Kulturë

Romantizmi në formatin kamertal si udhëtim unik muzikor

Kamerfest

Nata e katërt e edicionit të 23-të ka qenë përjetim unik muzikor. Veprat midis vete duket se thurin tregime dhe janë vazhdimësi e rrëfimit nga njëra pjesë tek tjetra. Janë vepra romantike e mbi të gjitha kryevepra të repertorit të muzikës kamertale. Prej tyre edhe ka marrë emër koncerti i së dielës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Nën titullin “Chamber Masterpieces in KamerFest” ka sjellë nga një vepër nga kompozitorët Rachmaninoff, Tchaikovsky e César Franck

Kryeveprat e repertorit të muzikës kamertale kanë qenë në qendër të një tjetër përjetimi muzikor në “KamerFest”. Perlat e muzikës romantike kanë qenë rrëfimi i radhës më festivalin ndërkombëtar të muzikës kamertale. Muzika ka qenë gjuha e përbashkët e emrave të shquar në skenën ndërkombëtare që i ka bërë atë bashkë në një të tillë modeste në Prishtinë. 

Nata e katërt e edicionit të 23-të ka qenë përjetim unik muzikor. Veprat midis vete duket se thurin tregime dhe janë vazhdimësi e rrëfimit nga njëra pjesë tek tjetra. Janë vepra romantike e mbi të gjitha kryevepra të repertorit të muzikës kamertale. Prej tyre edhe ka marrë emër koncerti i së dielës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Nën titullin “Chamber Masterpieces in KamerFest” ka sjellë nga një vepër nga kompozitorët Rachmaninoff, Tchaikovsky e César Franck. 

Treshja e instrumentistëve me argjentinasin José Gallardo në piano, Xhafer Xhaferin në violinë dhe kroatja Jelena Oçiq në violonçel kanë harmonizuar tingujt për vepra madhore. Në pjesën e fundit u janë bashkuar edhe mjeshtrja e violinës Sihana Badivuku dhe Altin Tafilaj në violë. 

Koncerti është hapur me Gallardon, Xhaferin e Oçiq të cilët kanë interpretuar “Trio elegiaque g-minor, no.1” të rusit Sergei Rachmaninoff”. Siç vjen edhe nga vetë titulli, tema qendrore është elegjia dhe ajo prezantohet që në hapje të veprës. Kjo elegji reprezentohet më së miri nga violonçeli dhe violina ndërsa shpirti i këtij rrëfimi zhvillohet përherë më shumë. Pjesa virtuoze vjen nëpërmjet pianos. Sjell edhe plot ngjyra të vokalit muzikor. 

Në “Romance op.6, no.6 for piano trio”” të rusit Tchaikovsky tingujt e harkorëve ndiqen nga njëri-tjetri teksa pianoja thur rrëfime të lehta që veç rrinë nën hijen e dy instrumenteve duke qenë veç përcjellëse. 

Violinisti Xhafer Xhaferi ka thënë se në këtë koncert fokusi ka qenë në veprat romantike. 

“Në fillim kishim kompozitorët rusë si Rachmaninoff dhe Tchaikovsky dhe në pjesën e dytë kuinteti për piano dhe për harkorë nga Caesar Franck. Me trion José Gallardo dhe Jelena Oçiq kemi marrë pjesë në shumë festivale së bashku por kësaj radhe deshëm të bashkëpunojmë me artistët shqiptarë. Ishte një përvojë e veçantë në përgjithësi”, ka thënë ai derisa ka theksuar se veprat ishin kryesisht me ritme melankolike. 

“Të tri veprat kanë melankoli dhe nostalgji në vete dhe besoj se gërsheëtoheshin mirë dhe kësaj radhe ndoshta nuk ofruam diçka të hareshme por besoj se edhe këto janë emocione që i përjetojmë në jetë dhe janë gjithashtu të bukura”, ka thënë violinisti Xhaferi më tej.

Një qasje sa romantike, aq edhe serioze e virtuoze e ka pasur “Piano quintet in f-minor” i kompozitorit francez César Franck. Vepra ngjan në një ndërtim i veprës në mënyrë më klasike. Në këtë pjesë trios i janë bashkuar edhe violinistja Sihana Badivuku, njërëherësh drejtoreshë e festivalit “KamerFest” dhe Altin Tafilaj me violë. 

Koha e parë “Molto moderato quasi - Lento-allegro” fillon me ritëm të ngadalshëm por derisa zhvillohet dëshmohet si goxha e mbingarkuar. Kulmon ajo e fundit - “Allegro non troppo ma con fuoco”. Në përgjithësi, bashkë me kohët “Lento con molto sentimento” ka sjellë harmoninë minimale që dominohet nga nostalgjia. Kuarteti i harkorëve dhe pianoja e kanë menaxhuar veprën duke sjellë ndjesinë e një orkestre madhore. Duket se gjatë gjithë veprës korrespondon një lloj force e errët  e shpesh me fragmente si stuhi që mbyllin temat qendrore që trajtohen nëpërmjet lojës së pesëshes së instrumentistëve. 

