Prishtinë, 22 janar – Vetëm tri repriza me gjithsej 202 shikues i ka pasur gjatë një viti shfaqja “Njeriu që mungonte” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, realizimi i së cilës ka kushtuar mbi 45 mijë euro.
Shfaqja nën regji të Isa Qosjes, e tekst të Zymber Kelmendit, u dha premierë më 15 shkurt të vitit 2018 – si projekt i bartur nga viti paraprak – dhe gjatë një viti kalendarik, duke llogaritur premierën, nuk është shfaqur hiç më shumë se katër herë. Mungesa e interesimit dhe gjendja shëndetësore e njërit prej aktorëve të kastës përmenden si arsye për mospërsëritjen e saj në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës nga menaxhmenti i këtij institucioni. E regjisori i “Njeriu që mungonte”, konsideron që me gjithë mungesën e interesimit, shfaqja ka qenë dashur të reprizohej më shumë, të paktën për shkak të temës që trajton.
“Njeriu që mungonte”, ka protagonist Agronin, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Një natë ai kthehet në shtëpi. Kjo e shokon familjen e tij. Në mesin e tyre, lind një dilemë: si do t’u tregojnë të tjerëve për kthimin e tij. Kasta e aktorëve të kësaj shfaqjeje përbëhej nga Teuta Krasniqi, Basri Shala, Agron Shala, Doresa Rexha e Gani Rrahmani.
Skenografinë e “Njeriu që mungonte” e ka bërë Shqipe Kamberi, e kostumografinë Samka Ferri. Skulptor i angazhuar në shfaqje ishte Agron Blakçori e muzikën e ka kompozuar Korab Shaqiri.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)