Kulturë

Rrëfimet kinematografike të Kosovës me program të veçantë në Berlin

Ky është edicioni i parë i “City Film Days”

Ky është edicioni i parë i “City Film Days” si seri e ngjarjes filmike, e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse “October 21 e.V”, ngjarja prezantohet si ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë që të zgjerohet shkëmbimi kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit (Skenë nga filmi “Në mes” i Samir Karahodës)

“City Film Days” që sivjet ka nisur rrugëtimin në skenën kulturore në Gjermani e thellon promovimin e kësaj fushe të suksesshme kulturore në vend. Nëpërmjet filmave e bën të njohur vetë Kosovën me historitë autentike që trajtojnë 12 të tillë. “Të fala nga Prishtina” është programi i veçantë i ngjarjes në Gjermani, i kuruar nga Blerta Haziraj si rrëfim kinematografik bashkëkohor që ndërlidh historinë. Për dy ditë në Berlin do të shpalosen filmat e Kosovës, me qëllim të shkëmbimit kulturor në vend. Të shtunën (sot) dhe të dielën do të shfaqen filma që portretizojnë kryeqytetin dhe vendin përmes reflektimit kinematografik mbi temat e shoqërisë. Por edhe tregimet personale

Filmat vendorë veçse janë të dëshmuar në skenën ndërkombëtare të kinematografisë. Por “City Film Days” që sivjet ka nisur rrugëtimin në skenën kulturore në Gjermani e thellon promovimin e kësaj fushe të suksesshme kulturore në vend. Nëpërmjet filmave e bën të njohur vetë Kosovën me historitë autentike që trajtojnë 12 të tillë. “Të fala nga Prishtina” është programi i veçantë i ngjarjes në Gjermani, i kuruar nga Blerta Haziraj si rrëfim kinematografik bashkëkohor që ndërlidh historinë.

Për dy ditë në Berlin do të shpalosen filmat e Kosovës, me qëllim të shkëmbimit kulturor në vend. Të shtunën (sot) dhe të dielën do të shfaqen filma që portretizojnë kryeqytetin dhe vendin përmes reflektimit kinematografik mbi temat e shoqërisë, por edhe tregimet personale.

Të shtunën, në program janë filmat “Gardhi”, nën regji të Lendita Zeqirajt, “Rutinë” i Bekim Gurit, “Greetings from an Elsewhere”, i Edona Kryeziut, “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt dhe “Në Kërkim të Venerës” i Norika Sefës. Filmat do të shfaqen nga ora 15:00 deri në orën 19:00 në kinemanë “Moviemento”.

Të dielën në po të njëjtën adresë, nga ora 10:30 do të shfaqen filmat e shkurtër “Shpija” i Flaka Kokollit, “Në mes” i Samir Karahodës, “Wie lange bleibt ihr noch?” i Arnit Likajt, “Sans le Kosovo” i Dea Gjinovcit e “Një muaj” i Zgjim Terziqit. Gjithashtu do të shfaqen edhe filmat: “Kurrizi” i Orgesa Arifit dhe “I’ve Never Been on an Airplane” i Redon Kikës.

Blerta Haziraj, e cila e ka kuruar programin “Të fala nga Prishtina” të ngjarjes filmike gjermane “City Film Days”, ka thënë se është program i filmave eksperimentalë, fiktivë dhe dokumentarë që ndërlidhen me vendin.

“Ideja kryesore e tyre ka qenë të eksplorohen realitetet e shumanshme të hapësirave urbane, po edhe rurale, përmes rrëfimeve kinematografike. Përmes kësaj qëndron edhe ideja të zgjerohet shkëmbimi kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme artistike të vendeve të ndryshme. Jam shumë e lumtur që Kosova ka qenë pikënisja e këtij festivali dhe jam shumë e lumtur që kam mundur të kuroj një përzgjedhje të filmave të jashtëzakonshëm, të cilët do të shfaqen këtë fundjavë në Berlin, në kinemanë ‘Movimento’”, ka thënë Haziraj në emisionin “Express” në KTV.

Ky është edicioni i parë i “City Film Days” si seri e ngjarjes filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse “October 21 e.V”, ngjarja prezantohet si ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë që të zgjerohet shkëmbimi kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.

Blerta Haziraj ka thënë se përzgjedhja e filmave është bërë duke u munduar të mbulohen të gjitha zhanret, metrazhet, por edhe filmat e regjisorëve që jetojnë jashtë vendit.

“Duke qenë se fokusi kryesor ka qenë në manifestimet hapësinore të qytetit tonë, po edhe rrethinës, përmes veprave kinematografike bashkëkohore, ideja kryesore ka qenë të bëhet një përzgjedhje e larmishme, ku përfshihen zëra dhe gjenerata të ndryshme të regjisorëve në Kosovë. Po ashtu, përveç zhanreve të ndryshme si filma eksperimentalë, dokumentarë, artistikë, të shkurtër dhe të gjatë, e po ashtu edhe animacion, për mua ka qenë shumë e rëndësishme të përfshihen në program edhe regjisorët që jetojnë në diasporë dhe i kemi tre filma të tillë”, ka thënë Haziraj.

Është shprehur se me regjisorët ka pasur bashkëpunim të mirë dhe se pos shfaqjes së filmave do të ketë edhe bashkëbiseda me publikun.

“Do ta zhvillojmë një bashkëbisedim menjëherë pas përfundimit të filmave.

Ideja e këtyre bashkëbisedimeve është që audienca, sidomos ajo gjermane, të ketë pak më shumë njohuri për filmin, për procesin e sidomos ç' është më e rëndësishmja është që të gjithë këta filma, materialin burimor ose edhe zhvillimin, edhe konceptimin kinematografik e kanë në Kosovë. Kështu që do të jetë shumë interesant, jo vetëm për pyetjet që do të parashtrohen, por edhe të shohim interesimin që do ta ketë audienca dhe bashkatdhetarët tanë që do të jenë atje”, ka thënë Blerta Haziraj më tej në “Express”.

Titulli i programit përshtatet me listën e filmave që përfshin. Vjen si mozaik rrëfimesh nga Prishtina, por aty do të thotë edhe më shumë. Titulli motivohet nga kënga “Të Fala nga Prishtina” e Sabri Fejzullahut, e kënduar për herë të parë në festivalin e muzikës “Akordet e Kosovës” në vitin 1984.

“Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore”, shkruhet në prezantimin e programit “Të fala nga Prishtina”.

Kënga përshkruhet si ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës.

“Titulli i programit ‘Të fala nga Prishtina’ është prej këngës së njohur dhe shumë të dashur të këngëtarit tonë, Sabri Fejzullahu. Siç e dimë, është këngë e ngrohtë që i fton njerëzit të vijnë ta vizitojnë Prishtinën si një qytet që rritet në bukuri e do të shohë më shumë. Kësisoj, kurimin e kam bërë duke e zgjeruar këtë kënd në një ftesë ku audienca dhe publiku gjerman, po edhe bashkatdhetarë tanë që do të vijnë do ta kenë mundësinë ta shohin realitetin e shumanshëm të shoqërisë kosovare përmes këtyre filmave”, ka thënë Haziraj.