Organizatorët kanë paralajmëruar se edicioni i sivjetmë, i 42-ti me radhë, do të jetë prej më të pasurve që është mbajtur ndonjëherë. Sivjet pret rreth 300 pjesëmarrës. Ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës dhe prezantime të kumtesave janë segmentet e kahershme mbi të cilat Seminari ndërton programin. Sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt. Por kjo është veç një copëz e programit të Seminarit të sivjetmë
Në edicionin e kaluar punimet i kishte mbyllur me premtimin për madhështinë e edicionit në ardhje, atë që shënon jubileun e gjysmëshekullit të themelimit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Organizatorët kanë paralajmëruar se edicioni i sivjetmë, i 42-ti me radhë, do të jetë prej më të pasurve që është mbajtur ndonjëherë. Sivjet pret rreth 300 pjesëmarrës.
Ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës dhe prezantime të kumtesave janë segmentet e kahershme mbi të cilat Seminari ndërton programin. Sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt. Por kjo është veç një copëz e programit të Seminarit të sivjetmë.
Sikur vjet, edhe ky edicion i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare drejtohet nga profesori Bardh Rugova, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ai ka thënë se sivjet janë munduar të sjellin sa më shumë figura të shquara të albanologjisë në botë duke e pasuruar ngjarjen.
“Do të jetë, me siguri, një prej konferencave më autoritative dhe më të pasura të albanologjisë që është mbajtur ndonjëherë. Kjo nënkupton se do të marrin pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të albanologjisë në botë. Gjithmonë në Seminar jemi përpjekur të kemi këta emra të mëdhenj, por jo të gjithë bashkë në një vend. Sivjet kemi bërë një përpjekje që të mos jenë vetëm disa, por të gjithë më të mirët t’i bëjmë bashkë në një konferencë të përbashkët”, ka thënë ai në një bisedë me KOHËN.
Ka bërë të ditur se priten rreth 300 pjesëmarrës, prej të cilëve ndërtohet programi, si dhe ata që ndjekin kurset e gjuhës në tri nivele.
“Nëse flasim për ata që vijnë për ta mësuar shqipen në tri nivele, numri do të jetë përafërsisht si i viteve të kaluara – rreth njëqind. Sa u përket atyre që do të vijnë për të kumtuar, për referim, ligjëratë, numri i përgjithshëm është rreth 200 të tillë. Kjo bën që gjithsej të kemi 300 pjesëmarrës në të gjitha nivelet”, ka thënë ai.
Seminari nis punimet me hapjen solemne në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në orën 11:00 e më pas do të ketë kurse gjuhe, ndërsa do të organizohet edhe tryeza me temën “50-vjetori i Seminarit”, ku do të prezantohen kumtesat e studiuesve shqiptarë.
Sivjet nuk ka temë bosht. Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, ka thënë se kjo ngjan për herë të parë në historinë e ngjarjes.
“Sivjet nuk kemi dashur të organizojmë temë bosht. Është hera e parë në Seminar që nuk ka një temë bosht. Ajo është e hapur dhe mund të diskutohet gjithçka që ka të bëjë me albanologjinë”, ka thënë ai.
Në ditën e dytë të Seminarit organizohet ligjërata “Ora e Rexhep Ismajlit”, ndërsa referimet nga studiues të huaj janë caktuar në orarin e pasdites.
Të mërkurën, në ditën e tretë, Yll Rugova do të mbajë ligjëratë në Bibliotekën Kombëtare me temën “Alfabeti më i vjetër origjinal i shqipes: në dritën e një burimi të ri”, ndërsa në temën “Projektet e albanologjisë në botë” do të prezantohen studimet e Sabri Hamitit, Mehmet Krajës, Nysret Krasniqit, Vjosa Osmanit, Elsa Sk[enderit, Adelajda Baftiu, Lumnije Jusufit dhe Blertë Ismajlit.
Të enjten, midis aktiviteteve të tjera, akademiku Shaban Sinani do të mbajë ligjëratën “Një vështrim krahasimtar letërsisë sociale në Ballkan në periudhën mes dy luftërave”.
