Kulturë

Rrugëtimi artistik i Visar Mulliqit në monografi si vështrim poetik

Familja, kolegët e komuniteti artistik janë mbledhur në mbrëmje në librarinë “Dukagjini” për procesin e punës me botimin dhe jo vetëm. Krijimtaria profesionale tridekadëshe e piktorit Visar Mulliqi ka qenë në qendër, duke pasur parasysh natyrën e botimit

Familja, kolegët e komuniteti artistik janë mbledhur në mbrëmje në librarinë “Dukagjini” për procesin e punës me botimin dhe jo vetëm. Krijimtaria profesionale tridekadëshe e piktorit Visar Mulliqi ka qenë në qendër, duke pasur parasysh natyrën e botimit

Është një vepër voluminoze njashtu sikurse rrugëtimi artistik e opusi i veprave të Visar Mulliqit. Penelin e piktorit e përcjell pena e mprehtë si ajo e Luan Ramës dhe rezultati është monografia e cila nga vetë autori është përshkruar si vështrim poetik i artit të Mulliqit

Përshkrim që kombinon rrëfimin jetësor nga fëmijëria e deri më sot, është ai me titull “Visar Mulliqi” që për protagonist piktorin. Monografia që ka për autor Luan Ramën nis të zbulojë opusin e Visar Mulliqit si krijues që nga vepra e para në moshën 6-vjeçare. Jeta e tij është e pandarë nga pikturën, ndërsa formimi i tij prej artisti është i lidhur ngushtë me frymën në të cilën është rritur. Monografia është promovuar të enjten mbrëma në Prishtinë.

Familja, kolegët e komuniteti artistik janë mbledhur në mbrëmje në librarinë “Dukagjini” për procesin e punës me botimin dhe jo vetëm. Krijimtaria profesionale tridekadëshe e piktorit Visar Mulliqi ka qenë në qendër, duke pasur parasysh natyrën e botimit.

Shkrimtari, studiuesi i artit e publicisti Luan Rama që është autor bartës i monografisë e konsideron atë si vështrim poetik mbi veprën e Mulliqit. Njohja e tij me artistin nuk mund të kalohet pa e parë masën e ndikimit të artit të piktorit të shquar Muslim Mulliqi tek i biri.

Si përfundim, Rama shprehet se e ka parë një lloj trashëgimi të elementeve të artistit që ka lënë nam në artin vizual shqiptar.

“Visari erdhi me sloganin se do të bëhej piktor ndryshe nga i ati, dhe e bëri. Është një vepër e konsoliduar me kohë, me gjetje, me ekspresionizmin e pastër dhe pastaj aspekte figurative brenda kompozicioneve si kokat, jeta e përparme. Duke i krahasuar diku pikturat e të atit dhe të birit, gjeta një influencë sidomos në tablotë me kulla. Ishin shumë të fuqishme. Po kështu edhe kullat e Visarit janë tablo mjaft simpatike e shpresëdhënëse”, ka thënë Rama.

I ka vlerësuar piktura entuziaste, të gëzuara, por që kanë edhe fortunë e aspekte të tjera të ndryshme. Sipas tij, “është një seri temash ku një tablo e ndjek tablonë tjetër dhe po t’i bashkosh do të duket se je në një ekran që ndjek një objekt tjetër”.

Rama ka thënë se hulumtimi paraprak, përtej grumbullimit të materialeve dhe të dhënave të tjera për artistin, gjithsesi duhej të njoftohej me ambientin ku Mulliqi krijon veprat.

“Me Visarin kemi biseduar për të hapur ekspozitën në ‘La Maison de l’Albanie’ në një hapësirë që ftojmë autorët të vijnë dhe ajo që u bë nisma e vërtetë e shkrimit të kësaj parathënie të gjatë, u bë ardhja ime në Prishtinë të vizitoj atelienë, sepse nuk mund të shkruash për një piktor pa parë ku krijon, enterierin, çfarë ngjyrash përdor, si i përdor. Ndryshe ka punuar Muslimi dhe ndryshe punon ai dhe kjo ndihet. Më bëri përshtypje një peizazh që e kishte punuar Visari kur ishte gjashtë vjeç. Ishte një habi për mua”, ka thënë ai.

Përshkrimin e veprës së Mulliqit në monografi e ka konsideruar vështrim poetik të artit të tij.

“Piktura më pëlqen, e shikoj si një letrar, nuk e shikoj siç e shikojnë vërtet kritikët e artit, që studiojnë kompozicionin, hapësirën, ngjyrën. Megjithatë edhe ky vështrim i imi, disi poetik i artit, mendoj se nuk është i lehtë. Për shembull Baudelaire ka qenë një prej poetëve që ka shkruar shumë shkrime për artin dhe vërtet do të ngelen gjithmonë, sepse ndryshe e sheh një poet, një letrar dhe ndryshe një piktor”, ka thënë Rama, një prej penave më të shquara të publicistikës shqiptare, ish-ambasador i Shqipërisë në Paris në fillim të viteve ’90 e më pas diplomat kulturor.

