Kulturë

Samka Ferri nderohet me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit

Samka Ferri

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimet në fushën e teatrit të enjten në Ditën Botërore të Teatrit. 

Kostumografja Samka Ferri është nderuar sivjet me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore. 

Çmimin për Shfaqjen më të Mirë përgjatë vitit të kaluar e mori Teatri Kombëtar i Kosovës për shfaqjen “Martesa” me autor Witold Gombrowicz dhe nën regji e adaptim nga Norbert Rakowski. 

Çmimin për Regjinë më të Mirë  e mori Erson Zymberi për  shfaqjen “Djali” me autor francezin Florian Zeller ndërsa Çmimi për Aktorin më të Mirë e mori Shpëtim Selmani për rolin kryesor në shfaqjen “Të bardhët” me autor  Steven Leigh Morris. 

Për prezantimin në skenën ndërkombëtare të shfaqjeve “The Handke Project”, “Balkan Bordello” dhe jo vetëm, “Qendra Multimedia” mori Çmimin për Prezantim Ndërkombëtar, të ndarë nga Ministria e Kulturës, të enjten pasdite. 

Ministri Hajrulla Çeku në fjalën e tij është shprehur falënderues për punën e kontribuuesve të skenës teatrore në vend.  

“Kjo ditë e ka edhe simbolikën e vet – Dita Botërore e Teatrit – andaj shfrytëzoj rastin që në emër të Ministrisë së Kulturës, por edhe në emrin tim personal, të shpreh falënderimin tonë të sinqertë për të gjithë ata që kontribuojnë dhe e mbajnë gjallë artin dramatik, dhe i shërbejnë teatrit, publikut artdashës. Edhe ata që shihen në skenë e që nuk shihen, e madje nuk shihen as jashtë skene, por janë pjesë esenciale e asaj çfarë sheh publiku këtu”, është shprehur Çeku.

Ka thënë se skena teatrore funksionon përkundër sfidave e mungesës së kushteve. 

“Shpesh ka shumë sfida, nga kushtet e punës e deri në telashet tjera, por përkundër atyre, me shumë përkushtim ju i shërbeni skenës, teatrit dhe publikut”, ka thënë ai. 

Juria ka qenë e kryesuar nga regjisori Alban Beqiraj dhe e përbërë gjithashtu nga anëtarët Aurita Agushi, Agon Myftari, Blerta Syla-Surroi dhe Xhevdet Doda.