Pjesa e parë e ditës së tetë kishte rezervuar tri referime shkencore të pasqyronin kompleksitetin e shtigjeve shkencore nëpër të cilat vazhdon të zhvillohet albanologjia. Arkeologu Arianit Buqinca ishte ai i cili e hapi sesionin me një hulumtim rreth Alfabetit të Gadimes së Epërme. Kumtesa e dytë e sesionit ishte ajo e Ylber Hysës, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, me temën “Madona e zezë në Kosovë”. Si figurë ikonografike gjatë historisë së njerëzimit Madona e zezë ka qëndruar vazhdimisht me shumë kuptueshmërinë e saj në memorien kolektive. Këto imazhe, të pranishme në kultura dhe në kontekste historike të ndryshme, shpesh arrijnë të simbolizojnë një bashkëpunim të faktorëve të ndryshëm si fetarë, kulturorë dhe historikë
Gjatë programit të tij të ngjeshur, i cili nisi punën më datë 19 të këtij muaji, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po vazhdon me kontributin e tij tek shpalosen kumtesa të ndryshme shkencore. Pjesa e parë e ditës së martë kishte rezervuar tri referime shkencore të cilat dukshëm pasqyronin kompleksitetin e shtigjeve shkencore nëpër të cilat vazhdon të zhvillohet albanologjia. Arkeologu Arianit Buqinca ishte ai i cili e hapi sesionin me një hulumtim rreth “Alfabetit të Gadimes së Epërme”. Buqinca shpalosi punën hulumtuese të bazuar në gjetje arkeologjike, respektivisht në shkronjat e gjetura të grafuara në një fragment amfore të ruajtur pjesërisht, i zbuluar në vendbanimin e Dardanisë së lashtë, në Gadime të Epërme të Lipjanit. Gjetjet arkeologjike nga lokaliteti, shoqëruar me fragmentin e enës që mbante pjesën e fundit të alfabetit me shkronja greke, ishin botuar për herë të parë në revistën “Archaeologia Jugoslavica” në vitin 1978. Autorja e parë e botimit të alfabetit, Paroviç-Pesikan, fillimisht ua kishte atribuuar enën prej qeramike dhe shkrimin në të kalkidianëve, gjë që ishte kontestuar jo shumë kohë më vonë nga studiuesi francez i Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letrave të Bukura, Miguel Lejeune.
Tutje ai ka potencuar se polemikat paleografike për Alfabetin e Gadimes së Epërme vazhdojnë deri në vitin 1998-99 në botimet e Muzeut të Kosovës dhe do të mbeteshin në hijen e shkatërrimeve dhe të vjedhjeve të trashëgimisë kulturore të Kosovës nga Serbia, përmes huazimit dhe përvetësimit të ekspozitës “Thesaret arkeologjike nga Kosova”. Tutje ai ka theksuar një detaj tjetër. Motivin se pse ky zbulim u rikthye në vëmendje pikërisht tani në këtë seminar.
“Ky nuk është vetëm një riaktualizim i kësaj teme, por ka të bëjë më shumë me disa shkronja të cilat Lejeune nuk i ka parë, sepse kur e ka botuar ai këtë hulumtim, fotografia ka qenë bardhezi dhe nuk ka mundur t’i vërejë ato shkronja në detaje, pastaj hapësira nuk ka qenë e mjaftueshme për gravimin me ngjyrë të këtyre shkronjave. Ndërkaq tash që qasja për ne është më e lehtë, ne mund t’i hasim këto detaje më mirë”, ka thënë ai.
Fill pas kumtesës së parë, radha ishte për një mirënjohje. Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, ftoi linguistin kroat, Ranko Matasoviq, të pranojë një mirënjohje për kontributin e tij në fushën e albanologjisë në Kroaci. Matasoviq shprehu falënderimin e tij dhe tha se shpreson që kontributin e tij në këtë fushë ta vazhdojë dhe më tej.
Kumtesa e dytë e sesionit ishte ajo e Ylber Hysës, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, me temën “Madona e zezë në Kosovë”.
Si figurë ikonografike gjatë historisë së njerëzimit Madona e zezë ka qëndruar vazhdimisht me shumëkuptueshmërinë e saj në memorien kolektive. Këto imazhe, të pranishme në kultura dhe në kontekste historike të ndryshme, shpesh arrijnë të simbolizojnë një bashkëpunim të faktorëve të ndryshëm si fetarë, kulturorë dhe historikë. Përfaqësohet një lidhje me të shenjtën dhe simbolizohet shpesh kujdesi amësor. Në kontekstin historik këto përshkrime janë lidhur me përhapjen e krishterimit në rajone të ndryshme, duke u bashkuar me traditat dhe simbolikën lokale. Për më tepër pastaj të qenit e zezë, errësira e këtyre imazheve mund të shihet e të interpretohet në forma të ndryshme. Por diçka mbi qëndrueshmërinë dhe përfshirjen në kontekste fetare dhe kulturore në tokat shqiptare foli Hysa. Ai ka bërë dhe një përvijim të trajtimit shkencor të kësaj figure.
