Kulturë

“Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt” në artin e përjetësimit të realitetit

“Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt”

Madhështore, “Kënga për Kadinjaçën” 5 me 1.8 metra e vitit 1981 vjen si një elegji plot ngjyra e detaje për një të kaluar të trishtë

Ngjarjet e kohës te ai linin shenjë në kujtesë e ato më pas i përjetësoi në vepra. Në veprat e tij shkruhet historia, realitetet përjetësohen, çon krye parashikimi, e mbi të gjitha është një botë e pakufishme, e tejkohshme. Monumentale është vepra e maestros dhe ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt” e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës është hyrje e përjetim i universit të tij. Veprat veç e veç artefakte të artit shqiptar

Arti ka fuqinë të transmetojë ndjenjën e madhështisë te individi, qoftë ajo nëpërmjet emrit të artistit, por sidomos nga vetë puna e tij. Pikërisht me një ndjenjë të tillë gjëllin edhe emri i artistit Gjelosh Gjokaj. Prapa tij qëndron një veprimtari kolosale, si për nga rëndësia ashtu dhe për nga vëllimi dhe roli historik. Estetika në veprat e tij – të cilat në ekspozitë ngërthejnë 50 vjet veprimtari si rezultat i një jete boheme – përplaset shpesh me fuqinë narrative e cila në shikim të parë bëhet e papërballueshme. Secila vepër i ngjan një libri të gjatë që do përqendrim e motiv të pastër për t’u kuptuar. Njësoj, po si një libër, mbase dhe një monografi figurative, është dhe ekspozita e titulluar “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, e hapur të mërkurën pasdite në Galerinë Kombëtare të Kosovës. 

E organizuar për nderim të 90-vjetorit të lindjes së mjeshtrit Gjokaj, një e tillë me motivin e njëjtë i kishte paraprirë edhe në Tiranë, në prill të vitit të kaluar, por me një fond dukshëm më të vogël të veprave të ekspozuara. 

Në Prishtinë vepra e Gjokajt – aty ku dikur i kishte vënë themelet e një lëmi artistik siç është grafika – u rikthye me ekspozitën retrospektive e cila përmban 25 vepra nga koleksioni privat i Sead Gjokaj, i njohur jo vetëm si admirues i punës së të ndjerit dhe i afërm i tij, si dhe 18 vepra prej fondit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. 

Detajet sërish vjedhin vëmendjen, në vargun e të shumtave dallohet edhe një korb tek pi ujë nga një helmetë e një ushtari të vrarë 

Dy katet e Galerisë janë mbuluar me afro pesëdhjetë vepra të Gjokajt, secila pasqyrë më vete e periudhave të ndryshme të një karriere shtatëdekadëshe. Zor që shikimi të pushojë te njëra vepër. Ndjenja e ngashënjimit kaplon me t’i takuar sytë me cilëndo prej tyre. Akrilik në dërrasa, akrilik në karton, vaj në pëlhurë, grafika, stampime. Dimensione nga 24 me 30 centimetra deri në 5 me 1.8 metra. Të gjitha këto tregues i mjeshtërisë së tij, por përtej zotimit të teknikës, në fakt mjeshtëria duket se qëndron te jetët brenda tyre. 

Vepra më e vjetër e artistit shkon te viti 1961, ndërkaq më e reja ka 2012-n si vit të jetësimit. Fillet e veprimtarisë së tij artistike veçohen për nga qasja emblematike që ai u jep pikturave e grafikave të tij.

Antikja qëndron me kryeneçësi në to, herë me mitologjinë greke e herë me referenca edhe të tradicionales shqiptare. Kokat e famshme që mbijnë, të cilat janë edhe në mesin, e detajet shënjuese të veprës së tij fillojnë e dominojnë veprimtarinë e Gjokajt në rrëzë të 70-ve, të cilat në ekspozitën “Rrugëtimi...” qëndrojnë si dëshmi e largpamësisë dhe qasjes origjinale në grafikë. Por përveç asaj janë dhe rrëfimtare të një jete plot përjetime të artistit, të cilat kishin nisur qysh në vegjëli. 

Kuratori i ekspozitës i cili kishte pasur rastin që gjatë viteve ‘80 të shoqërohej me artistin, veprimtarinë e tij e lidh dhe me përjetimet e vetë Gjokajt.

