Kulturë

Shija e traditës

Jo pak restorante moderne, pjesën më të fortë të menysë i kanë recetat e gatimeve të moçme. Kuzhina tradicionale është rikthyer furishëm. Për jo pak gastronomë, qytetarët e Kosovës provuan shumë shije të reja të recetave të importuara, porse ushqimet tradicionale po u mbijetojnë gatesave të huaja. Aty mbijeton shija e traditës, gjëllin kujtesa për të kaluarën

“Bukë e krypë e zemër!” – është shprehja e shqiptarit edhe kur hallligsht ia hap derën të njohurit e të panjohurit.

Në fakt, ekziston një etikë e tërë e marrëdhënieve buknore te shqiptarët që drejtpërdrejt lidhet me marrëdhëniet e tjera shoqërore, shkruan antropologu Arsim Canolli në vrojtimin e tij etnografik, “Flija”. Ligjëruesi i Universitetit të Prishtinës shkruan se mjafton të kujtohen shprehjet “Në bukë teme”, “Ka dhanë bukë”, “Nuk është bukëpërmys”, “S’na lëshoi pa bukë”, “Na priti me bukë”, apo “Buka jote të vret”, për ta argumentuar lidhjen e nyjshme të shqiptarëve me bukën.

Menyja që kujton të kaluarën

Fjala “bukë”, edhe sot ka përdorim mjaft të gjerë, si sinonim i ushqimit për njeriun, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri e gjetiu ku jetojnë shqiptarët. “A ke hangër bukë?”, thuhet edhe për mëngjes, edhe për drekë e për darkë.

Edhe atëherë kur në vend të “bukës” në tryezë shtrohet flija.

Është specialiteti që assesi nuk ia jep epitetin tradicional restorantit që nuk e ka pjesë të menysë.

Flija gatuhet edhe në restorantin “Molla e Egër” në Bërnicë të Epërme, që nuk ndodhet larg më shumë se dhjetë minuta me makinë nga Prishtina.

Pronari Ragip Millaku thotë se pavarësisht se pas luftës së fundit, qytetarët e Kosovës provuan shumë shije të reja të recetave të importuara, porse ushqimet tradicionale po u mbijetojnë gatesave të huaja.

“Domethënë, ka ardhur si e huaj dhe çdo gjë që vjen si e huaj, e huaj mbetet, ndërsa gjithçka që është autoktone, ajo mbetet autoktone”, thekson Millaku në ambientet e brendshme të restorantit. Ai thotë se prej pjatës së parë e deri tek e shtata, sa servohen aty, dominojnë produktet që mysafirëve ua kujtojnë të kaluarën.

Në restorantin e Millakut, pos flisë, shërbehet edhe krelana me duqe, por edhe turshi e specialitete të tjera tradicionale të përgatitura nga gratë e zonës, të punësuara këtu. Qetësinë në tarracën prapa restorantit e prish tingulli i lugëve të metalta me të cilat rrahin kavanozët e xhamtë, që dy gratë po i mbushin me ajvar.

“I like pite, I like fli”

Flija do të promovohej edhe nga artistët shqiptarë me famë botërore. Rita Ora dhe Action Bronson folën për flinë edhe gjatë intervistës në Radio Hot97 në vitin 2015. Përpos shpalosjes së projekteve, dyshja tha se kur vjen puna tek ushqimi, preferojnë recetat tradicionale shqiptare.

“Nëse, ta zëmë, do të dilje në një takim, çfarë do të gatuaje për Rita Orën”, do ta pyeste drejtuesi i emisionit Action Bronsonin.

“O Zot i madh”, ia kthen ai habitshëm.

“Çfarë do të bëje?” – do të ngulmonte nikoqiri.

“Do të duhej të gatuaja diçka nga atdheu im”, thotë Bronson.

“Çfarë do të gatuaje?

“Ju pëlqejnë qebapët?” – kthehet ndërkohë nga Rita Ora, derisa Bronson mendohet.

“Më pëlqejnë qebapët, më pëlqen pitja, më pëlqen flija”, thotë Ora.

“Do të thosha se do të gatuaja fli, sepse është...”, thotë Bronson, duke entuziazmuar Orën: “O sa mirë”! “Është gatesa që kërkon më së shumti shkathtësi, duhet të jesh magjistar për ta gatuar”.

Image
Restorantet po kombinojnë traditën dhe modernen për të joshur sa më shumë mysafirë

Ndikimi në komunitet

Në fakt, qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme perëndimore, gjatë pushimeve verore i japin një shtytje të madhe gastronomisë, sektori që përfshin numrin më të madh të të punësuarve në vend.

Sipas standardeve ndërkombëtare të migracionit, shqiptarët konsiderohen turistë në vendin e tyre, për shkak se kohën më të madhe të kohës e kalojnë në shtetin ku kanë migruar.

Zekë Çeku, ekspert turizmi, thotë se restorantet po kombinojnë traditën dhe modernen për të joshur sa më shumë mysafirë. Sidomos gjatë muajve të verës kur diaspora e lëshon dorën gjatë pushimeve në vendlindje.

“Ne kemi mjaft raste në Kosovë, që qendra turistike, hotele janë ndërtuar prej njerëzve të diasporës, dhe ne po bëjmë çmos që domethënë ta bindim diasporën”, thekson Çeku.

Në “Mollën e Egër” kujdesen që produktet natyrale për mysafirët e tyre të sillen nga fermerët e zonës. Tashmë është kthyer në pikë grumbulluese që ua lehtëson shitjen e produkteve të tyre.

Millaku thotë se biznesi nisi veprimtarinë e tij me bashkëpunimin me fermerë të ndryshëm të të gjitha zonave të Kosovës. Teksa flet, tregon pakot me arra, suxhukun tradicional e mjaltin, që mysafirët mund t’i blejnë.