“Ballafaqimi me fenomenin e Madones se zezë pavarësisht se është një fenomen mijëravjeçar, ballafaqimi shkencor me të është i ri. Teoritë që tentuan ta bëjnë shpjegimin e saj janë ato aksidentale që i japin asaj kuptimin e një ndikimi esencialisht të paqëllimshëm. Por nëse duam t’i ndajmë këto mund t’i ndajmë në tri, në atë që mund ta quajmë aksidentale, katolike doktrinare dhe ajo sinkretike multidisiplinare si një antropologji historike”, ka thënë Hysa.
Pikë tjetër e diskutimit ishte qasja e shpalosur e cila ilustron lidhjen e kësaj figure kulturore me hyjneshën në fron, apo me perënditë pagane.
“Në një paralele më të koncentruar është interesante të vërehet se pikërisht Madonat më të rëndësishme që kryesisht janë të koncentruara në Francë, ekzistojnë nga një tempull pagan dhe lidhen me një paralele të ashtuquajtura virgjëresha druide. Për studiuesin e kësaj paraleleje kjo do të thotë që krishterimi në vendet kelte e bëri një shtrije shumë të shpejtë dhe kështu ai e shpjegon këtë ndërlidhje kulturore si një fenomen pararomak që u bart dhe u përshtat, duke e mundësuar një kult pagan që të kalojë në krishterim”, ka shtuar ai.
Detajet shkencore të cilat ai i solli gjatë prezantimit të tij ishin të shumta. Ndër të tjera, dhe utilizimi i kësaj figure gjatë historisë si levë për të arritur objektiva të ndryshme.
“Është me rëndësi të theksohet se Madona e zezë vetvetiu është një fenomen, identifikimi i saj si një kufi më lindor tregon në vete diçka substanciale dhe e pasuron konceptin mbi Madonën e zezë sidomos në këto dy interpretimet e origjinës. Qasja e re që i bëjnë jezuitët, ata fillojnë ta përdorin shtypshkronjën duke utlizuar teknologjinë dhe e bëjnë mesazhin e Madonës së zezë e cila është pikërisht e pikturuar në të zezë dhe përfundi e ka të shkruar thënien nga Bibla ‘jam e zezë por jam e bukur’. Është forma e parë e cila utilizon shtypshkronjën duke bartur mesazh përmes artit”, ka shtuar Hysa.
Marco Armeni nga Italia u prezantua me një referim rreth historiografisë shqiptare dhe qasjeve të ndryshme gjatë historisë mbi të. Me titullin “Processes and historiographical production under analysis: the case of the reconsturction of the Ottoman conquest of Albania”, studiuesi Armeni ofroi një pasqyrë të këtij zhvillmi me theks në dije bërjen gjatë komunizmit.
Ai, ndër të tjera, ka shpalosur faktin se që nga viti 1912, shqiptarët patën nevojën të përvijojnë termat e hapësirës dhe kufijve të identitetit të tyre kombëtar. Ka sqaruar se ky proces u zhvillua në disa mënyra gjatë shekullit XX. Ndërkaq gjatë regjimit të Hoxhës, fokusi i këtij procesi zhvendoset në të kaluarën osmane të qarkut. Përpjekja e partisë u zhvillua kryesisht në dy fronte: ideologjinë komuniste dhe nacionalizmin. Këtij aspekti të fundit, historiografët kryesorë të vendit, si Aleks Buda, Selami Pulaha dhe Kristo Frashëri, iu përkushtuan, duke e modeluar prodhimin e tyre historiografik në kallëpin e nacionalizmit të Hoxhës. Ai ka analizuar një proces, metodologjikisht të plotë dhe koherent, duke u përpjekur të kuptojë se sa përkon me “të vërtetën historike” dhe sa është në bazë të analizës historiografike dhe të trajtimit akademik të Shqipërisë para dhe pasosmane. Armeni ka treguar se nuk vërehet ndryshim sot në akademinë shqiptare sa u përket studimeve të komunizmit.
“Gabimet ose përpjekjet për të adaptuar historinë me çështjen komuniste të partisë janë shumë superficiale, dhe kjo është gjëja më e dhimbshme, por e keqja është që akoma sot në prodhimin akademik në Shqipëri të paktën, në historiografinë shqiptare ende përdoren Selami Pulaha, Kristo Frashëri dhe Aleks Buda, janë ende vepra që nuk mund të kritikohen, dhe kjo nuk është e mirë nga ana akademike intelektuale”, ka thënë ai.