Kulturë

“Rrënjët e pamposhtura” paralajmërohet si film Hollywoodi për Kosovën

Producenti e aktori Fatmir Bardheci

Producenti e aktori Fatmir Bardheci (djathtas) ia ka mësyrë një projekti të radhës. Titullohet “Undefeated Roots” ose “Rrënjët e pamposhtura”. Për ta prezantuar projektin – që përshkruhet edhe si iniciativë e ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi – ekipi ka mbajtur konferencë për media në Prishtinë

Ndër vite janë paralajmëruar filma të mëdhenj dhe prej Hollywoodi për luftën e Kosovës a për historinë e saj. I radhës titullohet “Rrënjët e pamposhtura”, ka një seri ngjarjesh prej vitit 1989 deri më 1999, s’i mjafton vetëm një pjesë dhe do të kushtojë nja 5 milionë dollarë. Në projekt përmendet edhe ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi

Dardan Mirena

Ka aterruar nga SHBA-ja për të prezantuar filmin e ri që kap luftën dhjetëvjeçare të popullit të Kosovës për liri, prej vitit 1989, s’ka ngjarje që nuk prek, skenari duket tepër i gjerë, mbase do të ndahet në seri, posteri është gati, një promo po ashtu dhe do të zgjasë nja dhjetë vjet. Ekipit që thotë se vjen nga Hollywoodi i prin Fatmir Bardheci në biografinë e të cilit figuron vetëm filmi “Mundije”, që përthekon arte marciale me rrënjë pellazge, besën e shqiptarit, strehimin e hebrenjve, ikjen prej komunizmit e çka jo tjetër. 

Tash Bardheci me shokë ia kanë mësyrë një projekti të radhës. Titullohet “Undefeated Roots” ose “Rrënjët e pamposhtura”. Për ta prezantuar projektin – që përshkruhet edhe si iniciativë e ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi – ekipi ka mbajtur konferencë për media në Prishtinë, ku ishin të pranishëm ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë të dëshmorëve të luftës dhe dashamirës të kinematografisë. Janë projektuar edhe disa skena promovuese që ngjajnë pak a shumë me skena filmash të lirë. 

“Për mua është nder që kam arritur ta bëj një film, jo vetëm për luftën e Kosovës, pas gati tri dekadash qëkur ka përfunduar. Në këtë film jemi munduar t’i përmbledhim të gjitha veçoritë pozitive të popullit tonë shqiptar dhe t’ia paraqesim botës përmes Hollywoodit, duke gërshetuar më së miri traditat e shqiptarëve, historinë antike të shqiptarëve, e cila vjen që nga qytetërimi pellazg, trojan, dardan e të tjera”, ka thënë Bardheci, kur ka folur për filmin e tij debutues, “Mundije”. 

Buxheti për “Rrënjët”, që ia ka mësyrë ta realizojë, sipas tij, kap milionat. 

“Për filmin ‘Undefeated roots’, ‘Rrënjët e pamposhtura” buxheti mund të shkojë të paktën pesëfish më shumë, mbi 5 milionë dollarë, sepse tematika është shumë më e gjerë, është një film i cili do të jetë me pjesë, njëra pjesë të paktën do të zgjasë 1 orë gjysmë dhe do të marrë 10 vjet kohë. Do të përfshihet jo vetëm lufta në Kosovë, por edhe prapaskenat politike, vrasjet e atdhetarëve shqiptarë, të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë 10 vjetëve”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN. 

Te “Mendije” luajnë edhe aktorët Eric Roberts dhe George Lezenby. Ky i fundit është presidenti Biden, i cili portretizohet në film. Emra të shquar synon edhe në filmin e radhës. Në konferencë nuk ka pasur pjesëtarë të komunitetit të kinematografisë në vend. Të institucioneve jo se jo. Ndër vite jo rrallë janë prezantuar e paralajmëruar filma të mëdhenj e hollywoodianë për Kosovën e luftën e saj. Nuk janë realizuar. 

Në konferencë ishte i pranishëm edhe Xhavit Kastrati, nipi i Shaban Polluzhës, i cili theksoi se emri i filmit të ardhshëm “Rrënjët e pamposhtura” është një titull shumë i qëlluar për filmin. 

“Por, unë do të kisha propozuar që ky film të mund të titullohej edhe ‘Lisat dhe rrënjët’. Në majat e lisave vëzhgojnë shqiponjat, kurse në rrënjët e lisave shqiponjat ngrenë foletë, është ligj i natyrës, që në foletë e shqiponjës janë vezët e shqiponjës, të cilat vetëm shqiponjat mund t’i gjejnë. Zogjtë e shqiponjës vetëm shqiponja mund t’i rrisë, edukojë dhe të bëhen shqiponja të vërteta”, ka thënë ai. 

Në fund të konferencës përmes platformës Zoom është inkuadruar edhe ish-kongresisti Joe DioGuardi, i cili e ka përgëzuar producentin për realizimin e një projekti të jashtëzakonshëm kushtuar historisë së luftës në Kosovë, traditave dhe kulturës shqiptare.

“Ky është një kontribut i shkëlqyer për ndërgjegjësimin e publikut përtej kufijve të rajonit, Evropës dhe botës, duke përdorur artin si një medium të fuqishëm. Shpresoj që të vazhdoni me projekte të tilla, të cilat sjellin impakt pozitiv për popullin shqiptar”, ka thënë DioGuardi. 

Përveç mbështetjes morale, sipas ekipit të filmit, ai ka kontribuar financiarisht në këtë film, duke dhuruar një shumë prej 10 mijë dollarësh, duke e cilësuar këtë mbështetje si një investim në promovimin e vlerave dhe identitetit shqiptar. 

“Përndjekjet dhe vrasjet e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë në mërgim dhe ushtarëve shqiptarë në ushtrinë jugosllave, prapaskenat dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe në Washington, ngjarjet makabre të helmimit të nxënësve shqiptarë, masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe mbi gratë, fëmijët dhe pleqtë e popullatës civile, heroizmin e UÇK-së dhe ndërhyrjen historike të NATO-s që çliroi përfundimisht popullin martir të Kosovës nga okupatori serb”, janë temat që paralajmërohen në përshkrimin e filmit. Po aty shkruhet se “do të xhirohet nga aktorë hollywoodianë në bashkëpunim me tri kompani filmike: ‘Eagle's Film Vision New’ ShBA, ‘Americal’ në Shqipëri dhe ‘Illyriaction’ në Kosovë”.