Piktori Visar Mulliqi ka thënë se me këtë monografi voluminoze dhe gjithëpërfshirëse është synuar një përmbyllje e një kapitulli të jetës së tij dhe punës pak më të hershme.

“Tash e tutje do të fokusohem më shumë në këto cikle të cilat janë këto peizazhe rurale, pallate urbane e këto figuracione me koka. Tash e tutje edhe me lule sepse, për mënyrën si unë e pikturoj ajo është gjallëria. Përmes saj tregon optimizmin. Atë mundohem ta transmetoj në veprat e mia”, ka thënë piktori e profesori i pikturës, Visar Mulliqi.

Është shprehur i lumtur që shkrimtari Luan Rama është autor i monografisë për të, pasi ka vlerësuar se ai mundet të pasqyrojë gjithë punën e tij në një botim.

“Me Luanin ramë dakord ta shkruajë ai sepse ka bërë disa monografi edhe më parë dhe më ka pëlqyer shkrimi i tij. Kam qenë jashtëzakonisht i lumtur sepse ai mundet të pasurojë gjithë atë çfarë unë kam dashur të tregohet në këtë monografi. Aty është jeta e fëmijërisë dhe e rinisë. Tash e tutje duhet të tregoj një punë profesionale të pikturës. Jam shumë krenar me punën se si ka dalë në fund i gjithë rezultati i monografisë”, ka thënë Mulliqi.

Monografia “Visar Mulliqi” është një lloj katalogu i opusit të tij e referencë për krijimtarinë e deritanishme

Puna e tij profesionale numëron tri dekada, që nga ekspozita e parë profesionale më 1995.

Visar Mulliqi ka studiuar pikturë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe më 1997 mbaroi edhe studimet në nivelin master. Që nga viti 1990, Visar Mulliqi ka hapur 15 ekspozita personale. Pos nëpër qytetet në vend e rajon ka ekspozuar edhe në Paris e në Graz. Me ekspozita kolektive puna e tij është shfaqur në Austri, Japoni, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Shqipëri e Kosovë.

Puna e Mulliqit, sipas kritikës, karakterizohet nga abstraktja dhe përdorimi i kontrastit të ngjyrave që tërheq lehtësisht vëmendjen. Sipas përshkrimit të veprës së tij, pikturat e tij shpesh transmetojnë optimizëm, duke e lënë shikuesin të intriguar nga struktura, tekstura dhe kombinimi i ngjyrës.

Artisti të enjten në promovimin e monografisë ka thënë se në punën e tij si piktor është rob i rregullave të artit.

“Meqenëse jam pak rob i këtyre rregullave artistike të cilat nuk mundem shumë t’i anashkaloj për arsye se duhet të jetë krejt në nivel të duhur. Pak edhe e mundoj punimin pasi jam kërkues, kam dëshirë të provoj disa herë derisa të vij aty ku unë kam dashur”, ka thënë ai.

Mulliqit ka ekspozuar në Paris në maj të 2016-s së bashku me një ekspozitë pas vdekjes së artistit Muslim Mulliqi. Ekspozita zuri vend në ambientet e “La Maison D’Albanie”.

Aktualisht punon si profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve ku ka kontribuar me njohuritë dhe aftësitë e tij që nga viti 1995. Dekani i këtij institucioni, Hazir Haziri, ka thënë se duke e njohur Visar Mulliqin edhe sot ai vazhdon të punojë me të njëjtën energji.

“Visarin dhe familjen e tij e njoh nëpërmjet tij. E njoh raportin shumë të drejtpërdrejt dhe të saktë të nënës së tij ndërsa raportin me babanë për herë të parë kam filluar ta shfletoj për ish-profesorin e ndjerë, por veçmas në një intervistë që e ka pasur të publikuar para disa vjetëve, më ka bërë përshtypje se aty kur i ndjeri bënte planin të hapej Fakulteti i Arteve, posaçërisht dega e arteve figurative, aty pranë ishte Visari. Aty e kuptova se Visari është rritur mirë dhe është rritur duke parë mirë me profesorin Mulliqi, me kolegët e tij, me artin e tyre, i cili ka vlerë të jashtëzakonshme në artet vizuale”, ka thënë dekani Haziri.

Bashkëpunëtorja e Mulliqit, Rina Asani, që është edhe menaxhere e “Mulliqi Art Gallery”, ka thënë se jeta personale dhe profesionale e artistit bëhen një në këtë monografi.

“Kur e lexoni do të mund ta vëreni shumë momente nga jeta e profesorit Visar, raporti i tij me nënën dhe babanë pasi është shumë e rëndësishme në formimin e tij si artist. Përpos përshkrimit të punës së tij artistike, i ka ndarë edhe këto copëza të jetës dhe janë bërë bashkë. Atëherë shkrimi ka qenë i kompletuar dhe kemi mundur ta kemi atë pamje para vetes sikur ta kishim parë vetë”, ka thënë ajo.

Pos në ekspozita, puna e artistit Visar Mulliqi tani zë vend edhe nëpër librari. Monografia “Visar Mulliqi” është një lloj katalogu i opusit të tij e referencë për krijimtarinë e deritanishme.