Kapitulli me odisenë e projektit për sallë koncertale tek objekti i ish-“Gërmisë” ka marrë një epilog me miratimin e tij e ndërkohë kanë ndryshuar disa gjëra. Është rikonfirmuar që objekti aktual synohet të bëhet galeri e muze e prapa saj ngrihet salla koncertale. Por, nuk do t’i ketë kapacitetet prej 1.400 ulëseve siç ishte ideuar krejt në fillim, por 800. Buxheti për konkretizimin e saj është larg kostos prej 12 milionë eurosh, sa ishte llogaritur më shumë se tre vjet më parë. Tash nuk mjaftojnë as 30 milionë. Nëse punimet nisin shpejt, duhen së paku dy vjet e gjysmë për ta finalizuar objektin, të cilit Komuna e Prishtinës i referohet si qendra multifunksionale “Evropa”
Katër vjet pas konkursit për projektim të sallës koncertale në kryeqytet, Prishtinës i është vulosur dokumenti bazik – projekti për atë që është investimi më i madh kulturor i qytetit. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka miratuar projektin zbatues për qendrën multikulturore “Evropa”, pjesë e së cilës është salla e koncerteve dhe ai që përshkruhet si muze i artit. Ndërtesa aktuale, dikur “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jetë një lloj galerie a muze i qytetit. Kurse prapa saj do të marrë formë ndërtesa e re – salla koncertale. Vendimi i së mërkurës në IKMM i ka hapur rrugë implementimit të projektit. Versioni i fundit i projektit ka goxha ndryshime.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për të ardhur deri te miratimi kishte pasur kërkesa për disa çështje. Midis tyre edhe uljen e volumit. Ky institucion gëzon të drejtën ligjore për të shqyrtuar këtë projekt shkaku që “Gërmia” e dikurshme është monument i kulturës dhe do të shndërrohet në galeri, kurse afër saj do të ndërtohet salla koncertale, ashtu siç ishte bërë e ditur qysh në marsin e vjetëm. Vetë Komuna e Prishtinës i referohet krejt objektit si qendra multifunksionale “Evropa”.
Me versionin e fundit, atë të miratuar, salla qendrore prej 1.400 ulëseve do t’i ketë 800, kurse ajo alternative prej 400 ka ardhur në 170.
Projektuesit, studioja e arkitektit japonez Kengo Kuma dhe ajo e arkitektit vendor Bekim Ramku kanë përshtatur specifikat e kërkuara nga Instituti. Sipas projektit, ndërtesa aktuale e ish-“Gërmisë” nuk do të preket pos një strehe që do t’i shtohet nga ana e bulevardit.

“Kryesisht do të thotë kërkesat e IKMM-së kanë qenë që të zvogëlohet volumi i shtesës së re që të mos jetë diçka që e mbipeshon ose ia merr anën monumentit që është nën mbrojtje. Atë gjë e kemi bërë, e kemi ulur numrin e ulëseve dhe pjesa e tjetër ka qenë më shumë argumentimi i intervenimeve sesa ndalimi i tyre”, ka thënë arkitekti Ramku. Sipas tij, implementimi kërkon pak më shumë se 30 milionë euro.
“E mira e projektit është se pjesët e reja që janë paraparë të ndërtohen janë kombinim i betonit të armuar me çelik. Nëse parafabrikohen ato dhe nëse është kompani me eksperiencë, besojmë se projekti do të kryhej për dy vjet ose dy vjet e gjysmë”, ka thënë ai. Salla dhe krejt kompleksi do të kenë pamje moderne duke ruajtur ndërtesën aktuale, që është dëshmi e modernizmit në arkitekturën e kësaj ane.
Në pranverën e këtij viti projekti ideor ishte miratuar me kusht. Udhëheqja e Komunës kishte planifikuar që në fillim të këtij viti të nisnin punimet, por gjërat s’kanë shkuar ashtu. Kostoja e ndërtimit është rritur goxha. Arsye për këtë është se volumi i krejt kompleksit kap mbi 19 mijë metra katrorë dhe në projektim është përdorur materiali më modern i mundshëm që hapësira të jetë sa më funksionale.
Versioni i projektit ideor, i miratuar me kusht në prill të këtij viti, kishte 17 mijë e 226 metra katrorë. Krahas ndërtesës aktuale që shndërrohet në galeri, prapa saj do të jetë ndërtimi i ri, salla koncertale. Kapaciteti pritej të jetë prej 1.200 ulësesh. Një sallë më e vogël e quajtur auditorium pritet të ketë 400 ulëse. Por, me uljen e volumit si kërkesë e IKMM-së hapësirat janë ngushtuar. Do të ketë të paktën tri ambiente komerciale, kafehane e dyqane.
Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milionë euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro, do t’i paguajë Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit të kaluar. Por, ai memorandum tashmë ka rënë poshtë.
“Afati i realizimit të qëllimit të memorandumit të bashkëpunimit duhet të arrihet brenda vitit 2023”, shkruhej në këtë dokument. Komuna për tre vjetët që vijnë ka paraparë 3 milionë euro për këtë projekt përderisa Ministria e Kulturës 10 milionë.
Siç vepron rëndom, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është bërë edhe lajmëtar në Facebook i miratimit të një projekti që s’është nismë e Ministrisë që ai udhëheq.
“Jemi të gatshëm për ta mbështetur Komunën e Prishtinës edhe më tutje, sipas kërkesës së tyre. Koha për të vepruar dhe jetësuar këtë projekt me rëndësi jetike për komunitetin artistik të kryeqytetit. Mjaft kohë është humbur!”, ka shkruar Çeku, i cili udhëheq institucionin që tash e dy vjet shkaku i shkeljeve ligjore që bën s’mund të ketë as projekt ideor për Teatër të Operës dhe Baletit prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit të vitit të kaluar, kur kryetari Përparim Rama kishte publikuar imazhe të tij gjatë vizitës së tij në Japoni tek arkitekti Kengo Kuma.
Komuna e Prishtinës e kishte konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes Kuma-Ramku për transformimin e ndërtesës, që gjendet në qendër të Prishtinës, ishte shpallur fitues në pranverën e vitit 2021. Por, ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.
Kur në maj të këtij vitit 2023 ishte nënshkruar kontrata, arkitekti Bekim Ramku kishte sqaruar se në fazën e parë do të bëjnë vlerësimin e statikës së ndërtesës, po ashtu edhe të vlerave të objektit.
Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.

“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale ka hyrë në dekadën e dytë.
Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli, së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar Bekim Ramku dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt në prill të vitit 2021 kishte marrë 82.42 pikë, duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Salla e madhe do të kishte 1.400 ulëse, kurse e vogla 400.
Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6.969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.
Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihej ajo që kishte kërkuar kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.
Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 12 milionë euro që të zbatohej. Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka llogaritur edhe në përkrahje të fondeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2019 kishte humbur mundësinë e një fondi prej 12 milionë erosh për këtë sallë në mungesë lokacioni e projekti.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata. Nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale. Tash, me projektin e miratuar është vulosur që ajo të bëhet galeri a muze e prapa saj salla e shumëpritur koncertale.