Kultura shqipe në edicionin e sivjetmë prezantohet me koncertin e muzikës arbëreshe nga këngëtarja Anna Stratigo dhe Spiro Pano në violonçel, që zhvillohet të mërkurën, sikurse edhe me prezantimin e artistit Sislej Xhafa me temë “Arti kosovar në botë”- bashkë me shfaqjen e një filmi vendor e një orë letrare.
“Sivjet kemi vendosur që të organizojmë një koncert të muzikës arbëreshe me Anna Stratigo. Vitin e kaluar kemi pasur koncert me arbëreshët e Zarës, sivjet me ata të Italisë. Anna Stratigo është një këngëtare e mirënjohur e muzikës arbëreshe. Do të kemi një paraqitje të Sislej Xhafës për artin bashkëkohor në botë dhe do të kemi poezi arbëreshe me Mario Bellizi. Për seminaristët do ta lëshojmë filmin ‘Vera andrron detin’. Sivjet kemi pasur një periudhë të suksesshme të kinematografisë së Kosovës dhe kemi dashur që ta pasqyrojmë këtë përmes shfaqjes së njërit prej këtyre filmave”, ka bërë të ditur profesori Rugova.
Emra nga vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Rusia, Skocia, Austria, Hungaria dhe jo vetëm, do të jenë pjesë e referimeve.
Të shtunën do të organizohet vizitë në Prekaz dhe Prizren, ndërsa të dielën në Ulpianë e në Shpellën e Gadimes, si dhe në shkollat-shtëpi të viteve ’90.
E hëna e ardhshme i mbledh studiuesit në tryezën e organizuar për Ismail Kadarenë, ndërsa programi i ngjeshur vijon në krejt javën. Deri të premten, kur i mbyll punimet Seminari i 42-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe. Të enjten ligjëratë do të mbajë akademiku Rexhep Ismajli me temën “Studimet e shqipes në ish-Jugosllavi”.
Në edicionin e kaluar, derisa kishte folur për Seminarin, kishte thënë se ngjarja ka histori të gjatë dhe se u ka mbijetuar ndryshimeve të mëdha shoqërore e politike në Kosovë e në Ballkan.
“U ka mbijetuar për një arsye të thjeshtë. Seminari që nga fillimi synim e ka pasur integrimin në kuadër të shkencave albanologjike brenda albanologjisë. Falë angazhimit të madh të studiuesve nga bota, ne kemi arritur që si institucion të mbijetojmë dhe tani Seminari ka një rrugë shumë të hapur dhe shumë të qartë të punës dhe veprimtarisë së tij”, kishte thënë Ismajli.
Edicioni i kaluar kishte për qëllim të gërmonte mbi temat “Letërsia shqipe dhe intertekstualizmi” për letërsinë dhe “Shqipja në rrezik” për gjuhën. Pos programit qendror me ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës dhe jo vetëm, veçanti kishin qenë edhe vizitat në institucionet e qyteteve, si dhe përgatitja e ushqimeve tradicionale e prezantimi i veshjeve kombëtare si gjurmim nëpër kulturën shqiptare.
Në vitet ’90 Seminari ishte ndërprerë përkohësisht, shkaku i gjendjes së atëhershme pasi Kosova ishte praktikisht nën okupim. Rugova ka bërë të ditur se data e hapjes së edicionit të 42-të do të jetë 19 gushti.
Seminari është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë (atëkohë: Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës. Për çdo vit ky seminar mbledh bashkë me dhjetëra studiues e studentë të cilët trajtojnë problemet gramatikore, ato të letërsisë, kulturës shqiptare, si dhe ato të albanologjisë në përgjithësi.
Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë, përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19-20 të viteve 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë të Shkencave të Shqipërisë. Drejtori i parë i Seminarit ka qenë akademik Idriz Ajeti. Njëra prej sallave ku organizohen aktivitetet e kësaj ngjarjeje mban emrin e tij.
Seminari organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë.
Vitin e kaluar në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare studiues e mysafirë nga shtetet e Evropës kishin sjellë studimet e tyre, ndërsa një orë i ishte kushtuar shkrimtarit e akademikut Eqrem Basha.
Edicioni i vjetëm kishte nisur më 14 gusht, ku akademik Muhamedin Kullashi kishte mbajtur ligjëratën me titull: “Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë”. Programi kishte vazhduar deri më 25 gusht.