“Mustaqet e mia janë... shumë të mprehta, shumë agresive”, kishte thënë Salvador Dali në një intervistë unike të vitit 1955. Lozonjare dhe provokuese, mustaqet e Dalít ishin më shumë se vetëm mustaqe në fytyrë, por një deklaratë e guximshme artistike. Në një intervistë ekskluzive për BBC, artisti surrealist do të tregonte sekretin e mustaqeve më të famshme në botë
Në vitin 1955, artisti spanjoll, Salvador Dalí – i cili lindi këtë javë 120 vjet më parë – u ul me intervistuesin veteran, Malcolm Muggeridge në “Panorama” të BBC-së dhe foli për simbolin më të fuqishëm të identitetit të tij artistik – mustaqet e tij.
Muggeridge pranoi se ai me të vërtetë duhet të pyeste surrealistin e famshëm për imazhet e çuditshme ëndërrimtare që e bënë atë emër, por pamja e mustaqeve të shkëlqyera të Dalit i rezultoi e papërmbajtshme për të. Ajo që pasoi, për këtë program të BBC-së i njohur për dokumentarët e tij investigativ për çështjet aktuale, u shndërrua në një intervistë surreale më vete.
“Pyetja e parë që dua t’ju bëj – me të vërtetë duhet të jetë për artin modern, por nuk mund ta bëj – ka një mendjelehtësi të këndshme te ju që më bën të pyes – si arritët t’i bëni ato mustaqe të mrekullueshme ?”, kishte thënë Muggeridge.
“Në fillim të këtyre mustaqeve, unë përdorja një produkt shumë natyral”, u përgjigj Dalí. “Hurmat, e dini? Frutën? Në fund të darkës, nuk pastroj gishtat fare dhe i lyej pak mustaqet dhe mbeten ashtu gjithë pasditen, shumë efikase. Por tani unë përdor një produkt të vërtetë, shumë të mirë, [që gjendet] në Place Vendôme, dylli hungarez ‘Pinaud’ (një markë franceze që ka filluar që nga viti 1810) Është një dyllë shumë i njohur tashmë. Proust, Marcel Proust (shkrimtari francez), përdor të njëjtën gjë."
“Po, por të atij ishin më të mprehta, apo jo”, u përgjigj Muggeridge, duke vazhduar me temën. "Nuk kishin një përdredhje të mrekullueshme si mustaqet tuaja”.
“Edhe ai e përdorte këtë dyllë, por e përdorte atë në një mënyrë tjetër ose në një mënyrë... më dëshpëruese. Pak depresive dhe melankolike. Por mustakët e mija ndryshe nga ato janë më ‘gay’, shumë të mprehta, shumë agresive”.
Muggeridge vazhdoi, duke e shtyrë artistin të tregonte më shumë detaje mbi mustaqet e tij që sfidojnë gravitetin, duke zbuluar se artisti i pastronte ato çdo mbrëmje – duke i lejuar të zbuteshin dhe të uleshin gjatë natës – koha që iu desh për t’u përgatitur në mëngjes – nja tre minuta të shpejtë – dhe si mustaqet e tij shërbyen si mjet praktik për “frymëzimin” e tij.
Muggeridge nuk ishte i vetmi që u mahnit nga mustaqet jashtëzakonisht të guximshme të artistit. Sinonim i vetë artistit, mustaqet e Dalít të rregulluara në mënyrë aq të veçantë ishin bërë legjendë.
Dalí kishte një buzë të sipërme me mustaqe që nga vitet 1930, dhe fillimisht ishte një model relativisht modest i bazuar në një pamje të popullarizuar në atë kohë nga aktori amerikan, Adolphe Menjou. Por me kalimin e viteve, mustaqet e artistit, “si fuqia e imagjinatës, vazhduan të rriteshin”, siç do ta thoshte Dalí më vonë në një libër fotografik kushtuar mustaqeve të tij botuar më 1954.
Nga vitet 1940, ai po rriste dhe stilonte mustaqet e tij në lartësi gjithnjë e më dramatike, fundet e tyre të përthyera të kujtonin një tjetër piktor të mëparshëm spanjoll, Diego Velázquezin. Mustaqet e Dalit shërbyen si një deklaratë e guximshme e qasjes së tij, duke mishëruar rebelimin, kreativitetin, mungesën e respektit, individualitetin dhe absurditetin.
“Më bien ndër mend disa artistë të tjerë që ndoqën famën dhe pasurinë në mënyrë agresive po aq sa Salvador Dalít. Ai u kthye në mënyrë aktive në një markë, duke e promovuar paturpësisht veten me çdo mjet të nevojshëm”, kishte thënë historiani i artit, David Dibosa, në dokumentarin “Art” në BBC në vitin 2022. “Dhe si me çdo markë, për të qenë vërtet i suksesshëm, ju duhet një logo që njihet menjëherë”.
Qoftë i mbështjellë në një figurë të numrit tetë, të zbukuruar me lule ose të lidhura me kordele, mustaqet e tij u bënë po aq të kuruara sa vetë imazhi i tij publik. Përdredhjet e ekzagjeruara, si pikturat e tij, i përballën shikuesit me absurdin, duke i sfiduar ata të vënë në dyshim realitetin e tyre.
Ato shërbyen për të ngurtësuar imazhin e tij në mendjen e publikut, një shenjë vizuale dramatike për shpirtin e çuditshëm, teatror dhe të pandershëm që përcaktoi personalitetin artistik të Dalit.
Ai ndonjëherë, përdorte mustaqet e tij dhe si penel, ose i shfaqte në piktura, përfshirë Autoportretin e tij, duke mjegulluar më tej kufirin midis artit dhe jetës, seriozes dhe komikes, reales dhe surreales.
Dhe ndërsa markat artistike zhduken, ajo ka rezultuar jashtëzakonisht e qëndrueshme. Silueta e saj surreale ka zbukuruar gjithçka, nga bizhuteritë deri te filxhanët e kafesë, madje është pikturuar në një aeroplan “Delta Air Lines 757” në vitin 2010. Në të njëjtin vit, një sondazh për “Movember”, një ngjarje vjetore për rritjen e mjekrës, i cilësoi mustaqet e Dalit si më të famshmet, mustaqet e të gjitha kohëve.
Në një epilog të përshtatshëm surreal, i cili ilustron fuqinë e qëndrimit të motivit të tij lozonjar, kur trupi i Dalit u zhvarros për një test atësie në vitin 2017, pothuajse tri dekada pas vdekjes së tij në vitin 1989, mustaqet e tij ishin ende krejtësisht të paprekura, dukeshin sikur akrepat e orës që tregonin 10 në 10.
“Isha i etur për ta parë atë dhe isha absolutisht i habitur”, ka thënë asokohe për stacionin radiofonik të Spanjës “RAC1”, Narcis Bardalet, i cili kishte qenë përgjegjës për balsamimin e trupit të Dalit.
“Ishte si një mrekulli... mustaqet e tij u shfaqën saktësisht në orën 10 e 10”.