“Gjatë qëndrimit në Itali më shumë [Gjelosh Gjokaj] ka punuar me subjekte narrative me ndodhi të luftës. Ai ka pasur shumë përjetime traumatike si fëmijë. Nga okupimi italian, gjerman, bile në oborrin e shtëpisë së tij e ka parë një skenë të tmerrshme kur janë pushkatuar disa ushtarë gjermanë dhe ai si fëmijë tregon se si e ka përjetuar sikur një ëndërr. Andaj në këtë periudhë të veprimtarisë së tij ka shumë koka me gozhda të futura, ushtarë të vdekur. Ka qenë një periudhë kur është marrë shumë me këto”, është shprehur Shkëlzen Maliqi, duke iu referuar ekspozitës si ndër më të begatshmet që përfshin pothuajse secilin cikël të Gjokajt. 

Me apo pa qëllim, në të njëjtin pozicion, në katin e parë gjendet e varur dhe kryevepra “Sofra” e vitit 1978, pjesë e koleksionit të GKK-së

Gjelosh Gjokaj u lind më 25 korrik 1933 në fshatin Milesh afër Tuzit, zona e Malësisë së Madhe në Mal të Zi. Rrjedh nga një familje e njohur shqiptare, të kreut të njohur malësor Baca Kurt Gjokajt. Shkollën e mesme industriale e përfundoi në Novi-Sad, ndërsa në Pejë dy vjetët e Shkollës së Artit, të themeluar më 1949. Për një kohë të shkurtër jep mësim në Negotin, prej ku, në vitin 1958, shkoi në Beograd. Duke u njohur si talent, ai pa arsimim të mesëm të plotë regjistrohet në Akademinë e Arteve Pamore. Përcaktohet për pikturë, të cilën e mëson te profesorët Stojan Çeliq, Lubica Sokiq, Zoran Petroviq, Miladen Srinoviq, për të diplomuar në sektorin e grafikës te profesori Boshko Karanoviq, më 1963. Në periudhën 1964/1969 punoi si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ku ishte njëri nga nismëtarët për themelimin e Fakultetit të Arteve më 1973. 

Me ftesën e Komisionit për Lidhje Kulturore të Këshillit Ekzekutiv Federativ u zgjodh në grupin e shtatë piktorëve dhe katër grafistëve më të mirë jugosllavë për ta prezantuar artin jugosllav në Bienalen VI të Mesdheut të Pikturës dhe Grafikës në Aleksandri (1966). Ka magjistruar në vitin 1966 në Akademinë e Arteve Pamore (ALU) në Beograd, kursi special për grafikë. Më 1967 merr pjesë në vizita studimore në Francë, Itali dhe në Gjermaninë Perëndimore. Gjokaj vendos të vazhdojë karrierën artistike në Itali, ku më 1977 fiton një mirënjohje të jashtëzakonshme: shpallet piktori më i mirë në Itali për atë vit. Për shkaqe familjare, në vitin 1983/84 largohet nga Italia dhe vendoset në Augsburg, në Gjermani, ku jeton dhe vepron deri në fund të jetës. Vdiq më 25 shtator të vitit 2016 në Münich. 

Jeta e tij, po aq e pasur po sikur dhe arti i tij, ishte shënuar edhe nga kalimi nëpër të i dy figurave me nam për botën shqiptare. Gjatë kohës së kaluar në Romë, ai do të shoqërohej dhe me Martin Camaj e Ernest Koliqin. Kopërtinën e veprës “Shejzat” të Koliqit do ta punonte si grafikë vetë Gjelosh Gjokaj. Por ky është vetëm një detaj i biografisë së tij. Vepra – një botë më vete, e pakufishme dhe e tejkohshme. 

Sikurse vepra te shkallët për në katin e dytë të Galerisë – e veçuar nga të tjerat – me titullin “Vajza me zog”, e cila ishte bërë vepra e parë e koleksionit prej 81 sosh të Sead Gjokajt. Ia dhuroi vetë maestroja sa ishte gjallë. Koleksionisti në prillin e vitit të kaluar kishte publikuar edhe monografi për artistin me titullin “Maestro Gjelosh Gjokaj”. 

“Kjo është njëra prej ekspozitave më të mëdha edhe për nga ana kuantitative njëjtë dhe për nga ana kualitative kur bëhet fjalë për ekspozitë retrospektive të Gjelosh Gjokajt. Sa u përket veprave, gjithmonë kam ardhur deri te ato nëpërmjet njerëzve me të cilët ai është shoqëruar, njerëzit më kanë njoftuar, përherë kam marrë pjesë edhe në ankande. Para së gjithash, për mua një ngjarje e tillë është emotive, kënaqësi kur shoh kaq shumë vepra të tij në një vend”, ka thënë Sead Gjokaj pak çaste para hapjes së ekspozitës, në vernisazhin e rezervuar për media. 

