(The Guardian) – Salman Rushdie ka thënë se i pari mendim që i erdhi kur e pa njeriun që iu vërsul në skenë në gusht të vitit 2022 ka qenë: “Pra, ky je ti”, shkruan “The Guardian”
“Dukej si diçka që vinte prej të kaluarës së largët dhe tenton të më tërheqë prapa në kohë, nëse doni, në atë të kaluar të largët që të më vrasë”, ka thënë shkrimtari britanik-indian, autor i veprave si “Vargjet satanike” e “Djemtë e mesnatës”.
Rushdie planifikohej të mbante fjalim në “Chautauqua Institute“ në New York më 12 gusht, kur sulmuesi ia behu vetëtimthi në skenë duke e therur dhjetë herë.
“Kam qenë i ulur në të djathtë të skenës”, ka thënë ai duke lexuar pjesë nga libri i tij i ardhshëm që për temë ka pikërisht sulmin, titulli i të cilit është: “Thika: Meditim për vrasjen në tentativë”. “Mandej në anën time të djathtë – e fundit gjë që kam parë me syrin tim të djathtë – pashë një burrë në të zeza teksa vraponte drejt meje nga ana e djathtë e pjesës për t’u ulur. Veshja e zezë, maska e zezë në fytyrë. Erdhi shpejt e ulët si raketë me rreze të ulët”.
“E pranoj, ndonjëherë e kam imagjinuar vrasësin tim duke u ngritur në një vend publik dhe duke ardhur nga unë pikërisht në këtë mënyrë. Kështu që mendimi im i parë kur pashë këtë figurë vrasëse që po nxitonte drejt meje ishte: ‘Pra, ky je ti. Ja ku je’”.
Pas sulmit Rushdie qëndroi në spital gjashtë javë. Humbi shikimin në syrin e tij të djathtë dhe ndjeshmërinë në disa gishtërinj. “Njëri prej kirurgëve që ma shpëtoi jetën më tha: ‘Së pari ishte fatzi e më pas ishte fatlum’. Thashë: ‘Cila është pjesa e fatit?’ Paj për fat, ai që të sulmoi nuk kishte haber se si vritet njeriu me thikë”, ka thënë Rushdie në “60 Minuta” me Anderson Cooperin në CBS, në intervistën e tij të parë televizive pas sulmit.
Sulmi ndaj tij ndodhi 33 vjet pasi lideri i atëhershëm iranian Ajatolah Homeini lëshoi fatvanë me të cilën thërriste për vrasjen e Salman Rushdies pas botimit të librit “Vargjet satanike” që u shpall blasfemi.
I akuzuari i armatosur, Hadi Matar, është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasje në tentativë të shkallës së dytë dhe sulm të shkallës së dytë. Që prej arrestimit të tij menjëherë pas sulmit, ai është mbajtur pa kusht.
Në janar gjyqi i Matarit u vonua për shkak të librit të kujtimeve. Avokati që përfaqësonte Matarin argumentoi se ata kishin të drejtë të shihnin kujtimet dhe çdo material lidhur me sulmin përpara se klienti i tij të dilte në gjyq, sepse një libër i tillë është provë materiale.