Në bis është luajtur njëra prej kryeveprave të kompozitorit argjentinas Astor Piazzolla – “Oblivion”. Ishte propozim i pianistit Jose Gallardo që të luhej kjo vepër si një falënderim për publikun në fund të koncertit. 

“Vepra e Rachmaninoff ishte e shekullit 19-të, e Franck pak më e vonshme, kështu që mendova të sjellim një vepër të një kompozitori të shekullit të 20-të. Ka shumë pasion brenda saj. Më pëlqen shumë kjo pjesë dhe unë u thashë ‘a mund ta luajmë këtë pjesë, jo vetëm pse unë jam nga Argjentina, por sepse është shumë e bukur’ “, ka thënë pianisti argjentinas Jose Gallardo. 

Derisa ka folur për koncertin në përgjithësi, ka thënë se muzika kamertale është muzika e shpirtit të tij dhe ajo që e bën më së shumti. 

“Rreth 80 për qind e karrierës sime është muzikë kamertale. Ishte shumë kënaqësi të punoj me kolegët këtu ishte shumë kënaqësi dhe kaluam shumë mirë së bashku në prova. Veprat janë të veçanta. Rachmaninoff e ka shkruar këtë vepër kur ishte shumë i ri, rreth 18 apo 19 vjeç. Është vepër e shkurtër dhe kompakte por disi është paralele me atë të Franck. Ka pasion dhe një lloj eksplodimi. Ndërsa e Tchaikovskyt është disi intime dhe introverte midis dy veprave tjera. Vepra e Franck është pjesë monumentale e muzikës kamertale dhe e kam shijuar shumë duke e luajtur sonte”, ka thënë pianisti Gallardo. 

Ditë më parë, ai dhe violinisti Xhaferi ishin solistë në koncertin e Filharmonisë së Kosovës, më 4 tetor në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në lojën e veprës “Koncerti për violinë, piano dhe orkestër harqesh” të Felix Mendelssohn. 

Profesoresha e pianos, Lejla Pula, ka thënë se solistët e këtij koncerti kanë sjellë frymën e skenave botërore në Prishtinë. Është shprehur e lumtur që artistët pranojnë të vijnë në Kosovë përkundër kushteve të sallës në të cilat koncertojnë. 

“Një program i jashtëzakonshëm me një tingëllimë të rrallë kamertale që mund ta dëgjojmë. Ishin të shkëlqyeshëm të gjithë edhe harkorët edhe kuinteti i Caesar Franck. Është një prej më të bukurve që ekzistojnë për këtë formacion dhe gjithashtu trion që e kanë luajtur sonte me solisten nga Kroacia. Xhafer Xhaferi është një violinist që është vërtetë duke prekur majet e kulmit të interpretimit klasik në botë. Ai koncerton gjithandej bashkë me pianistin që është yll i vërtetë nga Argjentina”, ka thënë Pula. 

Drejtoresha e festivalit “KamerFest”, Sihana Badivuku, derisa ka folur për programin e koncertit të katër të këtij edicioni, ka thënë se gjithçka tregon edhe vetë emërtimi i koncertit – se janë kryevepra kamertale. 

“Në pjesën e parë patëm ‘Trio elegjik’ i Rachmaninoff, Tchaikovsky dhe në fund Caesar Frank. Është privilegj që të bashkëpunojmë dhe të kemi këtë shkëmbim të artistëve të ndryshëm, posaçëristh që vijnë nga troje të ndryshme dhe pastaj muzika na unifikon në gjuhën universal. Më vjen mirë që Jose Gallardo është për herë të dytë këtu pasi ka qenë këtu edhe në vitin 2012 në kuadër të organizimit të garave ‘ArsKosova’ pasi Xhafer Xhaferi ishte fitues apsolut atë kohë”, ka thënë violinistja e shquar. 
Është shprehur e privilegjuar edhe për bashkëpunimin me Tafilajn në violë e Oçiq në violonçel. Njashtu e lumtur duke parë suksesin dhe profesionalizmin e violinistit Xhaferi, ish-student i saj. 
“Gëzohem kur shoh që produkti im, Xhaferi, është aq aktiv dhe vijon një karrierë shumë të pasur koncertale dhe kamertale në skenat dhe festivalet prestigjioze në Evropë. Kjo është përvojë e tij fenomenale dhe tash me një përvojë të re ka ardhur këtu dhe bashkëpunojmë në mënyrë të barabartë. Kjo ka qenë për mua gëzimi më i madh. Natyrisht me pianistin argjentinas që luan me yje botërorë të njohur. Është frymëzim të luash me një pianist të këtij niveli pasi rrallë gjendet ky lloj emocioni subtil me një teknikë të përkryer dhe me energji të jashtëzakonshme”, ka thënë më tej Badivuku. 
Koncerti i radhës i “KamerFest” sjell si solist Altin Tafilaj me violë nën përcjellje të “Orkestrës Harkore të KamerFest” me artistë mysafirë violinistët Sihana Badivuku dhe Rron Bakalli. Ky koncert do të mbahet sonte në kishën katolike “Shën Ndou”.