Akrilik në dërrasa, akrilik në karton, vaj në pëlhurë, grafika, stampime. Dimensione nga 24 me 30 centimetra deri në 5 me 1.8 metra. Të gjitha këto tregues i mjeshtërisë së tij

Krahas efemereve të ekspozitave të dikurshme të artistit në GKK, po në katin e dytë zë vend dhe një kryevepër e tij. Madhështore, “Kënga për Kadinjaçën” 5 me 1.8 metra e vitit 1981 vjen si një elegji plot ngjyra e detaje për një të kaluar të trishtë. Si rezultat i përmasave të jashtëzakonshme dhe ekspozimi i saj qe i tillë. E vendosur veçmas në një sfond me mure ngjyrë antracit, në pozicion e prirtë, zë vendin plot pompozitet tok me fabulën e saj. Ajo mëvetëson një narrativë lufte e cila ndërtohet nga portrete njerëzish e elemente të natyrës. Baza e asaj narrative qëndron te një histori sakrifice nga disa punëtorë të një fabrike për të shpëtuar një çetë jugosllave. Kokat me helmeta, si ushtarë qëndrojnë në majë të pikturës, në sipërfaqen e tokës. E ato të të flijuarve vijnë e prekin tokën, në këtë rast nëntokën, me grimasa dhembshurie. Detajet sërish vjedhin vëmendjen, në vargun e të shumtave dallohet edhe një korb tek pi ujë nga një helmetë e një ushtari të vrarë. Me apo pa qëllim, në të njëjtin pozicion, në të, në katin e parë gjendet e varur dhe kryevepra “Sofra” e vitit 1978, pjesë e koleksionit të GKK-së, deri më 2019 pjesë e koleksionit të 121 veprave në hotelin “Grand”. 

Nuk do shumë mend që të kuptohet rëndësia e një ngjarjeje të tillë. Nuk mjaftohet vetëm me të qenit ekspozitë. Për kalendarin artistik të 2024-s, është e sigurt se do zërë vendin në krye të ngjarjeve. Si e tillë ka bërë bashkë delegacione të ndryshme të huaja, ambasadorë, politikanë, qytetarë, por mbi të gjithë artdashës. 

Edhe pse i ftuar në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca para se të merrte fjalën i pari para turmës në oborrin e Galerisë ka thënë se do të kishte dëshirë që të ishte i ftuar në cilësi tjetër. Në atë të një studiuesi modest të artit, e jo me patjetër si politikan. Nisur nga kjo parathënie e tij, ai për figurën e Gjelosh Gjokajt nuk u kursye. 

“Kam qenë shumë i ri kur e kam parë pikturën e parë të Gjelosh Gjokajt, i kisha diku 19 vjet, ishte piktura ‘Rrëmbimi i Evropës’ e vitit 1980, në akuatintë. Edhe për mua ishte tronditje e madhe duke qenë se kisha hyrë të studioja pak artin botëror dhe i njihja gjigandët e pikturës botërore. Në fillim kjo pikturë m’u duk sikur të ishte e Marc Chagallit, edhe kur e kuptova që është e Gjeloshit thash më vete edhe ne e paskemi Chagallin tonë”, ka thënë Konjufca duke shtuar se pikërisht ky “takim“ e kishte inspiruar atë që të studionte më tepër për periudhën e modernizmit të pikturës shqiptare.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i pranishëm në hapje të ekspozitës, ka thënë se me artistin bashkëvendës ishte takuar së pari herë pikërisht në Prishtinë, në vitin 2000, kur Gjeloshaj po studionte. 

“Me veprën e Gjeloshit të gathë krenohemi, por një simbolikë tjetër e cila kur më ftoi ambasadori që të jem sot në Prishtinë në saje të festimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe ditëlindjes së Gjeloshit, pranova me kënaqësi që t’i gërshetojmë ato, sepse pikërisht në këtë mënyrë mendoj se gërshetojmë shumë vlera që kemi të përbashkëta të dyja shtetet, dhe të përçojmë bashkëpunimin e mirë që ka Mali i Zi me Kosovën dhe që do të vazhdojë ta ketë”, ka thënë Gjeloshaj. 

