Kulturë

Shala – drejtori i viteve të vështira të “Shotës”

Në vitet e para të pasluftës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota” po luftonte thuajse për ekzistencë si institucion profesionist. Më 2003 në krye të ansamblit ishte emëruar Agron Shala, kohë e cila do të pasohej me hapa të tjerë drejt konstituimit. Të premten, siç ka bërë me dije AKKV “Shota”, ka ndërruar jetë Shala, i cili shërbeu si drejtor i dytë në krye të këtij institucioni prej vitit 2003 deri më 2008

Muajt e parë të pasluftës për ansamblin “Shota” ishin kronikë përpjekjesh për ringjallje tok me entuziazmin për të kthyer repertorin e autoktones para publikut. Në shtator të 1999-s, ky ansambël doli me të parin koncert në kryeqytetin tashmë të çliruar. Në krajatat jo të pakta me administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), “Shota” vazhdimisht provoi të konstituonte veten. Të premten është ndarë nga jeta Agron Shala, i cili ishte drejtori i dytë i institucionit në fjalë në periudhën e pasluftës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, nëpërmjet një afishimi në faqen e saj zyrtare në Facebook.

“Miq të nderuar dhe ju artdashës, ju njoftojmë se sot ka vdekur ish-drejtori i ansamblit ‘Shota’, Agron Shala. Ne si ansambël u shprehim ngushëllime familjes dhe të gjithë atyre të cilët bashkëpunuan me të ndjerin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky ansambël. Aty nuk ofrohen kurrfarë të dhënash për biografinë e Shalës e as për angazhimin e tij në ansambël. Madje, aty nuk jepet as datëlindja e të ndjerit. Nuk është paralajmëruar ndonjë nderim institucional nga “Shota”.

Nderimet janë lënë në baza vullnetare. “Artistët e ansamblit ‘Shota’, të cilët duan të marrin pjesë në varrim, takimi bëhet në ora 12:00 në ambientet e ansamblit”, shkruhet në njoftim.

Klarinetisti Mentor Krasniqi e ka kujtuar Shalën si një njeri i dedikuar pas kulturës sado që me profesion ishte jurist. Duke evokuar një miqësi prej 45 vjetësh, ai ka kujtuar se i ndjeri ishte një nga bateristët e parë asokohe.

“Ishte njeri i qetë e shumë i butë dhe ne shokët e tij e konsideronim si stabilizues i orkestrës sepse ka qenë shumë i matur në sjellje dhe nuk ka ndodhur të ofendojë apo lëndojë dikë me ndonjë fjalë a sjellje”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Ai, me këtë rast, ka evokuar kohën kur kishin lidhur shoqëri në vitin 1976 në ansamblin akademik të studentëve “Ramiz Sadiku”. Ishin një shoqëri e pandarë bashkë me Ismet Bogujevcin dhe Fahri Beqirin, në kohën kur po ndodhte “pothuajse revolucion në muzikën popullore në Kosovë”.

“Në mbrëmjet e brucoshijadave dhe ahengjeve ishim të pandarë. Rezultatet nuk kanë munguar sa kohë ishte drejtor i ansamblit ‘Shota’”, ka shtuar Krasniqi.

Sipas monografisë “Shota: Muze në lëvizje”, me autor Agron Gërgurin, Agron Shala u vu në krye të këtij ansambli më 2003, që deri atëherë ishte udhëhequr nga Haki Mulliqi.

Ishte koha kur ende ishin të freskëta përplasjet me UNMIK-un, që nuk po e pranonte ansamblin “Shota” si institucion profesional. Përgjegjësi i departamentit për kulturë pranë këtij misioni, Gonzalo Retamal, refuzonte të pranonte “Shotën” dhe Teatrin Kombëtar si institucione profesioniste, madje duke mos i përfshirë punëtorët e tyre në listën e pagave.

Me emërimin e Shalës në krye të “Shotës”, pararendësi i tij në këtë detyrë kishte lënë ansamblin dhe kishte pezulluar koreografitë që i kishte bërë.

Në këto rrethana, në ansambël ishin bërë koreografi të reja duke angazhuar edhe emra si Besim Jazexhiu (që realizoi vallet “Vallja Arbëreshe” dhe “Vallja e Çobanit) si dhe Genc Kastrati (realizues i koreografive “Vallja e Dibrës” dhe “Vallja e Karadakut”).

Sado që këto vite shënonin hapa të rëndësishëm konsolidimi, ansambli nuk e kishte të lehtë përballjen me problemin e buxhetit të vogël, prej të cilit duhej të ripërtërihej fondusi i kostumeve, statusi i punëtorëve, pagat e rinovimi i infrastrukturës.

Gjithnjë sipas monografisë “Shota”, Shala kishte qenë në krye të ansamblit deri më 2008. Largimi i tij, siç thuhet në libër, ishte “pasojë e një hendeku në komunikim me punëtorët”.

Pas kësaj, ministri i asokohshëm i Kulturës, Skender Hyseni, kishte formuar një këshill udhëheqës për ta drejtuar ansamblin, në përbërje të të cilit ishin Ahmet Brahmiaj, Dilaver Kryeziu dhe Mustafë Halili. Pas një kohe, drejtor ishte zgjedhur Dilaver Kryeziu.

Ndryshe, varrimi i Agron Shalës, siç është bërë e ditur në njoftimin e “Shotës”, do të bëhet të shtunën në orën 13:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.