranit tonë - Shirine Morina, më ka prekur thellë... Shirine Morinën, si kolegen apo bashkëpunëtoren e kam njohur kaherë, dhe ka qenë e afërt, e sinqertë, e shoqërueshme, e gjallë dhe atdhetare e flakët”, ka shkruar Sokoli.
Sot (e hënë) në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sipas njoftimit të këtij institucioni, në orën 14:00 do të mbahet mbledhje komemorative për aktoren Morina, ndërsa varrimi i së ndjerës do të bëhet në Prishtinë në orën 16:00.
Morina është kujtuar edhe nga teatri i qytet “Adriana” në Ferizaj.
“Sot paska ikur në amshim aktorja e teatrit, filmin e televizionit - Shirine Morina. Kontributi i saj do të kujtohet gjithmonë e veprat e saj do të ruhen e kultivohen kudo. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve e kolegëve te saj!”, shkruhet në postimin e Teatrit të qytetit të Ferizajt.
“Aktori luan derisa të vdesë”- do të thoshte aktorja Shirine Morina me karrierë mbi katërdekadëshe si aktore.
“Gjithmonë e doja skenën, më tërhiqnin edhe dërrasat e skenës. Atë kohë nuk ka pasur shumë aktore vajza. Edhe prindërit e mi kanë qenë kundër, donin që unë të vazhdoja juridikun apo ekonomikun, por unë doja aktrimin”, do të thoshte ajo në emisionin “Anima” të Kohavisionit në nëntor të vitit 2014.
VIDEO: Shirine Morina në emisionin "Anima" të KTV-së në vitin 2014
Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, miqtë e komunitetin artistik për vdekjen e aktores Shirine Morina. Në telegramin ngushëllues shkruhet se aktorja Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe në role të tjera.
“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe në rolet e shumta në serialet televizive. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndiej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar se aktorja do të mbahet mend si artiste e madhe e vendit e cila ndriçoi skenën me talentin dhe pasionin e saj.
“Shirine ishte një aktore e madhe, e cila la një gjurmë në botën e artit tonë. Nga performancat e saj të jashtëzakonshme dhe të shumta në teatër, tek rolet memorabël në emisione të dashura në RTP dhe deri tek pranitë e saj të spikatura në seriale vendore, ajo shkëlqeu çdo herë. Shirine Morina do të mbahet mend si një artiste e madhe e vendit, e cila ndriçoi skenën me talentin dhe pasionin e saj”, ka shkruar Rama në reagimin e tij.
Morina qe midis atyre që kur publiku e shihte në shfaqje, merrej vesh se batutat nuk do të mungonin. I donte rolet e tilla ashtu sikurse teatrin. “Kam luajtur edhe si fëmijë”, do të thoshte ajo për Kohavisionin.