Publiku i dendur në numër, qe dëshmi e respektit dhe admirimit që gëzon figura e Gjelosh Gjokajt. Me praninë rikujtohet kontributi i tij në artin modern të botës shqiptare, veçanërisht në Kosovë. 

“Gjelosh Gjokaj i njohur si maestro është figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, është quajtur dhe Picasso i Ballkanit, dhe ekspozita do ta tregojë së përse”, ka thënë Bernard Çobaj, ambasador i Malit të Zi në Kosovë, kur ka folur për simbolikën e ekspozitës, por ka lënë edhe një mesazh. “Me këtë ne po shënojmë ditëlindjen e artistit dhe përvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi. Në Mal të Zi ne kemi shprehjen ‘I përjetshëm qoftë Mali i Zi’, unë do të shtoja e përjetshme qoftë miqësia e Malit të Zi me Kosovën”, ka thënë ai. 

Kokat e famshme që mbijnë, të cilat janë edhe në mesin e detajeve shënjuese të veprës së tij fillojnë e dominojnë veprimtarinë e Gjokajt në rrëzë të 70-ve, të cilat në ekspozitën “Rrugëtimi...” qëndrojnë si dëshmi e largpamësisë dhe qasjes origjinale në grafikë

Artisti Yll Xhaferi, veprën e Gjokajt kishte pasur pak mundësi për ta parë nga afër pasi që koha kur ai ekspozonte dikur në Kosovë përkon me fëmijërinë e Xhaferit. Por tashmë si artist i afirmuar, ai e vlerëson rolin e Gjokajt në themelet e modernizmit në Kosovë, tek i bën analizë dhe shprehjes artistike të tij. 

“Është interesante se si historia e artit tonë fillon disi direkt te modernja, ka artistë të cilët shumë mençëm dhe me origjinalitet kanë ditur se si me iu qasë modernes. Te Gjelosh Gjokaj gjen grafiken, një dimension goxha i vështirë për t’u realizuar, ndërkaq emra si ky janë mjeshtër të kësaj teknike. Figurat të cilat ai i bën si monumentale janë disi si skulptura, kanë hire greke, standarde të bukurisë greke, fytyra të njoma, që supozohet me qenë skulptura pa jetë”, ka thënë Xhaferi. 

Ka shtuar se Gjokaj thjesht i integron ato në peizazhe rurale të cilat përkojnë me realitetin e Kosovës, kur ai ka vepruar si artist. 

“Puna e tij ngjason shpesh dhe me një gjendje ku sheh ëndrra me sy hapur. Aty ka edhe brishtësi ka edhe sende që ironikisht ndoshta kanë dhe një tregim më të rëndë, përkthehet dhe fati i shqiptarëve”, ka thënë Xhaferi në një prononcim për KOHËN, pas vernisazhit të ekspozitës. 

Ka treguar se doli nga ekspozita “Rrugëtimi...” i inspiruar nga ideja se si artistët e gjeneratës së Gjokajt e kanë trajtuar artin me një nivel të lartë serioziteti dhe përgjegjësie. Sipas tij, çështjet identitare shqiptare dhe reprezentimi kanë qenë mbi supet e asaj gjenerate artistësh.

Mundësia e rrallë që kjo ekspozitë ofron që të kalohet nëpër faza të ndryshme jetësore, nëpërmjet periudhave të ndryshme të veprimtarisë së Gjokajt nuk kaloi pa u evidentuar edhe nga publiku. 

Për Elizabeth Gowing, autoren angleze e cila prej vitesh jeton në Kosovë, kjo ekspozitë është moment i jashtëzakonshëm për skenën e artit. 

“Është shumë interesante nga shumë pikëpamje, sepse në njërën anë ai është nga Mali i Zi, është shqiptar i Malit të Zi, pastaj është shqiptar në kurbet në Gjermani. Elementet e ndryshme marrin rëndësi dhe peshë të ndryshme, sepse diçka që është shumë tradicionale si sofra, ndoshta ajo ka domethënie ndryshe për dikë që ha në sofër çdo ditë, në mes të një fshati, sesa të një personi që ha në një tavolinë në një banesë në mes të Gjermanisë”, ka thënë Gowing. 

“Rrugëtimin modernist të Gjelosh Gjokajt” publiku do të mund ta përjetojë në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 7 korrik