Kulturë

“Rrugëtimi drejt lirisë” – dëshmia e fotoreporterit për të vërtetën e Kosovës

Nëpërmjet objektivit të tij, bota pa atë që ndodhte në Kosovë në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Fotoreporteri Alban Bujari u bë dëshmitar, e dëshmitë e tij janë fotografitë. Një pjesë e tyre, janë përzgjedhur e ekspozuar të enjten në Ministrinë e Drejtësisë. “Unë kisha filluar me fotografitë në Prekaz, që ka qenë masakra e parë që unë e kam parë. Nuk ka qenë lehtë edhe për ne me i dokumentu krimet e luftës, që janë bërë prej forcave serbe”, ka thënë ai. “Nuk është vetëm Prekazi, është edhe Krusha, është Reçaku, është Rogova, është Abria, e të tjera”

Prishtinë, 24 dhjetor – Secila fotografi është dëshmi e krimeve që i kishin parë me sytë e tyre. Shihen nëna e baballarë teksa ua japin lamtumirën e fundit fëmijëve të tyre. Në shumicën e rasteve, viktimat janë të mbështjella me flamurin kombëtar.

Janë vetëm disa prej listës së gjatë prej mijëra civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Përtej dhimbjes së shpërfaqur, ka gra e burra që megjithatë mbledhin forcën para më të dashurve të masakruar e të shpërfytyruar. Ndjenja dhimbjeje e krenarie kanë përçuar të gjitha fotografitë, dëshmi të masakrave të Prekazit, Abrisë, Rogovës, Reçakut e vendeve tjera.

Të gjitha janë shkrepur nga fotoreporteri i “Kohës Ditore”, Alban Bujari. Por shpesh, krah tij ishin edhe kolegët Afrim Vitia e Nebi Qena, tani pjesë e agjencisë së lajmeve, “Associated Press”.

Vitia ka ndjenja të përziera derisa i shikon fotografitë, në ekspozitën dokumentuese të Bujarit, “Rrugëtimi drejt lirisë”, e hapur të martën në mesditë në hollin e ndërtesës së ish-“Rilindjes”, ku ndodhet selia e Ministria e Drejtësisë.

Image
Bujari me Afrim Vitinë dhe Nebi Qenën, me të cilët më 1998 e 1999 dilte në terren në zonat e luftës

“Vlera e tyre është e madhe, qysh ka qenë edhe atëherë, edhe tash është shumë e madhe, sepse faktikisht po na akuzojnë sot, tash prej viktimës jemi bërë agresorë, dhe serbët po mbesin të viktimizuar, dhe të gjitha këto për masakrat na e qesin edhe njëherë ndërmend kush ka ba masakra dhe kush ka bërë terror në Kosovë”, thekson Vitia, pjesë e ekipeve të “Kohës Ditore”, qysh prej vitit 1997. “Kanë vlerën e madhe, kanë domethënien e madhe, kështu që Albani edhe atëherë, edhe tash, edhe pas luftës, si në momente të vështira, si në momente të lumtura që i ka kaluar Kosovë, ka arritur me fotografitë e tij me e njoftu opinionin”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se fatkeqësisht janë edhe mbi 1.600 persona të pagjetur në varrezat masive në Serbi. Ajo ka theksuar se familjet e tyre meritojnë ta dinë për fatin e më të dashurve. Nagavci ka kërkuar që të ketë angazhim të të gjithëve për t’ia dëshmuar botës të vërtetën e luftës së Kosovës në kohën kur imazhi i Kosovës viktimë u godit prej arrestimeve të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën dyshimin për krime lufte.

“Dëshmitarë jemi të gjithë. Fatmirësisht kemi çfarë të themi në anën e drejtë të historisë, andaj uroj që jo vetëm të kemi sa më shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të vërtetën tonë, por edhe në mënyrë institucionale të angazhohemi që ta çojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon edhe si shtet”, ka thënë Nagavci.

Image
Alban Bujari të enjten në hapje të ekspozitës së tij, me ministrin e drejtësisë Selim Selimi, dhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Arbëria Nagavci

Bujari ka thënë se e ka pasur të vështirë t’i fotografonte bashkëkombësit e masakruar nga forcat e Sllobodan Millosheviqit në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Unë kisha filluar me fotografitë në Prekaz, që ka qenë masakra e parë që unë e kam parë. Nuk ka qenë lehtë edhe për ne me i dokumentu krimet e luftës, që janë bërë prej forcave serbe”, ka thënë ai. “Edhe e falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, dhe ministrin Selimi për përkrahjen për ekspozitën”, ka thënë Bujari në fjalimin e tij të shkurtër. “Nuk është vetëm Prekazi, është edhe Krusha, është Reçaku, është Rogova, është Abria, e të tjera”.

“Gur me qenë, nuk mundesh me i mbajtë lotët kur sheh ekspozitën e mikut tim, fotografit Alban Bujari, të titulluar ‘Rrugëtimi drejt lirisë’”, ka shkruar gazetari Vehbi Kajtazi, në llogarinë e tij “Twitter”, me katër fotografi të ekspozitës. “Alban Bujari është monumenti dhe dëshmia e gjallë e asaj që ka përjetuar Kosova”.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka theksuar se Kosova duhet t’i kujtojë çdo ditë viktimat e luftës pavarësisht traumave të shkaktuara nga lufta. Ka falënderuar Bujarin për kontributin e tij në luftë e në paqe.

“Hapja e kësaj ekspozite risjell dëshmitë më të trishtueshme të mizorive të shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë. Edhe pse trazon plagën tonë të hapur, na shërben për të dëshmuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe vë në pah sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Në broshurën e Ministrisë së Drejtësisë, e cila e ka mbështetur Bujarin për ta hapur “Rrugëtimin drejt lirisë”, thuhet se “Albani është një ndër fotoreporterët më të shquar të periudhës së re të Kosovës dhe ndër të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-99”.

Bujari ka nisur karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” më 1997, duke u bërë pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë, që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve nëntëdhjetë. Nëpërmjet objektivit të tij, bota pa atë që ndodhte në Kosovë.

Në veçanti, përleshjet e armatosura mes UÇK-së dhe forcave serbe, dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Një fëmijë prapa rrethojës gjembore në kampet e Maqedonisë është njëra prej fotografive të përzgjedhura prej Bujarit për ekspozitë.

Në njoftimin që iu referohet të dhënave të Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tregohet se gjatë periudhës së luftës, fotografitë e Bujarit u publikuan “në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, ‘Time’, ‘Sunday Times’, ‘Independent’, ‘The Guardian’, ‘El Pais’, ‘Fokus’, ‘Suddeutsche Zeitung’, ‘Kyoto News’, dhe në EPA si përgjegjës për mbulimin e kryengritjes së armatosur në Kosovës gjatë viteve 1998-99”. Rreshtimi i ushtarëve të UÇK-së në Polac është njëra prej fotografive të Bujarit që nxit vëmendjen e të pranishmëve.

Vitia e Bujari u kanë rrëfyer miqve e mysafirëve të ekspozitës histori me keqtrajtime e kërcënime të forcave serbe gjatë punës së tyre për të faktuar dhunën e masakrat ndaj shqiptarëve të pafajshëm.