Në rrugën “Marlin Barleti” në Prizren, ku shteti po investon një milion euro për restaurim e konservim, para syve të institucioneve punohet me ekskavator, shembet muri i një shtëpie e rrethohet me shirita që alarmojnë kalimtarët për rrezik. Institucionet fajësojnë njëra-tjetrën e bëhet fjalë për zonën, e cila nëntë vjet më parë u shndërrua në kronikë të zezë, ku humbi jetën vajza trevjeçare
Ka qenë qershori i vitit 2016, kur rruga “Marin Barleti” u bë pjesë e kronikës së zezë pasi shkaku i shembjes së një pjese të një ndërtese të trashëgimisë kulturore mbeti e vdekur një vajzë trevjeçare. Tash, në kohën kur shteti po investon mbi një milion euro pikërisht në këtë rrugë të Qendrës Historike të Prizrenit, është shembur muri verior i një ndërtese. Gërmimi për ndërtimin e një objekti ka shkaktuar telashe në strukturën e ndërtesës në parcelën fqinje duke bërë që të shembet muri e të rrezikohet edhe pjesa tjetër e asaj shtëpie. Hapësira është rrethuar për të mos i lënë kalimtarët të ofrohen, përderisa pjesa e mbetur e shtëpisë mbetet në pikëpyetje për t’u shembur.
Si zakonisht institucionet lokale dhe ato qendrore drejtojnë gishtin nga njëri-tjetri. Përderisa për institucionet e trashëgimisë kulturore në raste të tilla duhet ndërhyrë organet komunale, për Komunën e Prizrenit janë institucionet e trashëgimisë kulturore ato që kanë lejuar që të nisë ndërtimi.
Punimet për ndërtimin e ri kishin nisur në tetorin e vitit të kaluar. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në ditën e 10-të të atij muaji kishte dërguar një shkresë në Drejtorinë e Emergjencave dhe Sigurisë dhe atë të Inspektoratit në Komunën Prizrenit.
“Sipas verifikimit në terren, gjatë punimeve përmes gërmimit me ekskavator është dëmtuar ndërtesa fqinje dhe se pas shkaktimit të dëmit të konstatuar, nga Inspektorati nuk janë ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse në sigurimin statik dhe parandalimin e shkatërrimit total të ndërtesës dhe rrëzimin e kalimtarëve të rastit”, shkruhet në këtë shkresë.
Më pas, me 30 janar të këtij viti, kur muri veç kishte rënë dhe inspektorët komunalë kishin rrethuar hapësirën, QRTK-ja kishte kërkuar masa shtesë nga Komuna. Në shkresë sqarohet se në mbrëmjen e 29 janarit ndërtesa pjesërisht është rrënuar. Aty shkruhet se nuk ishte marrë asnjë masë nga Komuna e as nga pronari.
KOHA ka mësuar se investitori dhe pronari i ndërtesës fqinjë kanë kontest pronësor në organet e drejtësisë.
QRTK-ja duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe Ligjin mbi fatkeqësitë natyrore ka kërkuar masa shtesë.
“Vendosja e konstruksionit të përkohshëm përforcues nga metali apo prej druri me qëllim të parandalimit të dëmtimit të mëtutjeshëm të ndërtesës, vendosja e rrethojës të parandalimit prej metali me qëllim të parandalimit të qasjes në afërsi dhe brendësi të ndërtesës...”, janë disa prej kërkesave të QRTK-së. Në këtë shkresë gjenden edhe ilustrime se si duhet vepruar për të përforcuar ndërtesën.
Por, në Komunën e Prizrenit situatën e përshkruajnë më ndryshe.
Ramize Shala, drejtoreshë e Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, ka thënë se kanë reaguar para shkresave të QRTK-së pasi pala e dëmtuar ka bërë kërkesë. Ka thënë se kanë një komision që vlerëson ndërtesat që paraqesin rrezik.
“Në këtë rast faktori njëri ka dëmtuar këtë shtëpi. Ne kemi hartuar dy raporte. Shtëpia paraqet rrezik pasi punimet në parcelën ngjitur kanë dëmtuar shtëpinë. QRTK-ja ka dhënë pëlqim për rrënimin e ndërtesës paraprake”, ka thënë ajo. Sipas saj, QRTK-ja ka pasur mundësi që të jetë më e vëmendshme pasi zyrat e tyre dhe hapësira ku është zhvilluar aktivitet gërmimi janë krejt afër.
“Drejtoria jonë intervenon në rastet e fatkeqësive natyrore. Në momentet kur rrezikshmëria vjen nga faktori njeri, me këtë merret Inspektorati. Ne jemi në rend të dytë në këtë rast. Lënda është në gjykatë midis dy pronarëve. Aty janë vënë masat mbrojtëse për të mos kaluar qytetarët”, ka thënë ajo.
Paraprakisht një komision komunal më 26 shtator kishte qenë në terren dhe kishte parë se zhvillimi i punimeve në ngastrën fqinje për gërmimin e bodrumit ka çuar deri te dëmtimi i themelit të ndërtesës dhe te humbja e stabilitetit.
Për këtë rast të martën ka reaguar organizata “Ec Ma Ndryshe”. Sipas kësaj organizate, neglizhenca e institucioneve përkatëse për të ndërmarrë masa emergjente mbrojtëse në raste të tilla është e papranueshme për shkak se në këtë mënyrë mund të rrezikohen jetët e njerëzve.
“’Ec…’ përsërit qëndrimin e kahershëm se siguria e qytetarëve është prioritet dhe në këtë linjë thekson qëndrimin se institucionet përgjegjëse në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që ndërtesat e vjetra mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik për sigurinë e pronarëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë”, shkruhet në reagim. Sipas kësaj organizate, në këtë rast edhe zhvillimi i punimeve nga investitorët e punëkryerësit duhet të jetë i kujdesshëm për mosdëmtimin e strukturave të ndërtesave të vjetra në Qendrën Historike.
“Për këtë arsye, ‘Ec…’ kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rrisin vigjilencën për të monitoruar situatën e punimet dhe për të ndërmarrë veprime të duhura ligjore me kohë ashtu që ndërtesat e vjetra në Qendrën Historike të mos shndërrohen në rrezik për qytetarët, por të jenë vlerë e qytetit dhe t’i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm”, shkruhet midis të tjerash në reagim.
Rruga “Marin Barleti” është prej atyre ku MKRS-ja është fokusuar për të konservuar e restauruar ndërtesat e trashëgimisë kulturore. Aktualisht është duke u punuar në pesë të tilla dhe investimet kalojnë një milion euro.