Kulturë

“Rri n’shpi me neve” për zbutjen e izolimit edhe me ofertë kulturore

Izolimi për shkak të pandemisë, nxori në shesh kreativitetin e artistëve të cilët në kushte shtëpie po gjejnë mënyra alternative për t’i qëndruar afër audiencës.

Performanca të tilla, që kanë shpërthyer gjithandej në rrjete sociale, tash do të kenë edhe përkrahje institucionale.

Komuna e Prishtinës e ka hapur thirrjen publike “#Rri n’shpi me neve”, që ka për qëllim realizimin e aktiviteteve kulturore, sportive e edukative që do të shfaqen në një nga emisionet televizive dhe platformat online në rrjetet sociale të këtij institucioni, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, raporton KOHA.

“#Rri n’shpi me neve” – “e ngo live”, “kce me qorapa”, “e thellohu me vargje” janë në mesin e aktiviteteve të sugjeruara sikurse edhe për performanca muzikore të DJ-ve, joga seancë apo seancë meditimi, seancë gatimi, seancë poetikë, stand-up seancë e të tjera.

Kjo thirrje publike, për të cilën janë planifikuar 30 mijë euro, vlen për të gjithë individët, programi i punës i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës, sportit, inovacionit dhe edukimit. Koncepti financohet nga Komuna e Prishtinës dhe realizohet në bashkëpunim me partnerët dhe me përfituesit eventualë. Aplikuesit, të cilët kanë kohë t’i përgjigjen thirrjes deri më 17 të këtij muaji, do të përzgjidhen nga komisioni i brendshëm i këtij institucioni.

Adrian Berisha, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se një performancë apo aktivitet mund të përkrahet prej 100 eurosh deri në 1000 euro.

“Kabineti i kryetarit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës e Sportit janë mbledhur dhe kemi thënë se çfarë mund të bëjmë e t’u ofrojmë individëve, të cilët po na ofrojnë aktivitete të ndryshme. Pra, nuk do të jetë vetëm për artistë, por do të jetë thirrje e hapur për të gjithë individët të cilët mendojnë se mund të dhurojnë ndonjë performancë të ndryshme përgjatë periudhës së pandemisë”, ka thënë Berisha.

Në këtë thirrje kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë individët, të cilët kanë ide të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve e performancave që mund të realizohen nga deri në tre persona. Realizimi (xhirimi) i aktivitetit do të bëhet në ambient të mbyllur. Kohëzgjatja e aktiviteteve 45-75 minuta.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.