“Kam pasur raporte dhe njohje me shumë e shumë prodhues të prodhimeve tradicionale dhe të prodhimeve që janë prodhuar në mënyrën më unike dhe më të lashtë. Çfarë do të thotë kjo”, shtron pyetjen retorike Millaku. “Kam arritur t’i grumbulloj fermerët, të cilët nuk janë pak. Sot janë mbi tetëdhjetë që punojnë gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit, varësisht prej stinëve, prodhojnë prodhime të ndryshme, të cilat u sigurojmë shitje në këtë vend ku ndodhemi”.

Të gjitha produktet kultivohen e prodhohen brenda “Mollës së Egër”. Në këndin e kuzhinës, e krejt afër furrës me tulla, hap derën metalike. Dyshemeja është vërshuar nga prushi.

Rripe mishi janë varur në gypin metalik cilindrik. Millaku krenueshëm thotë: “Mishi i thatë, ai mishi të cilin e duam shumë, përgatitet në atë mënyrën çfarë e kanë përgatitur të moçmit tanë, të parët tanë, pa i ikur aspak origjinalitetit”.

“Edhe kjo na dallon ne me këtë produkt”, shton ai.

Kosova nuk ka ndonjë strategji turizmi në përgjithësi, e lëre më për agroturizmin në veçanti.

Kryefesta e agroturizmit

Në qytetin e rrushit dhe të verës, familja e Sokol Dembogajt nga Rugova ka vendosur t’ia festojë ditëlindjen dhëndrit që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vjehrri thotë se ka zgjedhur pikërisht Rahovecin me qëllim që t’ua shpalosë së bijës Eronës dhe burrit të saj, Atdheut, historinë e pasur të vreshtarisë dhe verarisë.

“Këtu jam ardhur me familje, edhe një dhandër prej Amerike, e ka sot ditëlindjen dhe shfrytëzuam rastin me vizitu një prej prodhimeve tona këtu në ‘Stone Castle’, kemi ardhur, kemi vizituar, jemi shumë të kënaqur me atë çka kemi pa, me të gjitha ato informacione që i morëm se nuk i kemi ditë”, thekson Dembogaj në hyrje të bodrumit. Në fuçinë e verës, të kthyer në tavolinë, anëtarët e familjes së gjerë kanë shishe vere të kuqe, të bardhë dhe të aromatizuar.

“Na erdhi shumë mirë që kemi një prodhim të tillë dhe mburremi me këtë”, thekson ai.

Megjithëse sivjet është reduktuar theksueshëm numri i turistëve të huaj për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë familje, sikurse ajo e Sokol Dembogajt, po zgjedhin vreshtat e veraritë e Rahovecit për të mësuar historinë, duke cakërruar njëherësh gotat për datat më të rëndësishme të anëtarëve të familjeve të tyre.

Ciceronia Aneza Mullabazi ia ka rrëfyer Eronës historinë e themelimit të bodrumit në vitin 1953. Pos fuçive të drurit, ku ruhen lloje të ndryshme verërash, Mullabazi ka folur edhe për traditën e kultivimit të rrushit dhe verës në çdo familje rahoveciane.

“Për arsye se unë pos që e kam promovuar historinë e qytetit tim të Rahovecit, e kam promovuar edhe Kosovën në njëfarë forme”, thekson Anesa Mullabazi, cicerone në “Stone Castle”.

“Do të thotë promovimi që e bëjmë ne këtu do të thotë është promovim ndërkombëtar, jo vetëm vendor, për shkak se ne kemi turistë që vijnë nga Koreja, nga Australia, nga Amerika, nga vendet e largëta, që vijnë edhe informohen mbi prodhimtarinë në Kosovë, mbi historikun e Kosovës, traditat e të gjitha këto”.

Por, Rahovecit po i mungon edhe sivjet festa më e madhe e tij. “Hardh Festi” nuk është mbajtur qe dy vjet për shkak të pandemisë.

Festa e madhe e rrushit i ka fillet e saj që nga viti 2001, ku në fillim është organizuar nga shoqatat lokale, duke u avancuar dhe duke marrë karakterin nacional. Ajo është festa më e madhe tradicionale e rrethinës, ku shënohet fillimi i vjeljes dhe mbledhjes së bereqeteve, si kurorëzim i punës së vreshtarëve.

“Festa e Vjeljes së Rrushit” i ofron qytetit të Rahovecit dhe rajonit vreshtar të Kosovës program argëtues ndërkombëtar dhe rajonal. Njëherësh u mundëson fermerëve, artistëve dhe popullatës që të jenë aktivë në jetën shoqërore dhe kulturore. “Hardh Festi” josh edhe turistë ndërkombëtarë, të cilët mund ta shohin mënyrën tradicionale të kultivimit të rrushit dhe rakisë.

Në Bërnicë të Epërme të Prishtinës, emri i restorantit shpesh bëhet shkas që mysafirët të ngjiten në plantacionin ngjitur për t’ua treguar arsyen dhe për të mësuar diçka nga historia e pemëtarisë së Kosovës.

“’Molla e Egër’ e ka origjinën, ndoshta mijëvjeçare. Është produkt që e shoqëron vendin. Është produkt që përdoret gati në shumicën e vendeve në pjesën veriore të Kosovës”, thekson Millaku pasi me dorën e djathtë vjel njërën prej mollëve të fundit të egra në plantacionin në shpat. “Kultivimi i saj është shumë domethënës. Domethënë çajet e mollës së egër janë treguar si shumë shëruese në shumë sëmundje të ndryshme. Ka vlera të larta edhe shëruese, edhe ushqyese”.